PD: Të arrestohet Dako, vërtetohet se ka bashkëpunuar me bandat

Përmes një deklarate për mediat, deputeti i PD, Flamur Noka tha se prokuroria duhet të arrestojë kreun e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, pasi sipas tij ka prova dhe vërtetohet se ai ka bashkëpunuar me bandat.

Noka tha se përgjimi i prokurorisë i publikuar dje nga emisioni “Të paekspozuarit” në News24 provon se Vangjush Dako ka patur komunikim të vazhdueshëm me organizatën që bënte trafik droge nga Amerika Latine në Europë.

“Përgjimet në dosjen 339 janë të plota dhe provojnë lidhjen e tij me bandën e Avdylajve, disa prej të cilëve janë në burg për trafik droge, si pjesë e të njëjtës dosje hetimore. Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda. Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi”- thotë ndër të tjera deputeti i PD.

Deklarata e plotë e Flamur Nokës:

Deklarata e Dakos është mashtrim i plotë, sic provohet nga një përgjim tjetër i prokurorisë që publikoi emisioni “Të paekspozuarit’.

Vangjush Dako ka patur lidhje me Avdylajt jo vetëm në fushatë elektorale, siç mashtron ai.

Përgjimi i prokurorisë i publikuar dje nga “Të paekspozuarit”, pjesë e dosjes 339, provon se Vangjush Dako ka patur komunikim të vazhdueshëm me organizatën që bënte trafik droge nga Amerika Latine në Europë.

Ky përgjim është bërë në shkurt të vitit 2017, 4 muaj para zgjedhjeve. Në këtë përgjim është është regjistruar një bisedë tjetër me Altin Avdylajn, Niçen e famshëm të blerjes së votave, që sot është në burg për trafik kokaine.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë nxjerrin në pah marrëdhënien e ngushtë të Vangjush Dakos me numrin dy të bandës së Avdylajve dhe gatishmërinë dhe garancinë për t’i mbaruar punë bandës.

Në këmbim, bandat kanë blerë vota, kanë kërcënuar zgjedhës për llogari të tepsisë së Edi Ramës.

Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë. Cdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët.

Mosarrestimi i Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar me mbështetje të organizatës kriminale të Rilindjes të drejtuar nga Edi Rama.

Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda.

Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi.

Ndodhemi para një momenti dramatik për fatin e drejtësisë dhe të vendit.

Nuk mund të ketë as drejtësi as paqe sociale, kur arrestohen dhe mbahen në burg ata që protestojnë për bukën e gojës dhe bredhin të lirë politikanë kriminelë si Vangjush Dako, vetëm pse gëzojnë mbështetjen e kreut të qeverisë.

Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne