Perëndimi miqësor me Faraonin

Nëse marrim parasysh historinë e Egjiptit, përpjekjet aktuale të presidentit Abdel Fatah el-Sisi për të mbajtur postin deri në vitin 2034 nuk është aspak surprizë. Dhe përgjigja e SHBA-së dhe Europës ndaj rrëmbimit të pushtetit nga ana e Sisit sugjeron se Perëndimi nuk e ka braktisur bindjen se mbështetja e heshtur e regjimeve shtypëse arabe siguron stabilitet.

nga Barak Barfi.

Muajin e kaluar, parlamenti i Egjiptit miratoi me shumicë dërrmuese projektin e ndryshimeve kushtetuese të cilat do t’i mundësojnë presidentit Abdel Fatah el-Sisi të qëndrojë në zyrë deri në vitin 2034. Dhe Perëndimi – i fiksuar me ruajtjen e stabilitetit politik dhe ruajtjen e aksesit te tregjet fitimprurëse të armatimeve – është i lumtur të lejojë që kjo gjë të ndodhë. Amendimi i nenit 140 të kushtetutës së vitit 2014 – miratuar me 485 nga 596 vota deputetësh – do të zgjasë dy mandatet presidenciale që lejohen aktualisht nga katër në gjashtë vjet dhe i lejon Sisit të garojë për dy mandate të tjera pasi mandati aktual të mbarojë në vitin 2022. Parlamenti do të votojë sërish brenda 60 ditëve. Vendimi pas kësaj do të duhet të miratohet me referendum popullor.

Dëshira e Sisit për të mbetur president nuk është surprizë. Që të jemi të qartë, ai shfaqi ultësi kur erdhi në pushtet. Në një intervistë të vitit 2013, ai pretendoi se nuk aspironte për autoritet.” Më 2017, ai u betua, “unë nuk mbështes asnjë amendim të kushtetutës… në mënyrë që asnjë president të mos jetë në gjendje të qëndrojë në detyrë përtej mandatit të lejuar nga ligji dhe kushtetuta.” Në mënyrë të ngjashme, në fjalimin e tij të parë në parlament më 1981, ish-presidenti Hosni Mubarak – i rrëzuar gjatë Pranverës Arabe më 2011 pasi mbajti postin për më shumë se 30 vjet – tha, “Zoti e ti, unë nuk kam ëndërruar kurrë për këtë post.”

Në tokën e faraonëve, presidentët kanë tendencën që në fund të joshen nga mitet që lëvdojnë jetëgjatësinë, pagabueshmërinë e madje edhe të drejtën hyjnore për të sunduar. Mubarak e shfaqi këtë mendësi më 2003, për shembull, kur një shkrimtar e pyeti atë nëse është e vërtetë që Arabia Saudite u përpoq të bindte diktatorin e Irakut Sadam Husein të lëshonte pushtetin me qëllim parandalimin e një pushtimi të udhëhequr nga amerikanët. “E pamundur!” deklaroi Mubarak, “asnjë president asnjëherë nuk dorëhiqet!”

Sa për Sisin, pretendimet e tij mesianike u zbuluan nga një përgjim që rrodhi në media, në të cilin ai deklaroi se ish-presidenti Anëar Sadat e kishte informuar atë në një ëndërr se ai do të bëhej president. Në një ëndërr tjetër, Sisi raportohet se ka dëgjuar një zë që premton, “do të të jap ty atë që nuk i kam dhënë askujt tjetër.” Perëndimorët mund të vjellin nga pretendime të tilla, por egjiptianët i marrin ato shumë seriozisht. Në traditën Judeo-Islamike, ëndrrat konsiderohen një fazë e ulët e profecisë. Në Librin e Fillesave, Jozefi shpëton Egjiptin nga uria dhe thatësia duke zbërthyer kuptimin e vërtetë të ëndrrave të faraonit.

Koha e njoftimit të Sisit, gjithsesi, u përcaktua jo nga një ëndërr, por nga kushtet politike. Telashet sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga revolta e vitit 2011 më në fund po pakësohen. Pas shumë vitesh gjatë së cilave rritja ekonomike ishte pothuajse e njëjtë ose më e ulët se sa rritja e popullsisë, ekonomia u rrit me 5.3% në vitin fiskal që përfundoi qershorin e kaluar. Për më tepër, programi i kursimeve i rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar – që kërkoi reduktimin e subvencionimeve të ushqimeve dhe energjisë, pavarësisht se të ardhurat ishin më të ulëta, – po jep efektet e veta. Ndërsa vështirësitë po kapërcehen, gjasat për protestë ekonomike po pakësohen gjithashtu. Sakaq demonstratat nga punëtorët dhe studentët janë pakësuar, më së shumti si pasojë e shtypjes nga shërbimet e sigurisë dhe mungesës së mbështetjes nga segmente të tjerë të shoqërisë. Dhe megjithëse struktura e pushtetit në Egjipt është opake, spastrimet e shpeshta në ushtri dhe shërbimet e sigurisë sugjerojnë se Sisi tashmë e ka konsolituar pozicionin e vet pas kuintave.

Edhe kredencialet e Sisit në politikën e jashtme së fundmi kanë marrë një përmirësim shumë të nevojshëm (megjithëse në përgjithësi të pamerituar) nga ndërprerja e ndërtimit të Digës së Madhe të Rilindjes Etiopiane mbi lumin Nil, lumin më të gjatë të Afrikës. Etiopia e nisi projektin për të pakësuar mungesat energjetike të vetes dhe të rajonit. Por Egjipti – i cili merr vetëm 51 milimetra shi në vit, sasia më e paktë në botë – varet nga Nili për furnizimin e vet me ujë, i cili mund të reduktohet me deri 10% në vit gjatë kur rezervuari të mbushet.

Megjithëse negociatat dështuan të pakësojnë shqetësimet e Egjiptit, ndryshimet e fundit politike në Etiopi ia kanë dalë. Zgjedhja e një kryeministri të përqendruar më shumë në zbatimin e reformave të gjera ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit se sa te ndërtimi i një dige – bashkë me mungesat në financime dhe punimet defektoze elektromekanike – e kanë çuar projektin praktikisht në ngecje. Media proqeveritare në Egjipt e ka pasqyruar këtë zhvillim si një vepër të mençurisë së Sisit.

Në lidhje me Perëndimin, gjithsesi, Sisi e ka treguar tashmë aftësinë e vet. Ndërsa presidenti i Turqisë Recep Taip Erdogan ka hyrë në një luftë fjalësh me presidentin amerikan Donald Trump, para se të lironte pastorin amerikan Andreë Brunson, Sisi me qetësi ka liruar punonjësen humanitare amerikane Aya Hijazi, e cila ishte mbajtur në burg për tre vjet nën akuza të rreme. Shto këtu edhe surplusin tregtar të Amerikës me Egjiptin në masën 2.4 miliardë dollarë në vitin 2017 – dhe kuptohet se Trump është mëse i kënaqur me Sisin. Kjo ka pakësuar ndikimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, rrjedhimisht duke minimizuar ankesat potenciale ndaj amendimeve kushtetuese. Sa për Europën, pavarësisht se ajo flet sa për sy e faqe për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, udhëheqësit e saj janë shumë më tepër të shqetësuar për parandalimin e zbarkimit të imigrantëve në brigjet e tyre, për mbështetjen e masave kundër terrorizmit dhe për shitjen e pajimeve të tyre ushtarake se sa për të protestuar kundër represionit në toka të largëta. Kur Sisi vizitoi Francën në tetor 2017, presidenti Emmanuel Macron deklaroi, “unë besoj në sovranitetin e shteteve, rrjedhimisht, njësoj si unë nuk pranoj të më mbajnë leksione për mënyrën se si qeveris vendin tim, nuk i jap leksione të tjerëve.”

Gjatë një vizite në Kajro në janar, Macron shprehu shqetësimin se përndjekja e kundërshtarëve politikë nga Sisi po minonte stabilitetin, por theksoi se dialogu nuk duhej të ndërpritej. Në fund të fundit, Egjipti është një partner i rëndësishëm strategjik për Fracën në rajon, përfshirë çështjen e Libisë. Nga viti 2014 deri më 2017, kur Egjipti ishte blerësi i tretë më i madh i armëve në botë, Franca ishte furnizuesi kryesor i Kajros (2.4 miliardë dollarë), ndërsa Gjermania ishte në vend të katërt me 389 milionë.

Ajo që vendet Perëndimore dështojnë të kuptojnë siç duhet është se xhihadistët dhe migrantët nga të cilët ata kanë frikë po kultivohen nga regjimet autoritare që ata po mbështesin. Para sulmeve të 11 shtatorit 2001, shumë nga udhëheqësit e lartë të Al Kaedës ishin egjiptianë. Dhe ndërsa George Ë. Bush, në atë kohë president i SHBA ishte veçanërisht jokritik ndaj presidenti të Jemenit Ali Abdullah Saleh, një degë e fortë e al-Kaedës po zinte rrënjë në atë vend. Përgjigjja e SHBA-së dhe Europës ndaj rrëmbimit të pushtetit nga Sisi sugjeron se Perëndimi nuk e ka braktisur besimin se mbështetja e heshtur e regjimeve autoritariste arabe do të sigurojë stabilitet. Disa iluzione me të vërtetë e kanë shumë të vështirë për të vdekur.

Project Syndicate

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne