Dje, Kina njoftoi stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë në fund të muajit, një shenjë e forcimit të lidhjeve midis dy vendeve, gjë që ka sjellë akuzat e Pekinit nga NATO se është një “asistent” i Moskës në luftën në Ukrainë. Forcat detare dhe ajrore do të marrin pjesë në stërvitjet “North-Joint 2024” në ajër dhe rreth Detit të Japonisë dhe Detit të Okhotsk, përgjatë brigjeve të Rusisë. “Qëllimi i stërvitjes së përbashkët është të thellojë nivelin e bashkëpunimit strategjik midis ushtrive kineze dhe ruse dhe së bashku të forcojë kapacitetet e tyre në trajtimin e kërcënimeve të sigurisë”, tha ministria kineze e Mbrojtjes.
Dy aleatët do të dërgojnë flotat e tyre detare në një patrullë të përbashkët detare dhe Kina gjithashtu do të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake strategjike të Rusisë “Ocean-24”, shtohet në deklaratë. Data e saktë nuk është specifikuar. Në korrik, të dy vendet zhvilluan manovra të përbashkëta ushtarake në ujërat dhe hapësirën ajrore rreth Zhanjiang, një qytet në provincën Guangdong të Kinës jugore. Ato stërvitje u zhvilluan në të njëjtën javë kur NATO paralajmëroi se Kina ishte “bërë një mundësues vendimtar” i pushtimit rus të Ukrainës. Në përgjigje, Kina paralajmëroi NATO-n, të udhëhequr nga SHBA, të përmbahet nga “çdo përpjekje për konfrontim”.
Vitet e fundit, Rusia dhe Kina kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik për të kundërshtuar “hegjemoninë e Perëndimit”, dhe veçanërisht, siç pretendojnë ata, dominimin amerikan në çështjet botërore. Muajin e kaluar, në një takim me kryeministrin kinez Li Qiang në Moskë, presidenti Putin tha se lidhjet ekonomike dhe tregtare midis Rusisë dhe Kinës “po jepnin rezultate”./sot