Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka pritur në një takim përfaqësues të DEA-s, me qendër në Athinë.
Në një njoftim për mediat nga Policia e Shtetit thuhet se “atasheu i DEA-s John Livanis, i cili u shoqërua në këtë takim nga Atasheu i ICITAP-it Richard Deasy, uroi Drejtorin, për detyrën e re, si dhe çmoi bashkëpunimin e deritanishëm në luftën kundër krimit të organizuar”.
“Gjithashtu, Atasheu Livanis shprehu gatishmërinë e strukturave të DEA-s, për ta forcuar bashkëpunimin me Policinë shqiptare në të gjitha frontet e luftës kundër fenomeneve kriminale”, sqaron Policia e Shtetit.
Gjatë këtij takimi, thekson më tej Policia, Proda “shprehu mirënjohjen për kontributin e DEA-s, në operacionet policore ndërkombëtare, shumë komplekse, që kanë patur objektiv shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike”.
“Gjatë takimit, Proda garantoi atashetë se te Policia e Shtetit do të gjejnë angazhim, profesionalizëm dhe besueshmëri për çdo iniciativë që do të ndërmerret në të ardhmen, kundër krimit të organizuar”, përfundon njoftimi./BW