Bota

Perëndimi injoron 14 milionë njerëz që ballafaqohen me urinë në Afrikë

Perëndimi ka injoruar gjendjen e vështirë të 14 milionë njerëzve që ballafaqohen me urinë në Afrikë, tha të mërkurën presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

Turqia do të vazhdojë të qëndrojë përkrah “njerëzve që vuajnë duke u përpjekur të mbesin gjallë në varfëri”, shtoi ai në një konferencë shtypi në Ankara me presidentin somalez Mohamed Abdullahi Mohamed.

“Të paktën 14 milionë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë të uritur në Afrikë,” tha ai. “Shumë vende të zhvilluara perëndimore luajnë strucën përballë tragjedive të tilla njerëzore”.

Erdogani tha se Turqia kishte përgatitur ndihmë për ato vende që kishin nevojë për ndihmë.

“Ndryshe nga ata që bëjnë një sy qorr ndaj atyre që përpiqen të mbesin gjallë mes varfërisë dhe urisë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre. Nuk mund të flisni për paqen dhe stabilitetin në një botë ku fëmijët po vdesin nga uria”.

Erdogani tha se Somalia kishte parë një periudhë të konsiderueshme ndryshimi që kur ai e vizitoi vendin në vitin 2011, duke theksuar zgjedhjet presidenciale të shkurtit si një shembull.

Mohamed vlerësoi përpjekjet e Turqisë për rindërtim në shtetin e Bririt të Afrikës. “Turqia ka dhënë kontribute të rëndësishme në rindërtimin e Somalisë pas një periudhe shumë të gjatë pune”, tha ai. “Somalia do të vazhdojë të kërkojë mbështetje nga kjo lidhje.”

Ai shtoi se takimi “i frytshëm” me Erdoganin kishte konfirmuar lidhjet e thella midis kombeve.

“Për momentin kemi pasur shumë marrëveshje në fusha të ndryshme, si bashkëpunimi në zhvillimin dhe shkëmbimin kulturor”, u tha ai gazetarëve.

“Aleanca e biznesit midis dy vendeve po përparon shumë shpejt. Në veçanti, marrëdhënia midis tregjeve dhe qarqeve të biznesit është shumë intensive”.

Rreth 900,000 njerëz në Somali janë aktualisht “në kushte krizash dhe emergjence”, ndërsa gati 2 milionë somalezë vuajnë nga pasiguria ushqimore, sipas OKB-së. 1 milion të tjerë janë refugjatë në vendet fqinje.

Në janar, Programi Botëror i Ushqimit tha se rreth 14 milionë njerëz në Afrikën Jugore po përballeshin me urinë për shkak të thatësirës. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA