Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit

Vepra e Samiut “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” në rrafshin historik paraqet përbërësin e tretë të përhapjes së Islamit në botë përmes faktorit edukativo-arsimor dhe zhvillimit shkencor. Dituritë kanë qenë pjesë e pandarë e jetës islame dhe përparimit shoqëror gjatë historisë kulturore të Islamit 

Shkruan: Ismail AHMEDI, Prishtinë

Sami Frashëri është një nga personalitetet më të gjithanshme të shkencës shqiptare: filolog, letrar, historian, gjeograf, islamolog dhe publicist, që shkroi shumë vepra e në shumë gjuhë: shqip, turqisht, persisht, arabisht, frëngjisht, greqisht etj..

Duke punuar me zell dhe përkushtim të madh, ai arriti të jepte ndihmesën e tij shumë të çmueshme në fushat përkatëse. Por, jo vetëm kaq. Samiu, sa është i madh në kulturën shqiptare, po aq madhështor na paraqitet edhe në historinë e kulturave të popujve të mëdhenj: popullit turk, arab dhe francez. Në gjuhët e këtyre popujve ai shkroi një veprimtari të tërë shkencore në fusha të ndryshme.

Po të vështrohet me kujdes shumësia tematike shkencore, cilësia, vëllimi dhe gjuhët botërore në të cilat shkroi Samiu, atëherë s’është vështirë që ky personalitet të radhitet ndër dijetarët ndërkombëtarë me ndihmesë të çmuar në fondin shkencor botëror.

Sikurse shumë e shumë çështje shkencore që tërhoqën vëmendjen dhe interesimin e këtij dijetari të madh në fushën e shkencës së filologjisë, historisë, gjeografisë dhe publicistikës, Sami Frashëri ia kishte vënë vetes edhe një detyrë me përgjegjësi shkencore: të shkruante vepra edhe në fushë të islamistikës, me siguri jo rastësisht. Themi jorastësisht, sepse Islami – si fe progresive, me konceptime shkencore e humane – në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, në rrugën e zhvillimit të tij, shënon kundërshtime dhe qëndrime të paqena nga ana e disa figurave dhe organizmave perëndimorë, që nuk e lexojnë Islamin, e as duan ta njohin qëllimisht realitetin e tij. Të theksojmë se ndër shpifjet më të shpeshta ishte mënyra e përhapjes së Islamit në botë. Në këtë kontekst po hidhej shumë pluhur se përhapja e Islamit në botë është bërë në mënyrë të dhunshme etj. Sigurisht se këto shpifje dhe shumë të tjera si këto, gjithsesi joshkencore dhe jo të vërteta, nuk mund të mbeteshin larg kureshtjes shkencore të një dijetari të tillë të madh, siç ishte Sami Frashëri.

Në fushën e islamistikës Samiu shkroi dy vepra: Medeniyyet-i-Islamiyye (Qytetërimi Islam) dhe Him-metu-l-Himam fi neshri-i-Islam (Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit). Këto dy vepra janë të vetmet të botuara në fushën e islamistikës, por jo edhe të vetmet të shkruara në këtë lëmë. Të theksojmë po kështu se të dyja veprat janë shkruar me të njëjtat synime e me kritere identike. Me përmbajtjen shumë të pasur e të ngjeshur, këta dy manualë mbeten vepra themeli për cilindo që ka nevojë të njihet me realitetin historik dhe kulturor të qytetërimit Islam.

Sami Frashëri, ky dijetar monumental shqiptar, që shkroi vepra enciklopedike, krijoi aq hapur, qartë e fuqishëm, edhe vepra të tjera me tematikë letrare e artistike islame si: Ali ibn ebi Talib’in esh’ari muntehabesi (Poezi të zgjedhura të Ali ibn ebi Talibit) e hartuar më 1902. Kjo është një antologji poetike e përgatitur dhe e përkthyer nga arabishtja në osmanisht nga Sami Frashëri. Në gjuhën osmane-turke Samiu përktheu po kështu veprën Fjalime, shkresa dhe fjalë të urta po të Ali ibn ebi Talibit. Këtë përmbledhje prozash me përmbajtje mistike islame të titulluar “Rruga e retorikës” e kishte përgatitur qysh në shek. XI shkencëtari i njohur Essejjid Eshsherif Er-Rida. Këto dy vepra, më vonë, patën një ndikim të madh në krijimtarinë letrare shiite dhe të tarikateve të tjera të ndryshme, respektivisht të letrarëve mistikë islamë. Vepra Himmetu-l- Himam fi neshri-l-Islam (Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit), e cila është objekt i trajtimit të këtij punimi, është botuar në shtypshkronjën “Mihran” në Stamboll më 1884. Samiu e shkroi këtë libër në gjuhën arabe dhe, për sa kemi njohuri, ndoshta është i vetmi libër i autorit në këtë gjuhë. Libri ka 29 faqe tekst dhe dy faqe të tjera përcjellëse me shënime bibliografike, të cilat autori i kishte hartuar vetë. Veprën Himmetu-l- Himam fi neshri-l-Islam e kemi të përkthyer në shqip, të plotë dhe pa ndryshime, sepse vetëm kështu mund të kuptohen drejt pikëpamjet e Samiut në fushën e islamistikës. Librin e botoi Logos-A në Shkup më 2003.

Studiues i veçantë në fushat e shkencave islame

Nëse e kemi parasysh përgatitjen shkencore, si dhe njohjen e shkëlqyer të gjuhëve të orientit: arabishtes, turqishtes e persishtes, atëherë kuptohet se ç’dije mori Samiu në të ri të tij dhe sa të mëdha ishin aftësitë e tij studiuese në fushat e shkencave islame. Kjo shpjegohet jo vetëm me faktin se libri “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” është e para vepër e plotë e Samiut që trajton shkencërisht procesin e përhapjes së Islamit në botë, por edhe me faktin se libri përbën një thesar shumë të pasur e burimor, që shërben për të përcaktuar kronologjinë e drejtë të përhapjes së Islamit. Libri dallohet për vështrimin e qartë, objektiv e të guximshëm, për njohjen e drejtë të çështjeve islame dhe problemeve me të cilat ballafaqohej Islami në botë gjatë shek. XIX.

Titulli i librit “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” e shpie lexuesin menjëherë te rrethanat historike të përhapjes së Islamit. Po kështu vepra në mënyrë të qëlluar hapet me ajetin e Kuranit: “Feja e vërtetë te Allahu është Islami” (Kur’ani 3;19). Me këtë ajet kuranor Samiu vë në dukje se Islami si nocion dhe si fe është shumë i hershëm, si dhe fetë e shpallura, marrë së bashku, kanë një burim dhe një themel të vetëm.

Për ta kuptuar drejt dhe në thellësi procesin e zhvillimit të përhapjes së fesë Islame nëpër shekuj, peripecitë përmes të cilave kanë kaluar myslimanët, Samiu në këtë vepër vë në spikamë dy çështje të rëndësishme: e para, raportin historik midis feve monoteiste gjatë zhvillimeve historike, për ta ndriçuar kronologjinë e shfaqjes së një vargu çështjesh që shkaktuan, në mes të pjesëtarëve të feve të një burimi, plagët më të rënda në historinë e njerëzimit, siç ishin veprimet tragjike që përjetuan myslimanët në Spanjë, Portugali, Sicili e gjetiu, si shkatërrimet materiale dhe fizike të mongolëve në Lindje, për të cilët Samiu thotë: “Derdhja e gjakut dhe shkatërrimi ishin pjesë e shpirtit të tyre”. Dhe, çështja e dytë, me këtë ajet kuranor Samiu po kështu i drejtohet njerëzimit për të provuar që të prekë ndërgjegjen e tyre dhe të tregojë se midis feve burimisht ka pajtueshmëri dhe ato në themel sjellin porosinë e tyre humane të përbashkët. Jo pa qëllim autori e vendosi këtë ajet kuranor pikërisht në fillim të veprës, duke i cilësuar, me të drejtë, veprimet antinjerëzore kundër myslimanëve si veprime që janë në kundërshtim të plotë me parimet fetare, morale dhe njerëzore te të gjitha fetë e shpallura.

Pikëpamjet e Samiut për krijimin e veprës “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit”, rrjedhimisht, kanë në themel tre përbërës të rëndësishëm, që ishin të tre jetike për myslimanët dhe për botën e përparuar: përhapja e Islamit në mënyrë jo të dhunshme, pranimi i Islamit në mënyrë vullnetare dhe shkenca dhe dituria si pjesë të pandara të konceptimit Islam. Sajimin e këtyre faktorëve kaq të rëndësishëm për vlerësimin e drejtë të ecurisë së procesit historik të përhapjes së Islamit Samiu ia kishte vënë vetes për shkak të nevojës së madhe që kishte ndriçimi i këtij projekti hyjnor dhe denoncimi i të pavërtetave rreth Islamit, që po përhapeshin në kohën e tij.

Qysh në faqet e para të librit autori e vë në shqyrtim, në rrafshin historik, përhapjen e Islamit në mënyrë jo të dhunshme, duke filluar me arabët, dhe më pastaj këtë fenomen Samiu e shtjellon edhe tek popujt e tjerë që e pranuan Islamin. Pasi thekson lashtësinë e popullit arab, Samiu shton: “Arabët, në periudhën parakuranore, kanë qenë të ndarë në fise, të përçarë dhe në luftëra të vazhdueshme”. Në disa vija të përgjithshme këtu, por të hequra me dorë mjeshtri, autori jep tablonë e jetës pagane të popullit arab, një jetë plot vuajtje shpirtërore, sociale, ekonomike dhe fizike. Konsolidimin e popullit arab Samiu e sheh në saje të fesë Islame, e cila krijoi unitetin kombëtar, fetar dhe intelektual. Në këtë mënyrë, vëren autori, Islami prej tyre krijoi një popull të bashkuar, një fuqi të madhe shtetërore dhe intelektuale, që mëtonte zgjerimin e kufijve dhe përhapjen e qytetërimit Islam pa dhunë. Pas këtyre përgjithësimeve, Samiu futet në thelbin e problemit. Ai, me një frymë polemizuese, u përgjigjet shumë dilemave që ishin vënë në qarkullim në kohën e tij, si: Në ç’mënyrë është përhapur Islami në botë?; A ekziston shkencë islame?; Mënyra vullnetare e pranimit të Islamit? etj. Të gjitha këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave të ngjashme, që nuk i theksuam këtu, Samiu u përgjigjet në mënyrë shumë të guximshme dhe të argumentuar. Po përmendim shkurtazi disa prej tyre. Tezën e një grupi të dijetarëve evropianë, që përpiqeshin të shpifnin se Islami është përhapur dhunshëm në botë (të konstatojmë se mendime të tilla, mjerisht, ka edhe sot në botën shqiptare) Samiu e hedh poshtë kategorikisht. Këtë e argumenton me faktin se Islami, në të vërtetë, filloi të përhapej së pari në Siujdhesën Arabe, më saktë nga qyteti i Medines qysh në shek. VII nga dora e parë e Pejgamberit a.s., i cili i mblodhi rreth vetes ato fise nomade të vuajtura e të përçara, që ishin në luftë të përhershme ndërmjet tyre. Islami krijoi tek ata një vetëdije humane, një entuziazëm të ri shoqëror, kulturor dhe shpirtëror. Ky konceptim i këtij rendi të ri shoqëror është fryt i fesë islame dhe është paraqitur bashkë me paraqitjen e Islamit. Ata që dëshirojnë të shpifin se Islami është përhapur me dhunë – thekson Samiu – harrojnë se brenda një kohe shumë të shkurtër Siujdhesa Arabe ishte e ngushtë për Islamin e padhunshëm që zgjerohej gjithandej viseve të Shamit, Irakut, Persisë dhe, më pastaj, Egjiptit dhe Afrikës.

Islami nuk preku identitetin etnik e as gjuhët e popujve që kaluan në Islam

Samiu i kundërvihet vendosmërisht edhe një grupi tjetër të dijetarëve evropianë, të cilët mendonin, po kështu, për përhapjen e Islamit në mënyrë të dhunshme. Sipas Samiut, brenda kësaj arkitekture të re të gjeografisë së shtrirjes së shtetit Islam jetonin kombe dhe popuj të ndryshëm, si: asirët, kildasit, persët, koptët dhe berberët. Këta, të gjithë së bashku – thotë Samiu – kaluan në Islam në mënyrë vullnetare dhe filluan të mësonin e ta lexonin arabishten për ta njohur fenë e tyre të re në mënyrë burimore. Po t’u qasemi me vëmendje rrethanave historike të këtyre shekujve, si dhe shumë veprave që e trajtojnë procesin e përhapjes së Islamit, do të kuptojmë – thotë autori – se Islami nuk preku identitetin etnik e as gjuhët e popujve të cilët kaluan në Islam. Në të vërtetë, theksimet e atyre që mendojnë për përhapjen e dhunshme të Islamit janë të paqena dhe shpifje kundër Islamit. Meritat për këtë fenomen historik u përkasin vlerave njerëzore, morale dhe rendit të ri që solli feja Islame – konstaton Samiu.

Për të treguar një përbërës tjetër të përhapjes së Islamit, Samiu, në veprën “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” nxjerr në dritë një realitet shumë të rëndësishëm. Fjala është për fenomenin e përhapjes së Islamit vetvetiu. Lidhur me këtë realitet historik, Samiu, në vazhdim të veprës thekson: “Përhapja e Islamit ka edhe një të vërtetë tjetër të rëndësishme, të cilën e kanë fshirë historianët. Është ky realiteti i përhapjes së fesë Islame vetvetiu. Në këtë proces të pranimit të Islamit vullnetarisht, te popujt e papushtuar nga ndonjë shtet, apo forcë islame, siç janë afrikanët kudo rreth meridianit ekuatorial, shumica e banorëve të ujdhesave oqeanike, pjesa më e madhe e kinezëve etj., autori në këtë hapësirë gjeografike sheh një forcë lëvizëse të fuqishme, që bëri të mundur shtrirjen e këtij projekti kaq madhor.”.

Për sa i përket përhapjes së Islamit në mënyrë vullnetare, pas një krahasimi të thelluar e të gjithanshëm në mes të Islamit dhe Krishtërimit, Samiu konstaton se feja islame, ndryshe nga Krishterimi, është përhapur vetvetiu, pa përdorimin e forcës dhe pa përdorimin e misionarëve të organizuar enkas për këtë qëllim.

Këtë konstatim Samiu e mbështet me faktin se në shumë vende, si p.sh. në Afrikën e Ekuadorit, në Ujdhesat e Paqësorit etj., në të cilat, sado që nuk kanë qenë fare nën juridiksionin e shtetit Islam, feja islame është përhapur vetvetiu gjithnjë e më tepër. E, duke folur për vlerën e pranimit të Islamit në mënyrë vullnetare, Samiu pohon: “Me pranimin e Islamit, zbukurohet vendi dhe rritet integriteti i njerëzve. Ata marrin pamjen e një njeriu të përsosur. Kjo edhe është njëra nga përbërësit e Islamit dhe fryteve të besimit. Kështu një popull pagan, pjesëtarët e të cilit ishin zhveshur nga vlerat njerëzore, hanin mishin e njeriut, jetonin në luftë nëpër male sikurse kafshët, vrisnin të huajin dhe udhëtarin për t’i ngrënë, bënin prostitucion, jepnin nderin e bashkëshorteve dhe bijave të tyre, nuk punonin e as fitonin, por vidhnin e grabitnin. Mirëpo, pasi pranuan Islamin, ndryshuan dhe kështu ndryshoi mendësia e tyre. Tashmë janë njerëz që bëjnë jetë të qytetëruar, të pajisur me vlera të mirësisë dhe edukatës, janë të zotët e nderit dhe të bujarisë. E nderojnë mikun dhe sigurojnë jetesën nga dora e tyre. Fillojnë të mësojnë shkrimin e leximin. Merren me punë dhe zeje. Ai që i sheh në këtë gjendje, patjetër do t’u ketë lakmi. Ndërkaq, ata që i kanë parë përpara se ta pranonin Islamin, do ta mohonin që këta janë po ata njerëz, të cilët i kishin parë dikur. Ata duken sikur të ishin errur kafshë, por të jenë gdhirë njerëz”. (Vepra, Përpjekjet e heronjve. f. 28). Këtë komponent përbërëse të përhapjes së Islamit vetvetiu autori e përfundon me konstatimin se: “Islami është përhapur menjëherë dhe me lehtësi të madhe, pra duke mos kundërshtuar, duke mos sakrifikuar jetë dhe duke mos krijuar fatkeqësi, sepse mbështetet pikërisht në mësimet e Kuranit”.

Më tej, vepra e Samiut, “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” në rrafshin historik paraqet përbërësin e tretë të përhapjes së Islamit në botë përmes faktorit edukativo-arsimor dhe zhvillimit shkencor. Dituritë kanë qenë pjesë e pandarë e jetës islame dhe përparimit shoqëror gjatë historisë kulturore të Islamit. Sa më lart të ngrihet njeriu dhe shoqëria në shkallën e arsimit dhe emancipimit, aq më i përsosur është besimi, aq më intensiv bëhet përparimi i diturive. Ky është mesazhi i vërtetë i Islamit për mësimin, leximin dhe qytetërimin shpirtëror e fizik, i mbështetur në mësimet e Kuranit (Lexo, Kur’ani, 96:1) dhe të Pejgamberit a. s., i cili urdhëron: “Kërkoni diturinë nga djepi deri në varr”. Ky konceptim edukativ, sa emancipues po aq dhe njerëzor, gjeti mirëkuptim në tërë shtetin islam dhe më gjerë. Kurani famëlartë e ngriti shkencën në nivelin më të lartë dhe këtë e pohojnë dhjetëra ajete, në të cilat theksohet roli i diturisë dhe i njohurive shkencore. Kjo mbështetje kaq e fuqishme e Islamit ndaj diturisë dhe shkencës krijoi mundësi shtesë për përhapjen e këtij rendi të ri shoqëror në mënyrë shumë më të shpejtë.

Osmanët – forcë e re në kuadër të procesit historik të përhapjes së Islamit

Për të treguar shkallën e emancipimit të myslimanëve në botë, Samiu në vazhdim të veprës (Përpjekjet e heronjve f. 20) bën fjalë për arritjet shkencore të tyre në fusha të ndryshme, duke konstatuar: “Myslimanët, pasi përfunduan me çlirimet, filluan të merren me shkencë dhe të përsosen në mjeshtëri. Ata nuk u kufizuan vetëm në shkencat fetare, me të cilat kuptoj,: tefsir, hadith, fikh dhe letërsi, por fuqinë krijuese e orientuan drejt shkencave filozofike. Këtë e bënë duke u mbështetur në fjalët e Pejgamberit a.s: ‘Kërkoni diturinë qoftë edhe në Kinë’. Po ashtu filluan të mbledhin veprat e filozofëve grekë, indianë e persianë, dhe i përkthyen në gjuhën arabe. Hapën shumë shkolla në Bagdad, Egjipt, Buhara, Kordovë dhe në vende të tjera të shtetit (islam). Studentë nga të gjitha anët e botës vinin në këto shkolla për të mësuar shkencat tradicionale dhe filozofike. Në këtë mënyrë, në mesin e myslimanëve, u krijuan shkencëtarë e filozofë, të cilët bënin gara me filozofët e vjetër grekë. Dijetarët islamë i tejkalonin (ata) në çdo fushë, si në: filozofi, mjekësi, astronomi dhe në shkencat matematike-natyrore. Sigurisht se numri i shkencëtarëve dhe i filozofëve myslimanë, që krijuan në këto fusha, është aq i madh, saqë nuk mund të përfshihen të gjithë emrat e tyre në këtë libër xhepi, ndërsa veprat e tyre as që mund të numërohen. Kjo gjendje vazhdon kështu rreth gjashtë shekuj.” thotë Samiu. Porositë dhe mësimet që dalin nga diskursi tematik i përhapjes së Islamit, në këtë vepër, janë si një përmbledhje e gjithë veprës së tij, janë porosi kulmore e idealeve të gjithë jetës së autorit. Prej tyre del një thirrje e fuqishme për përsosjen e njeriut dhe progresin e shoqërisë nëpërmjet idealit të Islamit, i cili historikisht i ka emancipuar popujt gjithandej ku ka vepruar, si në Lindje e Azi, ashtu edhe në Evropë.

Sami Frashëri, pasi që trajton tre përbërësit kryesorë të përhapjes së Islamit dhe shkallën e zhvillimit shkencor dhe qytetërues të botës islame, të mbështetur mbi konceptimin islam, kalon në shqyrtimin e rënies së këtij shteti duke thënë: “Pas këtij zhvillimi kulmor të shtetit islam, sulmet mongole nga Lindja dhe ato evropiane nga Perëndimi për shtetin qenë fatale. Qendrat islame në Lindje, të cilat kishin bërë emër shumë të madh, u përfshinë nga flakët e Xhingiz Hanit, pa asnjë të drejtë dhe pa asnjë arsye”. Kurse evropianët në Spanjë – vazhdon Samiu – dogjën e vranë deri në atë shkallë, sa s’mbeti thuajse asgjë nga veprimtaria e myslimanëve. Këtë realitet të hidhur që përjetuan myslimanët nëpër shekuj Samiu e shpjegon me dobësimin e kryeqendrës islame kundrejt fuqive evropiane në Perëndim dhe atyre mongole në Lindje.

Duke i bërë një analizë kësaj gjendjeje të përgjithshme, Samiu nuk e vështron rënien e Shtetit islam thjesht si humbje të veçantë, duke konstatuar: “Ngadhënjimtarët kundër myslimanëve në të vërtetë humbën për arsye se myslimanët humbën viset perëndimore: Spanjën, Sicilinë, ndërkaq fituan dyfish në Indi, në Kinë, në ujdhesat e Paqësorit, në vendet zezake në Afrikë, në viset sllave e deri te ujdhesat e Krimesë. Pas këtyre dyndjeve të mëdha që kishin ndodhur, dhe copëtimit të Shtetit islam, shfaqjen dhe më vonë konsolidimin e halifatit osman në Lindje, Sami Frashëri e sheh si plotësim të hallkës së këputur të qeverisjes unike islame në botë, ndërkaq orientimin e tyre drejt Evropës e konsideron një rifillim të rëndësishëm gjeostrategjik të shtrirjes së Islamit edhe në këto vise, për të konstatuar se: atë që e humbi Shteti Islam në Evropën Perëndimore (Spanjë, Portugali, Itali dhe Francë), do ta kompensojë halifati osman, tanimë në drejtim të Evropës Juglindore”. Në vazhdim të veprës “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” Sami Frashëri e trajton praninë osmane në Evropë si një forcë të re në kuadër të procesit historik të përhapjes së Islamit.

I mbrujtur nga një kulturë e gjerë e historisë islame, nga njëra anë, dhe rrethana të tjera të kohës, që po kalonte shteti islam në Lindje, nga ana tjetër, Samiu në këtë vepër shfaqjen e halifatit osman në pjesën evropiane e sheh në kontekstin e krijimit të një rendi të ri shoqëror me tipare humane, sociale dhe kulturore. Përveç kësaj – thotë Samiu – në këtë kohë të trazirave të mëdha shpirtërore e fizike, myslimanët kishin nevojë për një udhëheqës që do t’i bashkojë dhe drejtojë ata dhe kjo u arrit me shfaqjen e shtetit osman. Duke folur për tiparet njerëzore të drejtuesve të halifatit osman, Sami Frashëri, ndër të tjera, shkruan: “Personalitetet e këtij halifati njiheshin si trima, fetarë të denjë, të drejtë dhe objektivë. Nuk bënin krime e as gjakderdhje pa arsye, ashtu siç kishin vepruar shumica e grupeve sunduese. Vështirësitë e rrugës i përballuan vetëm me qëllimin e përhapjes së Islamit, mbrojtjes së myslimanëve dhe madhërimit të Fjalës së Allahut xh.sh.”

Libri “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit” vazhdon me një cikël të veçantë, ku autori ndriçon shtrirjen osmane në viset evropiane, për realizimin e asaj porosie Islame që e kishte marrë përsipër halifati osman: “Në ato beteja u paraqitën të përgatitur për luftë dhe thyen Bizantin e zunë viset e Anadollit në tërësi. Brenda një kohe të shkurtër e kaluan detin dhe shkelën në tokën e Evropës, duke çliruar Rumelinë”. Në rrafshin tjetër interpretues, autori vijëzon idealin e vërtetë të këtij halifati: “Tashti Islamit iu hapën mundësi të reja shtrirjeje”. (Përpjekjet e heronjve, f. 24 )

Në këtë vepër, që temë themelore e ka mënyrën e shtrirjes së Islamit, Sami Frashëri, në shkrimin e mësipërm, me një qartësi të veçantë shqyrton çështje të lidhura me historinë e vërtetë të përhapjes së Islamit. Për ta shpjeguar konceptin e vet për këtë proces kaq të rëndësishëm, ai sajon tezat kryesore që mundësuan realizimin e këtij projekti hyjnor në botë. Shihet qartë se Sami Frashëri ka një vizion të gjerë për historinë, gjeografinë, filozofinë e mendimit islam. Tezat e pikëpamjet, përgjithësisht, janë të argumentuara shkencërisht. Ato janë shtjelluar në mënyrë origjinale dhe shumë teza e pikëpamje ruajnë vlera aktuale./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne