Një skandal ka përfshirë vendin, ku mijëra tonë mish pule me salmonelë janë importuar në Shqipëri nga Brazili dhe janë hedhur në treg për konsum. Lidhur me këtë ka reaguar edhe organizata “Qëndresa Qytetare” ku shprehen se siguria ushqimore është lënë në mëshirë të standardeve afrikane, ndërkohë që qeveria u premton qytetarëve pasaportë evropiane.
Futjen e mishit të pulës me salmonelë në vend, “Qëndresa Qytetare” e ka cilësuar si skandal të paprecedentë, që dëshmon se siguria ushqimore në këtë vend nuk mbështetet në ligj, por në etjen për përfitim të disa firmave private dhe në korrupsionin e strukturave shtetërore.
Mishi i pulës është shpërndarë në treg që nga 11 marsi, pa pritur përgjigjen e analizave laboratorike, të cilat konfirmuan më vonë praninë e bakterit të rrezikshëm “Salmonela”. Ata shkruajnë se nuk kërkojnë kapituj negociatash, por kërkojnë dollapë ushqimi të sigurt. Po ashtu i bëjnë thirrje Prokurorisë së Posaçme të hetojnë plotësisht çështjen dhe mos të mjaftohen vetëm me disa procedime. Ato bëjnë thirrje të hetohen Autoritetet portuale, AKU, Ministria e Bujqësisë dhe çdo individ përgjegjës.
Reagimi:
PASAPORTË EVROPIANE ME SALMONELE BRAZILIANE!
Ndërkohë që qytetarëve u premtohet pasaporta evropiane, siguria ushqimore në Shqipëri është lënë në mëshirë të standardeve afrikane.
Me bekimin e AKU-së dhe strukturave shtetërore, 18.3 ton mish pule i importuar nga Brazili, i infektuar me salmonelë, është hedhur në treg dhe konsumuar nga qytetarët shqiptarë gjatë dy javëve të fundit.
Ky është një skandal i paprecedentë, që dëshmon se siguria ushqimore në këtë vend nuk mbështetet në ligj, por në etjen për përfitim të disa firmave private dhe në korrupsionin e strukturave shtetërore. Mishi është shpërndarë në treg që nga 11 marsi, pa pritur përgjigjen e analizave laboratorike, të cilat konfirmuan më vonë praninë e bakterit të rrezikshëm Salmonela.
Ndërsa qytetarët helmohen:
• Drejtori i AKU bën fushatë në Elbasan.
• Ministrja e Bujqësisë promovon mandarina me pesticide në Vlorë.
Këta e kanë mendjen te fushata, jo te detyra. Ne i paguajmë të na mbrojnë, ata na ekspozojnë ndaj rrezikut.
Sipas të dhënave, rreth 7 ton fileto pule të infektuara janë konsumuar tashmë nga qytetarët. Ndërsa pritej një alarm shtetëror, autoritetet heshtën. Jetojmë në zemër të Europës, por nuk dimë më çfarë hamë:
• Akullore me lëndë kancerogjene,
• Çokollata me copa metali.
Ne nuk kërkojmë kapituj negociatash, kërkojmë dollapë ushqimi të sigurt!
Kjo nuk është pasaportë për Europën, por pasaportë helmimi, mashtrimi dhe sëmundjeje.
Kërkesat tona janë të qarta:
• Hetim i plotë nga SPAK për këtë çështje, jo me tre punonjës që pastrojnë rrugët “në shërbim prove”, por nga koka jo nga zyrtaret ne fund te hierarkise.
• Hetim penal për të gjitha hallkat e përfshira: Autoritetet portuale, AKU, Ministria e Bujqësisë dhe çdo individ përgjegjës.
• Shkrirje e menjëhershme e AKU-së, si institucion që ka dështuar në mbrojtjen e konsumatorit.
• Krijimi i një Agjencie të re të Konsumatorit, të pavarur, te papolitizuar, të përgjegjshme dhe transparente.
Shëndeti i qytetarëve nuk është çështje statistike, por jetike. Përgjegjësit duhet të japin llogari./tpz