Pas audiopërgjimeve të publikuara nga Arben Ahmetaj, që vendosën Ron Yeffet dhe bizneset e tij në industrinë shqiptare të mbrojtjes në qendër të akuzave, në “Opinion” doli ortakja e tij, Arjeta Puca. Ajo mbrojti Yeffet, partneritetin me KAYO-n dhe modelin e TIMAK Defence, duke deklaruar se “nuk është aq e thjeshtë të thuash trafik armësh”.
Pas audiopërgjimeve të publikuara pak ditë më parë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, Ron Yeffet nuk ka dalë vetë për t’iu përgjigjur publikisht akuzave. Për të larë njollën e aferave, doli në “Opinion” ortakja e tij shqiptare, Arjeta Puca.
“Ron Yeffet është ortaku im në TIMAK”, konfirmoi Puca që në intervistë.
Dalja e saj vjen pasi Ahmetaj publikoi një material audio, për të cilin pretendon se Yeffet dëgjohet duke diskutuar me përfaqësues të një kompanie ukrainase mbi një operacion që lidhet me armët dhe përdorimin e Shqipërisë. Puca nuk pranoi të komentonte përmbajtjen e audioregjistrimit.
“S’kam asnjë koment, se nuk është ndonjë përgjim legal apo prokurori. Nuk e di çfarë është dhe s’di çfarë të them. Të gjithë janë të mirëseardhur të vijnë të verifikojnë”, deklaroi ajo.
Megjithatë, kur u pyet nëse TIMAK Defence mund të përdorej për “ambalazhimin” e armëve, siç pretendohet se diskutohet në materialin e publikuar, Puca doli në mbrojtje të aktivitetit të kompanisë.
“Nuk është aq e thjeshtë të thuash trafik armësh. Ne në të ardhmen kemi qejf të zgjerojmë gamën tonë dhe kemi qejf të prodhojmë pushkë, pistoletë, dronë made in Albania”, tha ajo.
Puca mohoi gjithashtu se aktualisht ekziston një kërkesë nga Ukraina për furnizim me pajisje ushtarake, por konfirmoi se kompania kërkon tregje jashtë Shqipërisë.
“Jo, me Ukrainën jo. Aplikojmë, komunikojmë dhe shpresojmë që të kemi. Ne kemi biseduar me disa shtete afrikane. Prodhojmë makina të blinduara, makina policie, ambulanca”, deklaroi Puca.
Por historia me interes publik nuk është intervista e Pucës. Është lidhja e saj me Yeffet dhe mënyra se si kjo ortakëri u ndërthur me projektet e qeverisë për industrinë ushtarake.
Pika kyçe është 17 qershori 2025. Atë ditë, Arjeta Puca i kaloi Ron Yeffet 49% të TIMAK-ut për një çmim nominal të regjistruar prej 49 mijë lekësh. Puca mbajti 51%, ndërsa Yeffet u bë pronar i pothuajse gjysmës së kompanisë.
Koha e transaksionit është veçanërisht domethënëse.
Vetëm gjashtë ditë më parë, më 11 qershor 2025, Këshilli i Ministrave kishte miratuar vendimin nr. 322 për ngritjen e një kompanie të përbashkët mes KAYO-s dhe një partneri privat, me objekt prodhimin ose përshtatjen e automjeteve të posaçme për ushtrinë, policinë dhe strukturat e emergjencave.
Në atë moment, vendimi i qeverisë parashikonte që shteti, përmes KAYO-s, të zotëronte jo më pak se 45% të kompanisë së përbashkët.
Qeveria angazhonte në projekt të paktën 20 mijë metra katrorë pronë publike. Partnerit privat i kërkohej një investim minimal prej 15 milionë eurosh, 150 të punësuar brenda tre vjetëve, linja teknologjike sipas standardeve të NATO-s dhe një rrjet ndërkombëtar shpërndarjeje.
Por shteti nuk vinte vetëm tokën. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura do të garantonin sigurinë fizike, do të vendosnin në dispozicion të dhëna teknike e tregtare dhe kompania do të kishte mundësinë të furnizonte vetë Forcat e Armatosura.
Në këtë fazë hyn Yeffet në TIMAK. Puca e shpjegoi zgjedhjen e tij me nevojën për ta rritur kompaninë.
“Kishim qejf të rriteshim. Nuk kisha një njeri mbrapa që të ecja më shpejt si doja. Ron Yeffet ka një background të madh, është biznesmen i njohur”, tha ajo.
Puca dha gjithashtu një element të ri për marrëdhënien financiare mes tyre. Sipas saj, përveç transferimit të kuotave me vlerën nominale, ekziston një kontratë tjetër që përcakton investimin e Yeffet në TIMAK.
“Kemi një tjetër kontratë se sa investim do të bëjë ai në kompani. Është vlera 70 mln euro. Ka filluar ta bëjë këtë investim”, deklaroi Puca.
Pra, sipas vetë Pucës, Yeffet nuk është thjesht një aksionar me 49%, por një partner që është angazhuar për një investim prej 70 milionë eurosh në TIMAK.

















