Të paktën 213 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në Spanjë, ndërsa numri i tyre pritet të bëhet edhe më i rëndë me kalimin e orëve, pasi shpresat për gjetjen e të mbijetuarve shuhen. Sot, Mbreti Felipe, Mbretëresha Letizia dhe kryeministri Pedro Sanchez pritet të vizitojnë Spanjën juglindore, e cila është goditur nga fatkeqësia më e keqe natyrore në historinë e vendit, sipas autoriteteve.
Të shtunën, Sanchez njoftoi vendosjen e një shtesë prej 5,000 trupash për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve dhe kërkimin e personave të zhdukur, duke e çuar totalin në 7,500. Ky është “dislokimi më i madh i forcave të armatosura që ka ndodhur ndonjëherë në Spanjë në kohë paqeje”, sipas z. Sanchez. Ushtarakëve i bashkohen edhe 5000 policë dhe xhandarë që shkuan për të mbështetur 5000 kolegët e tjerë në terren, gjithmonë sipas kreut të qeverisë. Këto përforcime priten me padurim në disa komunitete ku edhe disa ditë pas tragjedisë situata ende cilësohet si kaotike.
Shiu i një viti ra brenda pak orësh
Sipas Shërbimit Meteorologjik Spanjoll (AEMET), reshjet në vend ishin të barabarta me ato të regjistruara “në një vit” brenda pak orësh. Kjo përmbytje lidhet me fenomenin e “rënies së ftohtë”, një depresion lokal në lartësi të ulët mjaft i zakonshëm në bregdetin spanjoll, i cili ka të ngjarë të jetë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, sipas shkencëtarëve, pasi atmosfera më e ngrohtë mban më shumë lagështi dhe i bën shirat më të dendur.
Valencia ishte rajoni më i goditur, me 210 njerëz të vrarë. Castile -La Mancha regjistroi dy vdekje dhe Andaluzia një.
Është “fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e vendit tonë”, tha zoti Sanchez. Autoritetet parashikojnë që numri i të vdekurve të bëhet edhe më i rëndë, ndërkohë që tani po ekzaminojnë në mënyrë metodike bagazhet e makinave që përfunduan në tunele nëntokësore dhe parkingje nëntokësore. Megjithëse shanset për gjetjen e të mbijetuarve po zbehen, përparësia e ushtrisë dhe policisë mbetet kërkimi i të zhdukurve, sipas qeverisë, si dhe rivendosja e rrjetit rrugor dhe infrastrukturës për të lejuar shpërndarjen e ndihmave dhe rifillimin e shërbimeve thelbësore.
Sipas autoriteteve, më shumë se 2,000 makina dhe kamionë të dëmtuar janë mbledhur tani, 94% e banorëve të zonave të prekura i është rikthyer energjisë elektrike dhe telekomunikacioni po rikthehet gradualisht. Në periferi të Valencias, operacionet e kërkim-pastrimit kanë vijuar ditën e djeshme në një atmosferë shumë të rënduar, pasi dominon zija dhe zemërimi i banorëve për reagimin e vonuar të autoriteteve.