Përfitoi banesë sociale dhe e shiti pas tri ditësh trefishin e çmimit! Pas dy dekadash, gjyqtarit i kushton karrierën. Detaje nga hetimi i KPK

Gjyqtari Selim Kryeziu u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit korrikun e kaluar për shkak se transaksionet e tij me prona të patundshme dhe automjete ngrinin dyshime për për deklarime të paplota, mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie si dhe për faktin që, një hetim për korrupsion i ndërmarrë nga SPAK ndaj tij, ndonëse është mbyllur me argumentin “nuk provohet ekzistenca e faktit”, përforcon argumentin e cenimit të besimit të publikut te drejtësia.

Por një nga problemet më të hershme të Kryeziut të zbuluar nga KPK lidhet me përfitimin e padrejtë të një apartamenti social në Librazhd dy dekada më parë, apartament të cilin subjekti e shiti menjëherë pasi e bleu te një qytetar tjetër përkundrejt një çmimi disafish më të lartë nga çmimi i blerjes.

“Komisioni vëren se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e cenimit të besimit të publikut te drejtësia, pasi subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te drejtësia, pasi ka përdorur funksionin e tij si kryetar gjykate dhe ka arritur të përfitojë strehim, rrethanë të cilën e ka shfrytëzuar menjëherë duke përfituar të ardhura monetare dhe jo për qëllimin për të cilin i ishte dhënë,” thuhet në konkluzionet përfundimtare të hetimit administrativ të KPK-së ndaj Kryeziut, konkluzione që sollën edhe masën disiplinore “Shkarkim nga Detyra”.

Hetimi zbuloi se Kryeziu kishte kërkuar strehim social nga pozicioni i kryetarit të Gjykatës së Librazhdit për shkak se jetonte me prindërit në një apartament të privatizuar në vitin 1992 ndërsa Bashkia e Librazhdit i kishte ofruar një apartament 45 m2. Problemi ishte se apartamenti në fjalë ishte i zënë nga persona të tjerë në mënyrë të parregullt ndërsa gjyqtari, sipas gjykimit të KPK-së, nuk mund të përfitonte një banesë sociale për shkak se kishte përfituar sakaq nga privatizimi i apartamentit të familjes. Por përveç faktit që përfitoi një banesë të dytë sociale, KPK vëren se gjyqtari Kryeziu ia shiti apartamentin e blerë subjekteve që e kishin zënë në mënyrë të parregullt përkundrejt një shume trefish më të lartë se sa çmimi i blerjes.

Hetimi zbuloi se Kryeziu, tre ditë pasi bleu apartamentin nga Enti Kombëtar i Banesave për 438 mijë lekë, ia shiti atë poseduesve për 1.4 milionë lekë. Subjekti deklaroi se e kishte shitur apartamentin te poseduesit nisur nga ndjenja e humanizmit ndaj tyre, një argument që KPK e konsideroi si jobindës në kushtet kur apartamenti iu shit poseduesve përkundrejt një përfitimi të majmë.

Kryeziu bleu pas kësaj një apartament tjetër në Librazhd, për të cilin deklaroi se ka paguar 1.2 milionë lekë, të cilin e deklaroi të shitur prej tij në vitin 2005 për 2.5 milionë lekë ndërsa hetimi zbuloi se çmimi i kontratës së shitjes ishte në fakt 1.9 milionë lekë.

Ai bleu më tutje një apartament në Tiranë më 2007 me vlerën 60 mijë euro, për të cilin deklaroi se e kanë ndihmuar me hua pa interes kunata, vëllai, kunati dhe shoku i tij i ngushtë, për një total prej 20 mijë eurosh, transaksione që KPK i konsideroi të dyshimta.

“Nga analiza financiare në datën 12.10.2005, duket se subjekti dhe personat e lidhur nuk kanë pasur burime të ligjshme të mjaftueshme në shumën 1.898.258 lekë për kryerjen e shpenzimeve dhe blerjen e pasurive,” shkruhet në vendimin e KPK-së.

KPK ngriti pikëpyetje edhe për një apartament të tretë të blerë nga gjyqtari, me sipërfaqe 137 metra katrorë dhe me një çmim prej 60 mijë eurosh në Tiranë. Apartmenti ka një çmim reference prej 14 milionë lekësh. Pyetur nga KPK për të dhënë një shpjegim se si ai ka arritur të blejë një apartament pranë Digës së Liqenit në Tiranë me çmim shumë më të ulët se sa çmimi referencë, gjyqtari deklaroi se shitësit kishin prona të tjera në Tiranë dhe se kishin emigruar në SHBA.

Kryeziu ngriti gjithashtu dyshime para KPK-së për shkak se ka deklaruar që në vitin 2013, ka shitur një automjet për vlerën 300 mijë lekë, ndërkohë që e kishte blerë tetë vite më herët për 200 mijë lekë. Ai e kishte bërë këtë deklaratë në deklaratën veting në vitin 2017 ndërsa nuk e kishte deklaruar në deklarimet periodike vjetore. Ai deklaroi se automjeti ishte blerë nën çmimin e tregut. KPK vërejti se duke qenë se automjeti ishte shitur më shtrenjtë nga sa ishte blerë, gjyqtarit i lindte detyrimi të paguante tatim mbi të ardhurat personale për diferencën 100 mijë lekë, gjë që rezultoi se nuk e ka bërë.

Në tërësi, KPK klasifikoi si të pambuluara me të ardhura të ligjshme rreth 5 milionë lekë pasuri për Kryeziun, duke e shkarkuar atë nga detyra për cënim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë/BIRN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne