Përse raketat siriane u përballën me avionët izraelitë që depërtuan në hapësirën ajrore libaneze?

A po përballemi me një strategji të re parandaluese? Si do të jetë përgjigja tjetër? Me raketa “S-400” dhe me dritë jeshile ruse?

Abdul-Bari Atuan

Lëshimi i një rakete nga sistemet e mbrojtjes ajrore siriane drejt avionëve luftarakë izraelitë, të cilët ishin në një mision zbulues në hapësirën ajrore libaneze – dhe jo në atë siriane – duke goditur një prej tyre (sipas deklaratës së ushtrisë siriane) dhe duke i detyruar të tjerët të largohen, është një zhvillim i rëndësishëm dhe i paprecedent, që reflekton mundësinë e një strategjie të re ushtarake për t’i bërë ballë çdo cenimi të hapësirave libaneze e siriane së bashku.

Është e vërtetë se një deklaratë izraelite konfirmoi se disa avionë luftarakë u kundërpërgjigjën duke bombarduar të njëjtat bateri të mbrojtjes siriane në një vendndodhje ushtarake në lindje të Damaskut, por reagimi i paprecedent sirian i ka hutuar udhëheqjet politike e ushtarake izraelite dhe i shtyu ata të theksojnë se nuk e dëshirojnë përshkallëzim dhe se preferojnë qetësinë. Lavdi Ndryshuesit të situatave! Që kur Izraeli dëshiron qetësinë?!

Kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu – i cili nuk ka komentuar asnjëherë, madje as zëdhënësit e tij, në lidhje me sulmet e mëparshme izraelite në thellësi të territorit sirian – reflektoi shqetësimin izraelit nga kjo përgjigje e papritur siriane, kur kërcënoi me “goditjen e të gjithë atyre që përpiqen të sulmojnë Izraelin dhe të kërcënojnë sigurinë e tij”, duke theksuar se “Izraeli do të vazhdojë të veprojë në këtë mjedis si ta shohë të nevojshme, në mënyrë që të mbrojë sigurinë e tij”. Marrja përsipër e detyrës së përçimit të këtij kërcënimi dhe përçimi i tij personalisht – dhe jo nëpërmjet ministrit të tij të luftës – ka për qëllim qetësimin e kolonëve dhe largimin e frikës së tyre.

***

Mesazhi i kësaj rakete siriane për pushtuesin izraelit është i qartë: fjalët e tij thonë se koha kur avionët izraelitë sillen në hapësirën ajrore libaneze dhe fotografojnë ç’t’u duhet nga objektivat tokësorë pa i ndaluar kush, po i afrohet fundit dhe se hapësira ajrore libaneze është bërë zgjerim i homologes së saj siriane dhe çdo shkelje e saj do të hasë në kundërpërgjigje pa marrë parasysh rezultatet.

Ky ngacmim izraelit dhe reagimi i menjëhershëm sirian ndaj tij reflekton shqetësimin e udhëheqjes ushtarake izraelite, dëshirën për të provuar aftësitë e mbrojtjes siriane dhe faktin nëse ato përfshijnë raketa të sofistikuara të tipit S-400 apo jo. Në të njëjtën kohë, ky reagim sirian reflekton rritjen e besimin në mesin e udhëheqjes siriane nga fitoret e mëdha në terren të arritura nga forcat e saj ushtarake dhe aleatët e saj në arenat e luftimeve dhe rikthimi i rreth 90% të territorit sirian, në mos më shumë.

Regjimi sionist po përjeton një gjendje terrori për shkak të disfatës së tij dhe të aleatëve të tij në Siri, si dhe për shkak të përvojës së madhe luftarake të fituar nga ushtria siriane dhe krahu i saj libanez, Hezbollah. Ai që u shpreh më qartë në lidhje me këtë gjendje terrori dhe ankthi ishte Avigdor Lieberman, ministri izraelit i luftës, në intervistën e tij para dy javësh për faqen informative “Walla”, në të cilën ai pranoi se “Asadi e fitoi luftën”, duke iu referuar “një radhe të vendeve të botës, veçanërisht vendet e moderuara sunite, të cilat po kërkojnë dashamirësinë e tij (të Asadit).”

Ky përshkallëzim izraelit dhe reagimi sirian ndaj tij nuk mund të trajtohen të ndarë nga strategjia provokuese amerikane kundër Iranit e shprehur nga presidenti Donald Trump në fjalimin e tij disa ditë më parë, ku ka deklaruar për mosmiratimin e marrëveshjes bërthamore iraniane, vendosjen e sanksioneve mbi Gardën Revolucionare dhe akuzën ndaj autoriteteve iraniane për mbështetjen e terrorizmit, për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të aleatëve të Uashingtonit në të.

Këto janë shenjat e nxehjes së një lufte të pashmangshme, për të cilën paralajmëroi Sejid Hasan Nasrullah, lideri i Hezbollahut, dhe akuzoi Netanyahun për përgatitjen e saj. Çfarë e shqetëson më shumë kryeministrin izraelit është rikuperimi i Sirisë, rikthimi i fuqisë së Irakut, komunikimi rajonal ndërmjet Iranit dhe Libanit nëpërmjet territoreve siriane dhe irakiane, si dhe ekzistenca e forcave “Hezbollah” të mbështetura nga këshilltarët iranianë në Kunejtira dhe në Der’a, si dhe bazat që mund t’u jepen atyre e që mund të përdoren për të hapur frontin e Golanit dhe për lëshimin e raketave drejt objektivave izraelite në brendësi të Palestinës së pushtuar.

Komunikimi gjeografik dhe shtrirja e brezit iranian nga Mazar-e-Sharif në Afganistan e deri në periferinë jugore të Bejrutit në brigjet e Mesdheut, do të thotë furnizim i Hezbollahut sa më shpejt të jetë e mundur me sasi të mëdha armësh, raketash, municionesh dhe pajisjesh të rënda të avancuara.

***

Rajoni po ndryshon sepse Siria po ndryshon dhe po rikthen fuqitë e saj në mënyrë të përshpejtuar me mbështetjen e Iranit dhe të Rusisë. Kjo është ajo që po kuptojnë Uashingtoni dhe Tel Avivi dhe që po rrit presionin e udhëheqjes së tyre, si politike ashtu edhe ushtarake.

Sot, mbrojtja ajrore siriane lëshon një raketë të tipit SA-5 në drejtim të avionëve sulmues izraelitë, duke i detyruar ata të largohen nga frika dhe nuk e përjashtojmë mundësinë që raketa e ardhshme të jetë raketa shumë e sofistikuar ruse e tipit S-400, sepse Siria po mbron veten dhe sovranitetin e hapësirës ajrore dhe territoriale të saj me dritë jeshile ruse.

Në fjalimin e tij të fundit, Sejid Hasan Nasrullah e parashikoi luftën, i ngarkoi Netanyahut përgjegjësinë e ndezjes së saj dhe u bëri thirrje hebrenjve të lënë Palestinën e pushtuar e të kthehen në vendet nga kanë ardhur, sepse ata do të jenë karburanti i asaj lufte dhe ndoshta nuk do të gjejnë kohë e mundësi për të shpëtuar lëkurën e tyre në rast të ndezjes së saj nga Netanjahu i zhytur në krizë; sikur t’u kujtonte atyre njëqind mijë raketat në arsenalin e tij dhe katërfishin e tyre në arsenalet siriane dhe iraniane.

Lufta e ardhshme nuk do të jetë si luftërat e tjera të mëparshme. Ka arabë dhe myslimanë që tashmë e posedojnë aftësinë për të penguar dhe rezistuar. Regjimi sionist i provoi ata në të paktën tri luftëra duke mos fituar asnjërën prej tyre, sepse kundërshtari i tij nuk ishte një regjim i korruptuar arab që “i vë të gjitha vezët e tij në shportën e shpuar të Amerikës”.

“Erdhi kush të njeh, o lis” … dhe besoj se kuptoni mjaftueshëm./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne