Përplasje mes ministrit Çuçi dhe ish-deputetit të LSI, Vangjel Tavo për “blerjen” e fundit të PS

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi që është njëkohësisht edhe drejtues politik i Qarkut të Gjirokastrës njoftoi këtë të diel si “lajm të madh” kalimin në radhët e mazhorancës të deputetes së LSI-së Ediola Braha. E vërteta është se ajo ka ardhur nga fundi i listave të LSI pasi kjo forcë politike dogji mandatet. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të saj në parlament ajo nuk është shquar për opozitarizëm, por ka votuar çdo ligj të dorëzuar nga mazhoranca në parlament. E megjithatë ministri Çuçi e quan “një lajm të madh”.

“Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale. Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm” – shkruante ndër të tjera Çuçi në Facebook.

Për këtë ka reaguar, jo pa ironi, ish-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo që thotë se Braha i ka shkuar Çuçit që përpara 2 vitesh në zyrë.

“Po ç’na bëre more Bledi!? 😢 Po si na e bëre këtë o Bledi!? 😢 Po si na e more o Bledi!? 😢 Po si nuk e kuptove prej dy vitesh kur të erdhi në zyrë (të kujtohet?) që ishte e juaja o Bledi!? Po si nuk e kuptove që ishte e juaja teksa votonte çdo ligj të “Rilindjes”, o Bledi!? Po si nuk e kuptove o Bledi, se sa talent kishte dhe sa e vlefshme ishte për “Rilindjen” kur e përzgjodhët relatore të ndryshimeve kushtetuese për kodin zgjedhor? 😅 Mos more Bledi çfarë na bëre! 😂 Na more një vlerë të madhe me famë ndërkombëtare! 😂 Sa për shkërmoqjen, o Bledi, është “Rilindja” drejt shkërmoqes totale më 25 prill. Asgjë e askush nuk mund ta ndalë më karrocën e “Rilindjes” tashmë të drejtuar drejt greminës” – shkruan Tavo.

Ky reagim ka nxitur edhe një herë ministrin e Brendshëm të përgjigjet në Facebook.

“I dashur Vangjel, e shoh që të paska dhembur kalimi i Ediolës tek PS përderisa reagove vetëm për atë dhe nuk të bëri përshtypje kalimi këtë të shtunë i të gjithë strukturës së LSI të Lunxhërisë tek PS….. por e kuptoj pse😜. Gjithsesi, nuk është faji im që u katandis në këtë derexhe lista e LSI në 2017; Ediola te PS dhe ti tek PD😉 Miqësisht!” – shkruan Çuçi.

Një reagim në rrjetet sociale ka bërë edhe vetë deputetja për kalimin e saj nga LSI në PS.

“I fundit dhe i vjeteruari Tavo, i mbeturi ne karrigen politike te kalbur, reagoi pse une kalova me PS. Por duke qene logjikisht i ceket, i drejtohet ministrit Çuçi, drejtuesit politik te qarkut te Gjirokastres se e paska ditur dy vjet me parë qe une kam qene në perkatesine time politike si socialiste. Kjo eshte nje e vertete qe pohohet padashur nga i fundit minoritar në politiken e vjeter qe here eshte opozitar dhe nje sy e ka tek pushteti dhe ne gjysem te mandatit mendon se duhet te beje pirueten per rikthim tek nje pozicionim me leverdi,”– shkruan Braha.

Kohët e fundit Partia Socialiste e ka kthyer në qëllim në vetvete marrjen sa më shumë të emrave të LSI në radhët e saj. Për këtë ishte angazhuar edhe vetë Rama që ftonte Nasip Naçon t’i bashkohej për një gotë verë dhe ai nuk e zhgënjeu pak kohë më pas. ©LAPSI.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne