Përfundon votimi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Në ora 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit, me çka përfundoi votimi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Nga ora 07:00 e mëngjesit, në 3.480 vendvotime në vend gjithsej 1.814.317 qytetarë të regjistruar në listën e votuesve patën mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe të zgjedhin njërin nga shtatë kandidatët për president.

Autoritetet gjatë ditës kanë njoftuar se votimi zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha në të gjitha vendvotimet, me përjashtim të disa rasteve të fotografimit të fletëvotimit. Deri në ora 18:30, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar mbi 48 për qind e votuesve të regjistruar. Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, deri në orën 17:00 në këto zgjedhje ka një pjesëmarrje më të madhe me rreth 9 për qind.

Sipas ligjeve, fituesi shpallet në raundin e parë të votimit vetëm nëse njëri prej kandidatëve ka fituar më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar. Nëse në raundin e parë të votimit nuk shpallet fitues, raundi i dytë është planifikuar të mbahet më 8 maj, ditën kur janë shpallur edhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Nga pavarësia e vendit, këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne