Pendarovski: Mini-Schengen nuk është alternativë e BE-së

Integrimi evropian mbetet angazhimi afatgjatë i Maqedonisë së Veriut ndërsa integrimi evropian i rajonit është mënyra më e mirë për transformimin demokratik të shoqërive, deklaroi sot në Beograd presidenti i Maqedonisë së Veriut.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Pallatin “Serbia”, Pendarovski i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi tha se nuk ka asnjë alternativë tjetër të qëndrueshme për Maqedoninë e Veriut përveç anëtarësimit në BE.

“Unë do të theksoja qëndrimin e vendit tim se nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme përveç anëtarësimit në BE. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për këtë në planin afatgjatë”, tha Pendarovski.

Sipas tij, anëtarësimi në BE është i vetmi opsion i qëndrueshme edhe për Ballkanin Perëndimor. “Integrimi evropian i rajonit është mënyra e vetme për të mundësuar një atmosferë demokratike”, tha ai.

Siç deklaroi ai, “mini-shengeni” nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE.

“Mendoj se ‘mini-shengeni’, siç është menduar duhet të ndryshohet, sepse në këtë moment ka një dobësi strukturore, nuk i përfshin të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kur flas për shtete, nuk e kam ndërmend të ndërhyj në bisedimet e Beogradit dhe Prishtinës rreth statusit të ardhshëm të Kosovës. Unë mendoj se duhet të gjendet ndonjë zgjidhje, e cila mundet të gjitha, edhe Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi t’i kyç në ‘mini-shengen’. Vetëm ashtu do të kemi përfitime të gjithë që jetojmë në këtë rajon. Po e përsëris, pa paragjykuar rreth statusit ndërkombëtar të Kosovës”, shtoi Pendarovski.

Duke folur për çështjen e Kosovës, presidenti i Maqedonisë së Veriut shfaqi shpresën e tij se “me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të krijohen kushte për një përparim serioz në dialog dhe zgjidhje të qëndrueshme të çështjes”, tha ai, duke shtuar se zgjidhja duhet të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe nuk duhet të hyjë në çështje të vendeve të tjera të rajonit.

Ai po ashtu tha se marrëdhëniet ekonomike midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të mira, por se ende ka hapësirë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se ai ka folur hapur me presidentin e Maqedonisë së Veriut për të gjitha çështjet kryesore bilaterale si dhe për temat kryesore rajonale.

Ai tha se shkëmbimi tregtar midis dy vendeve vitin e kaluar ka qenë rreth 857.8 milionë euro ndërsa qëllimi është që të jetë afër 1 miliard euro në të ardhmen.

“Ne nuk kemi asnjë çështje tjetër të hapur, përveç dallimit në njohjen e Kosovës. Ne thjesht duam të ndërtojmë marrëdhënie më të ngushta miqësore”, tha Vuçiç.

Ai tha se është krenar për marrëveshjen e arritur në Ohër dhe Novi Sad, e cila i referohet “mini-shengenit” sepse është shumë e rëndësishme për mirëqenien e të dy vendeve dhe popujve dhe se është nisma më e rëndësishme e krijuar në rajon.

“Ne duam që Prishtina të hyjë, pa çështje të statusit, edhe Sarajeva edhe Podgorica. Ne do të përfitojmë shumë nga kjo”, tha ai.

Vuçiç shtoi se Serbia nuk ka kurrëfarë kërkesash as për Maqedoninë e Veriut, as për maqedonasit, vetëm se të dy vendet i kanë “shtrirë duart njëra-tjetrës”.

Presidenti serb tha se të gjithë presin të bëhen anëtarë të BE-së, por nuk është i sigurt se “BE dhe Brukseli e dinë saktësisht se çfarë duan nga ne”.

“Kjo nuk varet gjithçka nga ne, kështu që ne duhet të punojmë dhe të biem dakord se si do të shikojmë drejt së ardhmes dhe të shtyjmë tonën dhe të jemi sa më të suksesshëm, të lidhemi me njëri-tjetrin”, tha Vuçiç. (Agjencia Anadolli-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne