Pastorë në qeveri, “Islami politik” nën akuzë: Paradoksi i sekularizmit shqiptar

Një vend me shumicë myslimane, por me një klasë politike që shpesh duket e frikësuar nga identiteti i vet. Dhe sot, në heshtje, po shohim një fenomen që meriton debat serioz: emërimin e dy pastorëve ungjillorë në poste qeveritare, Toni Gogu dhe Ermal Nufi, në një shtet ku për vite me radhë çdo shprehje e të ashtuquajturit “Islam politik” është demonizuar.

Sepse ky fenomen nuk ka nisur sot. Ai ka rrënjë që nga regjimi komunist, kur Shqipëria i shpalli luftë fesë, por në thelb goditi më fort strukturën tradicionale islame si shtyllë identitare e shumicës. Komunizmi nuk shkatërroi vetëm xhamitë; ai prodhoi një elitë të shkëputur nga trashëgimia kulturore islame, një elitë që pas viteve ’90 e pa çdo organizim mysliman si kërcënim, ndërsa përqafoi me entuziazëm çdo ndikim të ri “perëndimor”, veçanërisht atë protestant-ungjillor.

Ndërsa ligjërimi publik ka qenë alergjik ndaj çdo reference myslimane në politikë – mjafton të kujtojmë se çdo artikull me referencë islame etiketohet menjëherë si “radikalizëm” – prania e figurave të formuara brenda strukturave ungjillore trajtohet si një çështje “normale”, madje progresive.

Nëse një vend me shumicë myslimane do të kishte dy imamë në qeveri, do të shpërthenin alarmet për “teokraci”, “fundamentalizëm” dhe “rrëshqitje nga lindja”. Por kur bëhet fjalë për pastorë, diskursi zhduket. Pse? Problemi duket se nuk është feja në vetvete, por cila fe dhe në cilin aks gjeopolitik vendoset ajo.

Ungjillizmi në Shqipëri historikisht është shoqëruar me mbështetje të fortë amerikane dhe rrjete perëndimore. Kjo e bën atë të pranueshëm për establishmentin. Kështu krijohet një politikë që toleron në mënyrë selektive një ndikim fetar dhe stigmatizon një tjetër.

Pastorët, si qytetarë, kanë të drejtë të angazhohen në politikë, ashtu si edhe figurat e klerit mysliman. Por një shoqëri serioze duhet të jetë koherente: ose feja në politikë është problem për të gjithë, ose për askënd.

Në të kundërt, rrezikojmë të riprodhojmë modelin e vjetër komunist në një formë të re – jo më ndalim të fesë, por kontroll ideologjik të saj, duke favorizuar një narrativë dhe duke frenuar një tjetër. Në fund, edhe atëherë, minoritetet e krishtera zinin shpesh pozicione brenda hapësirës së pushtetit.

Rreziku është që shteti të adoptojë një standard kulturor ku identiteti i shumicës trajtohet si barrë, ndërsa identitetet e tjera si asete strategjike. Kjo krijon një tension të heshtur, një ndjenjë përjashtimi simbolik që me kalimin e kohës prodhon krizë besimi ndaj institucioneve publike.

A është sekularizmi një parim barazie, apo një filtër që lejon vetëm ato shprehje fetare që përshtaten me një projekt politik?/mexhlis

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne