Rajoni Shqiperia

Për herë të parë hapet Zyra Doganore e Kosovës në Durrës

Me një ceremoni organizuar me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës është hapur për herë të parë Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, si dhe ministra të kabinetit qeveritar nga të dy vendet.

Kryeministri Rama e cilësoi një ditë të shënuar në rrugën e afrimit të pandalshëm mes Shqipërisë dhe Kosovëssi dhe  theksoi se kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve shpejton lëvizjen e mallrave në tërësi dhe e “kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi formal”.
“…Dogana e Kosovës, këtu në Durrës, është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shkurtimi i burokracive, i orëve të pritjes, të kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset, janë efekti i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj zyre doganore….”.

Më tej Rama tha se: “…Vazhdimi i këtij procesi me vendosjen e të njëjtit standard në të gjitha pikat doganore, jo vetëm për Kosovën në Shqipëri, por edhe për Shqipërinë në Kosovë është objektivi afatshkurtër”.
Njohja reciproke e dy sistemeve doganore, agjentëve doganorë online, mundësimi i kryerjes së procedurave doganore duke shfrytëzuar teknologjinë dhe realizmi i qëllimit të një administrate doganore, e cila edhe pse ka dy koka funksionon si një trup i përbashkët në shërbim të sipërmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë përbën një lajm të rëndësishëm për gjithë sipërmarrjen”, – shtoi Kryeministri.

Ndërveprimi i sistemeve që do të fillojë që sot, sipas Ramës, nuk do të zgjasë më shumë se pak minuta për çdo procedurë. “Ne hyjmë në një proces që pashmangshmërisht na çon te bashkimi doganor dhe i tregjeve, bashkimi i plotë i një hapësire tregtare ku përfitojnë të gjithë dhe shumë më tepër”, – theksoi ai.

Duke u ndalur te volumi i shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, Rama tha se “…shifrat flasin për një rritje të konsiderueshme prej thuajse 62 milionë euro. Kjo nuk është një vlerë për t’u krenuar, pasi në raport me ambiciet që kemi shifrat janë larg dhe potenciali i përbashkët është shumë më tepër se kaq, por janë më tepër se sa ishin”, – tha Rama.

Në një bashkëbisedim me personelin nga pala kosovare, kryeministri Rama u informua për lehtësitë që do të sjellë pika e përbashkët doganore, në këndvështrimin e atyre që do të punojnë përditë në këtë zyrë.

Duke vlerësuar këta punonjës që do të bëjnë transaksionin e parë të zyrës, kryeministri Edi Rama u njoh prej tyre me procedurën.

Bizneset nga Kosova do të kenë mundësi të bëjnë deklarimet këtu, dhe nga këtu dërgesat do të vazhdojnë në çdo pjesë të Kosovës pa pasur nevojë të kalojnë në asnjë vend tjetër. Në vendkalimin e Morinës do të ketë një kontroll vetëm 3-4 sekondësh, vetëm do verifikohet deklarata. Kjo do të mundësojë që bizneset që do të kalojnë të kenë avantazhe. E rëndësishme është koha, dhe bizneset që do të deklarojnë nga Durrësi të kenë një kursim vjetor në kosto, të përllogaritur prej nesh në rreth 2 milionë euro”, tha një prej punonjësve.

Kryeministri Edi Rama shtoi se nëse në llogari shton edhe kohën e fituar, përfitimi shkon më shumë se 2 milionë euro.

Po ashtu, Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit mundëson që bizneset të dalin në treg në kohë reale, duke bërë edhe konkurrencë më të fuqishme me vendet e tjera.

Vlera ekonomike do të jetë edhe më e madhe se kaq, se nuk do të ketë më radhë në kufi që sot për sot është problem shumë i madh dhe me këto ritme 270 milionë që janë arritur sivjet mund të arrijë 300-350 milionë vitin e ardhshëm”, shtoi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Kujtojmë së gjatë mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës më 26 nëntor në Pejë mes dy vendeve u nënshkruan disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, përfshirë edhe protokollin për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën kufitare Morinë-Vermicë.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar gjatë dhjetorit 2018 edhe marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar./ trt

OPINIONE