Pasiguria e të ardhmes politike të Netanyahut, shkak i përshkallëzimin të situatës në Gaza

Analistët palestinezë besojnë se vrasja nga Izraeli e komandantit të lartë ushtarak të grupit palestinez Xhihadi Islamik, Bahaa Abu al-Atta, i shërben qëllimeve politike, ushtarake dhe të sigurisë që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, synon t’i arrijë.

Mes pasigurisë së të ardhmes së tij politike, Netanyahu, i cili dështoi të formojë qeverinë dhe i cili përballet me akuza korrupsioni, ka interes të lartë për përshkallëzimin e situatës me Gazën, gjë për të cilët ata po ashtu u pajtuan.

Analistët të cilët folën me Anadolu Agency (AA) besojnë se zhvillimet në terren do të vendosin shkallën e përshkallëzimit, në varësi të aftësisë ushtarake të grupeve të armatosura palestineze dhe natyrën e përgjigjes ndaj atentatit.

Të martën, Izraeli njoftoi se vrau al-Attan në një sulm ajror në shtëpinë e tij në lindje të qytetit të Gazës, duke e akuzuar atë për kryerjen e sulmeve ndërkufitare dhe për planifikimin e sulmeve të tjera.

Vrasja e al-Attas përkoi me një tjetër përpjekje izraelite për atentat, që kishte në shënjestër anëtarin e grupit të Xhihadit Islamik në Damask të Sirisë, Akram al-Ajuri. Megjithëse al-Ajuri i mbijetoi sulmit ajror, djali i tij dhe një civil tjetër u vranë.

Atentati rrjedh nga interesat politike të Netanyahu-t

Adnan Abu Amer, një analist dhe ekspert palestinez në çështjet izraelite, thotë se koha e këtij atentati nuk ishte spontan dhe shton se atentati rrjedh nga interesat politike të Netanyahu-t.

“Të gjitha indikacionet thonë se Netanyahu sugjeroi atentatin për qëllime politike dhe zgjedhore”, thekson Abu Amer.

Abu Amer po ashtu thotë se al-Atta ishte në listën izraelite të të kërkuarve për vite me radhë, por Netanyahu këtë herë, sipas tij, zgjodhi të shërbejë për axhendën e tij politike dhe si rrugëdalje që ai të shpëtojë nga persekutimi për çështjet e tij të korrupsionit në rast se ai nuk arrin të udhëheqë ose të formojë qeverinë e ardhshme izraelite.

Mahmoud Mardawi, një analist palestinez, përmendi të njëjtat motive të Netanyahu-t.

“Pavarësisht konfirmimit nga shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Aviv Kochavi, se atentati ishte i bazuar në vlerësimet e sigurisë, aprovimi përfundimtar i një operacioni të tillë vjen nga Netanyahu si kryeministër”, tha Mardawi.

Sipas tij, Netanyahu nuk do ta aprovonte një operacion të tillë nëse nuk i shërbente qëllimeve të tij politike dhe zgjedhore në këtë kohë.

Mardawi sugjeron se Netanyahu dëshironte që ky atentat të hiqte qafe rivalin e tij politik, Benny Gantz.

Operacioni i derivuar nga siguria

Në kundërshtim të analizave të Abu Amerit, shkrimtari Said Besharat, thotë se Izraeli e kreu këtë operacion për qëllime të sigurisë. Besharat thotë se Izraeli beson që al-Atta është një i “autorizuar” iranian në Gaza, që duhet të neutralizohet.

Besharat beson se përpjekja e atentatit ndaj Akram al-Ahurit në Damask është në linjë me këtë vlerësim të sigurisë. Ai shton se Izraeli kreu dy përpjekjet e atentatit për një arsye, për t’u dhënë fund lëshimit të raketave nga Gaza.

Abu Ameri komentoi përkimin e dy përpjekjeve të atentatit në Gaza dhe Damask si diçka mahnitëse dhe theksoi se është e qartë që Izraeli është duke u përqëndruar në grupin e Xhihadit Islamik për të degraduar aftësitë e grupit dhe për ta detyruar atë të ndalojë lëshimin e raketave.

Ai pret që shënjestrimi i Xhihadit Islamik do të ketë pasoja “nëse grupi mendon se po shënjestrohet drejtpërdrejtë dhe kjo do përshkallëzojë situatën”.

Izraeli përpiqet të nxisë një “çarje” midis grupeve palestineze

Abu Amer thotë se Izraeli përpiqet të nxisë një “çarje” midis grupeve palestineze, meqenëse mediat izraelite pretendojnë se Hamasi dëshiron armëpushim, ndërsa Xhihadi Islamik jo.

Megjithatë, Abu Amer përjashtoi atë se Izraeli do të përfitojë nga kjo politikë, pasi ekziston një qëndrim i përbashkët palestinez ndaj pranimit të armëpushimit. Ai thotë se Izraeli po kërkon ta mbajë Hamasin jashtë konfrontimit aktual me Xhihadin Islamik.

Abu Amer pret se grupet palestineze të rezistencës nuk do ta lejojnë Izraelin të imponojë realitete të reja në terren.

“Ishte atentati i parë i shpallur zyrtarisht nga viti 2012 kur Izraeli vrau Ahmed al-Jabarin, i cili ishte i dyti në komandën e krahut ushtarak të Hamasit ‘Izz ad-Din al-Qassam’”, tha Abu Amer.

Po ashtu edhe Besharat përjashtoi se Izraeli do të kthehej në politikat e vrasjeve. Atentatin ai e konsideron si të fundit në një operacion të kufizuar dhe theksoi se nuk ka indikacione se Izraeli planifikon të vazhdojë atentate ndaj liderëve militantë.

Mardawi po ashtu mendon se zgjerimi i përshkallëzimit varet nga zhvillimet në terren në lidhje me natyrën e hakmarrjes palestineze ndaj vrasjes, si dhe me përgjigjen e Izraelit ndaj çdo veprimi ushtarak palestinez.

Për çështjen e përpjekjeve të ndërmjetësve për të vazhduar gjendjen e qetësisë në Gaza, Mardawi thotë se egjiptianët janë në kontakt të përhershëm me grupet palestineze për të shmangur çdo përshkallëzim që mund të çojë në një ofensivë të madhe.

Pas dy ditëve të përshkallëzimit të përgjakshëm izraelit, në Gaza dje u arrit një armëpushim.

Grupi i Xhihadit Islamik tha se do të përmbahet nga zjarri pasi Izraeli u pajtua me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti.

Përshkallëzimi i gjendjes në Gaza mori jetën e 34 palestinezëve, duke përfshirë tetë fëmijë dhe tre gra. Po ashtu mbi 110 persona u plagosën, përfshirë 46 fëmijë dhe 20 gra./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne