Avokati ishte arrestuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Bajrami u arrestua pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan.
ELBASAN– Dy ditë pas arrestimit, avokati Ulian Barjami është liruar nga qelia me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Bajrami u arrestua pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami.
Burime i thanë Report Tv se avokati ishte arrestuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Kur materialet për arrestimin e avokatit Barjami kanë mbërritur në Prokurorinë e Elbasanit për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se arrestimi është i paligjshëm. Ai nuk është paraqitur në gjykatë për masë sigurie pasi lirimi është bërë menjëherë me urdhër të Prokurorisë.
Avokati u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga prokurori Ceka se ishte kërcënuar në seancë. Në audion e siguruar nga Report TV, të publikuar një ditë më parë, dëgjohej avokati teksa hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe bëri kallëzim në polici. Avokati akuzohej për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.
Arrestimi i Barjamit bëri që avokatët në të gjithë vendin të merrnin vendimin për të bojkotuar te gjitha seancat nga sot deri më 25 tetor, përveç seancave për masat e sigurisë. Por, me lirimin e Barjamit pritet të shihet nëse Dhoma e Avokatisë do të tërhiqet nga bojkoti apo do ta vijojë deri për 5 ditë. Në reagimin e një ditë më parë, Dhoma e Avokatisë kërkoi gjithashtu shqyrtimin urgjent të çështjes nga ILD, KLGJ DHE KLP. /shqiptarja


















