IKMT rrafshon 23 objekte në Velipojë, pronarët: Aksioni dëmton turizimin

Pas aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në plazhin e Velipojës, nga pamjet shihet se kanë mbetur vetëm gërmadha.

Fadromat e IKMT-së rrafshuan 23 objekte pa leje.

Edhe pse tashmë i kanë humbur bizneset, pronarët thonë se nuk kanë pasur asnjë njoftim për këtë aksion. Sipas tyre, ky është një sulm ndaj turizmit në Velipojë.

“Kemi 20 vite që derdhim mundin këtu, shpresoj të ketë një drejtësi. Nuk kishte asnjë lloj njoftimi”, u shpreh një pronar i biznesit të prishur.

Kundër aksionit kanë dalë dhe banorët e huaj që jetojnë në Velipojë. Për ta është e paimagjinueshme që aksionet të zhvillohen në sezonin veror.

“Kjo nuk është normale, nuk mund të bëhet kjo në fillim të sezonit turistik. Unë jam nga Norvegjia dhe është viti i 6 që jetoj në Shqipëri. Kjo ndërhyrje në fillim të sezonit dëmton turizmin, dhe këtë bregdet të mrekullueshëm. Është një shkatërrim”, u shpreh ai.

Pas aksionit kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka kërkuar nga Prokuroria nisjen e hetimeve. Sipas saj, aksioni është i paligjshëm. Këtë shqetësim Ademi ia ka përcjellë ambasadës së ShBA dhe Bashkimi Europian.

Aksioni i IKMT u kundërshtua nga pronarët. Ata u përplasën me policinë e cila përdori spraj me piper për ti shpërndarë./abcnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne