Pendarovski: Nuk ka nevojë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar se nuk ka nevojë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, ndërkohë që nesër më 13 qershor përfundon gjendja e jashtëzakonshme e shpallur për herë të parë më 18 mars për të luftuar koronavirusin e ri (COVID-19).

Së fundmi më 30 maj, presidenti Pendarovski zgjati gjendjen e jashtëzakonshme për 14 ditë për të ndihmuar në realizimin e masave për menaxhimin me krizën e COVID-19. Vendi është në gjendje të jashtëzakonshme që nga 18 marsi ndërsa ajo përfundon nesër, më 13 qershor.

Në një konferencë për media, Pendarovski tha se sipas informacioneve nga qeveria së fundmi janë siguruar sasi të mjaftueshme të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse, si dhe janë ndërmarrë masa ekonomike në mbrojtje të ekonomisë kombëtare, gjë e cila, siç tha ai, flet mbi atë se qeveria nuk paraqiti kërkesë formale për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Duke marrë parasysh arsyet që shpalla gjendjet e jashtëzakonshme të mëparshme, mendoj se në këtë moment nuk ka nevojë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme të re”, deklaroi presidenti Pendarovski.

Lidhur me krahasimet në opinion mbi atë se aktualisht shifrat ditore të rasteve të zbuluara me COVID-19 në vend janë më të larta nga ato më herët kur u shpall dhe u vazhdua gjendja e jashtëzakonshme, Pendarovski tha se ato janë “të pabaza” dhe se “në asnjë rast gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall për ato arsye”.

Sipas tij, për masat ‘ora policore’, ‘karantinë’ apo ‘gjendje krize’ në pjesë apo në mbarë territorin e vendit ka legjislacion dhe nuk ka nevojë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për t’i ndryshuar ato masa.

Maqedonia e Veriut funksionon pa Kuvend dhe me një qeveri teknike, mandati i së cilës u votua për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kuvendi u shpërnda në muajin shkurt për të organizuar zgjedhjet parlamentare më 12 prill, por ato u prolonguan për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Edhe pse ditëve të fundit numrat në baza ditore të të prekurve me COVID-19 tejkalojnë shifrën 100, partitë në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), mendojnë se zgjedhjet duhet të mbahen më 5 korrik, ndërsa nga opozita ende nuk kanë dalë me qëndrim për ndonjë datë.

Mbi mbajtjen e zgjedhjeve, Pendarovski theksoi se zgjedhjet mund të mbahen edhe gjatë kohës kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme, por se qeveria në rregulloren e procesit zgjedhor duhet të theksojë se “afatet e zgjedhjeve rrjedhin edhe gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme”, pasi aktualisht është e shkruar se “afatet e zgjedhjeve vazhdojnë pas gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Zgjedhjet janë të nevojshme edhe në kohën e koronavirusit, e cila nuk do të kalojë së shpejti, për të pasur parlament funksional në vend të atij të shpërbërë si dhe qeveri legale dhe legjitime në vend të asaj teknike”, u shpreh Pendarovski.

Ai u bëri thirrje partive në pushtet dhe opozitë të bien dakord për datën e mbajtjes së zgjedhjeve si dhe të përgatiten protokolle të veçanta për votim të sigurtë të qytetarëve dhe për anëtarët e bordit zgjedhor të vëzhguesve vendas dhe të huaj.

“Nëse ndodh që nuk biem dakord për proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës, kjo do të thotë hyrje në një krizë të thellë politike. Nëse e shohim rajonin më të gjerë në të cilin ndodhemi dhe përpjekjet për destabilizimin e tij përmes kërcënimeve hibride dhe lajmeve të rreme ne nuk mund ta përjashtojmë se drejtësia dhe kriza politike nuk do të ndikojnë në çështjen e sigurisë”, potencoi Pendarovski.

Së fundmi, autoritetet shëndetësore të vendit njoftuan se Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve të fundit regjistroi 124 raste të reja të zbuluara me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të zbuluara në 3.701, prej të cilëve deri më tani 171 kanë vdekur dhe 1.694 janë shëruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne