Perëndimi mbështeti vehabistët ekstremistë dhe nxiti terrorizmin global

nga Rakesh Krishnan “Business Today”.

Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka pranuar për herë të parë publikisht, atë që ka qenë sekreti më i poshtër i Perëndimit. Sipas tij, përhapja e vehabizmit nga Arabia Saudite – burimi kryesor i ideologjisë fondamentaliste të grupeve terroriste si ISIS – u mundësua nga vendet perëndimore që i kërkonit Riadit ndihmë kundër Rusisë gjatë Luftës së Ftohtë.

Para pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, Al-Kaida gati ishte shpartalluar, ndërsa ISIS nuk ekzistonte. Disa dekada përpara se pushtimi amerikan ta transformonte Irakun në një lloj ferri në tokë, ishte Afganistani epiqendra kryesore e militantëve radikalë islamikë nga e gjithë bota.

Ishte koha kur Perëndimi nisi të destabilizonte Afganistanin – në mënyrë që të sulmonin rusët, çka prodhoi muxhahedinët, të cilët më vonë u quajtën talibanë. Qeveritë perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, destabilizuan udhëheqësit nacionalistë shekullarë, si Nasseri në Egjiptit, Mossadeq në Iran dhe së fundmi Bashar Al-Assad në Siri, ndërsa u rreshtuan me grupimet fundamentaliste.

Nga vehabistët ekstremistë të Arabisë Saudite tek grupet terroriste siriane në aleancë me ISIS, Perëndimi mbështeti forcat fondamentaliste, në kurriz të myslimanëve nacionalistë. Ndërsa qeveritë kombëtare evropiane e shmangin këtë çështje, Parlamenti Evropian, ka bërë publik një raport të ashpër mbi mënyrën se si vendet perëndimore, veçanërisht SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë kontribuar në rritjen e grupeve radikale islamike, duke përfshirë ato që kanë shënjestruar me sulme Perëndimin – duke injoruar financimin e grupeve të tilla.

Raporti paralajmëron mbi rrezikun qe paraqesin organizatat vehabiste/selefiste, dhe pohon se “asnjë vend në botën myslimane nuk është i sigurt nga operacionet e tyre, pasi ata synojnë gjithmonë të terrorizojnë kundërshtarët e tyre, dhe të nxisin admirim tek mbështetësit e tyre”.

Britania e Madhe, ka pasur një histori të gjatë të lidhjeve me radikalët islamikë në Lindjen e Mesme, kryesisht për interesa gjeopolitike dhe ekonomike. Fundi i perandorisë, nuk i dha fund këtyre lidhjeve të rrezikshme. Në fakt, ato u bënë më të forta. Në librin e tij “Çështjet sekrete”, historiani Mark Curtis zbulon historinë sekrete të marrëveshjeve që Britania kishte me grupet radikale islamike dhe terroriste. Qeveritë laburistë dhe ato konservatore, kanë pasur lidhje të ngushta edhe Al-Kaidën, për të kontrolluar burimet e naftës në vendet arabe, për të përmbysur qeveritë në rajon, si dhe për të promovuar interesat financiare të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo ka ndodhur vazhdimisht në Afganistan, Iran, Irak, Libi, Ballkan, Siri, Indonezi dhe Egjipt.

Në vitin 1985, presidenti amerikan Ronald Reagan, priti në Shtëpinë e Bardhë një delegacion të muxhahedinëve afganë. Ndër të tjera ai u shpreh: “Këta zotërinj, janë ekuivalenti moral i Etërve Themelues të Amerikës!”.

Sikur të mos mjaftonte armatosja e muxhahedinëve, SHBA-ja vazhdoi të krijonte kushtet për ngritjen e një tjetër organizate më të rrezikshme radikale, Shtetit Islamik. Pushtimi i diskutueshëm i Irakut në vitin 2003, jo vetëm që rrëzoi nga pushtetin Sadam Husseinin, por shkatërroi edhe mbetjet e një qytetërimi të lashtë.

Pastaj, SHBA e shpërndau të gjithë ushtrinë e Irakut dhe forcën e saj ajrore, duke lënë të papunë qindra mijëra ushtarë të stërvitur nëpër beteja. Sipas Kofi Annan, ish-Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, pushtimi i Irakut nga SHBA-ja ishte një gabim, që ndihmoi në krijimin e grupimit militant të Shtetit Islamik. “Shkatërrimi i forcave irakiane, hodhi në rrugë qindra mijëra ushtarë dhe oficerë të pakënaqur. Ata formuan bërthamën e Al-Kaedës në Irak, dhe më vonë të Shtetit Islamik.

Jo shumë perëndimorë e kuptojnë, se aktualisht po sulmohen nga irakianët që po hakmerren, si dhe nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme, lagjet, familjet dhe jetët e të cilëve janë shkatërruar në mënyrë të parikuperueshme. Pa një rreze shprese, dhe duke e parë infrastrukturën e vendit të tyre të shkatërruar, shumë irakianë iu kthyen terrorizmit, si mënyra e vetme për t’u hakmarrë ndaj poshtërimit që pësuan.

Por amerikanët nuk kanë mësuar asgjë. SHBA-ja ka vazhduar politikën e saj të mbështetjes së grupeve terroriste si ISIS, për të rrëzuar një nga regjimet e fundit të mbijetuara nga shekulli i shkuar në Lindjen e Mesme. Miliona refugjatë sirianë, që kanë “përmbytur” Evropën dhe SBA-në, do të jenë “fara” e grupeve të ardhshme terroriste islamike.

Dëshira në Perëndim për të luajtur lojëra cinike gjeopolitike, është shumë e fortë. Në shumicën e rasteve, politikanët dhe gjeneralët perëndimorë, janë aq të zënë me ngjarjet e ndryshme, sa që nuk kanë mundësi t’i fillojnë t’i kuptojnë, dhe jo më t’i kontrollojnë këto lojëra. Ndërkohë, beteja po përhapet në rrugët e Evropës dhe Britanisë, dhe herë pas here në Shtetet e Bashkuara. Do të duhet më shumë se sa një mrekulli, që xhindi të mbyllet sërish në shishe./tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne