Pentagoni do të dërgojë ushtrinë amerikane në kufirin meksikan

Pentagoni do të dërgojë ushtrinë amerikane në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, tha një zyrtar i SHBA-së pasi Presidenti Donald Trump deklaroi se ushtria amerikane do të përdoret për të trajtuar dhe ndalur një “emergjencë kombëtare” në kufi.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari tha se trupat do të përdoreshin kryesisht për të ofruar mbështetje logjistike duke përfshirë tenda, automjete dhe pajisje.

Sipas një burimi të cituar nga Associated Press, Sekretari i Mbrojtjes Mattis pritet të nënshkruajë një urdhër për të dërguar të paktën 800 trupa në kufi.

Lajmi vjen pasi presidenti Donald Trump tha më parë të enjten se ai do ta nxirrte ushtrinë amerikane për të mbrojtur kufirin e SHBA-së pasi një karvan emigrantësh nga Amerika Qendrore po vazhdonte një udhëtim të ngadalshëm nëpërmjet Meksikës drejt Shteteve të Bashkuara.

Përkundër rritjes së zemërimit ndaj Trumpit, mijëra burra, gra dhe fëmijë të Amerikës Qendrore që duan të shpëtojnë nga dhuna, varfëria dhe korrupsioni qeveritar në vendet e tyre të origjinës e kanë vazhduar udhëtimin drejt kufirit të largët të SHBA-së. Nën një hënë të plotë herët të enjten, ata dolën nga Mapastepeci, afër kufirit me Guatemalën në Meksikën jugore. Një zyrtar i qytetit tha se kishte pasur 5,300 emigrantë në Mapastepec të mërkurën mbrëma.

Një grup i dytë me më shumë se një mijë njerëz ka filluar një udhëtim të ngjashëm nga Guatemala.

“Do ta nxjerr ushtrinë për këtë emergjencë kombëtare, ata do të ndalen!” shkroi Trump në Twitter duke iu referuar emigrantëve.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Pentagonit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi komentet e Trumpit lidhur me vendosjen e ushtrisë dhe emergjencën kombëtare.

Trump ka vendosur një vijë të ashpër për emigracionin ligjor dhe ilegal që kur u bë president vitin e kaluar. Të hënën, Trumpi tha se i kishte alarmuar patrullat e kufirit dhe ushtrinë amerikane se karvani i emigrantëve ishte një emergjencë kombëtare.

Një zëdhënës i Pentagonit tha të hënën se ndërsa trupat e Gardës Kombëtare po mbështesin Departamentin e Personelit të Sigurisë Kombëtare në kufi, Departamenti i Mbrojtjes nuk ishte kërkuar që të ofronte mbështetje shtesë.

Trump dhe republikanët e tij kanë kërkuar që karvanin dhe emigracionin ta bëjnë çështje madhore përpara zgjedhjeve të 6 nëntorit në Kongres, në të cilat partia po përpiqet të mbajë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Nuk është dicka e re për Trumpin, i cili premtoi gjatë garës presidenciale të vitit 2016 se do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit jugor SHBA-Meksikë. Megjithatë premtimi i fushatës së tij ka qenë i ngadalshëm që të materializohet edhe pse partia e tij kontrollon Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë.

Në prill, i irrituar nga mungesa e përparimit të murit, Trump urdhëroi Gardën Kombëtare për të ndihmuar në sigurimin e kufirit në katër shtete jugperëndimore. Aktualisht janë 2.100 trupa të Gardës Kombëtare përgjatë kufijve të Teksasit, New Mexicos, Arizonas dhe Kalifornisë.

Gjithashtu në muajin prill, Trump ngriti mundësinë e dërgimit të forcave ushtarake aktive në kufi për të bllokuar imigracionin e paligjshëm, duke ngritur pyetje në Kongres dhe midis ekspertëve ligjorë rreth vendosjes së trupave në tokën amerikane.

Një ligj federal që daton që nga viti 1870 kufizon përdorimin e Ushtrisë dhe degëve të tjera kryesore të ushtrisë për zbatim të ligjit civil brenda në tokën amerikane përveç nëse autorizohet posaçërisht nga Kongresi. Megjithatë ushtria mund të ofrojë shërbime mbështetëse për zbatimin e ligjit dhe ka vepruar kështu që nga viti 1980.

Disa statute të veçanta autorizojnë presidentin për të vendosur trupa brenda Shteteve të Bashkuara për kontrollin e trazirave ose përpjekjet për lehtësim në fatkeqësitë natyrore./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne