Përse Trump i dëmton njëkohësisht marrëdhëniet e vendit të tij me Iranin dhe Turqinë?

A do t’u japë Garda Revolucionare Iraniane një përgjigje dërrmuese bazave amerikane në Gjirin Persik? Sa serioze janë paralajmërimet e senatorit Corker për një Luftë të Tretë Botërore të afërt?

Abdul-Bari Atuan

Nuk besojmë se senatori republikan Bob Corker, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Senat, e ka ekzagjeruar shumë – duke qenë i moderuar -, kur paralajmëroi ditë më parë se kërcënimet “e rrëmbyera” të presidentit Donald Trump ndaj vendeve të tjera i vënë Shtetet e Bashkuara në “shtigjet e një lufte të tretë botërore”. “Më shqetëson dhe duhet të shqetësojë këdo që kujdeset për sigurinë tonë”, tha ai për Trump.

Pasi kërcënoi se “do të shkatërrojë Korenë e Veriut plotësisht”, ja tek e shohim presidentin Trump të gatshëm për të shpërthyer dy kriza serioze me dy fuqitë më të rëndësishme rajonale në Lindjen e Mesme, përkatësisht me Turqinë dhe Iranin, jo vetëm për shkak të afrimit mes tyre në lidhje me refuzimin e referendumit kurd, por edhe në lidhje me dosjen siriane, gjithashtu.

Nëse fillojmë me më të lehtën, pra me Turqinë (deri më tani), marrëdhëniet turke-amerikane po përjetojnë një krizë e cila shtohet ditë pas ditësh. Amerika, pasi drejtoi akuza penale kundër tri rojeve të presidentit Rexhep Tajip Erdogan duke kërkuar ekstradimin e tyre me akuza për sulm mbi disa protestues gjatë vizitës së presidentit turk në majin e kaluar, ka lëshuar një vendim për pezullimin e dhënies së vizave për qytetarët turq të cilët dëshirojnë të vizitojnë Amerikën, si reagim ndaj arrestimit nga ana e autoriteteve turke të një punonjësi lokal të ambasadës (amerikane) në Ankara që akuzohej për komunikim me predikuesin turk Fet’hullah Gylen. Reagimi i Presidentit Erdogan me ndalimin e lëshimit të vizave për qytetarët amerikanë, duke ndjekur politikën “e përgjigjes me të njëjtën monedhë” dhe nënshkrimi nga ana e presidentit turk të marrëveshjes së raketave të avancuara S-400 me Moskën dy javë më parë, ndoshta janë fija e flokut që shkatërroi marrëdhëniet me Uashingtonin.

***

Amerika dhe Turqia janë anëtarë të NATO-s, por ky partneritet strategjik është në rrugën e tij të shembjes për shkak se administrata amerikane i zgjodhi kurdët si aleat “tek i cili mund të mbështetet” kur presidenti Erdogan e ftoi atë të zgjidhte mes tyre (kurdëve) dhe mes vendit të tij. Madje ka raporte që konfirmojnë se presidenti Trump e kundërshton referendumin në Kurdistanin e Irakut publikisht dhe e mbështet atë fshehurazi.

Nëse zhvendosemi në konfliktin e përshkallëzuar amerikano-iranian mbi platformën e marrëveshjes bërthamore, mund të themi se ai hyri në një fazë të re krize pas vendimit të pritshëm të Trumpit për tërheqjen nga marrëveshja dhe pas frekuencës së raporteve mbi një vendim tjetër për të vendosur Gardën Revolucionare Iraniane në listën e terrorit.

Z. Mohammad Ali Xhafari, komandant i Gardës Revolucionare, tha ditë më parë se “në qoftë se janë të vërteta lajmet në lidhje me marrëzinë e qeverisë amerikane për klasifikimin e Gardës Revolucionare si një lëvizje terroriste, asaj do t’i duhet të presë “një përgjigje dërrmuese” dhe se Garda do ta konsiderojë ushtrinë amerikane në të gjithë botën, sidomos në Lindjen e Mesme, në të njëjtën parapet me ISIS-in”, duke shtuar “Amerika duhet t’i transferojë bazat e saj jashtë rrezeve të raketave tona, pra 2000 kilometa”.

Vendosja e Gardës Revolucionare Iraniane në listën e terrorit ka shkaktuar shqetësimin e qeverisë franceze për shkak të frikës nga pasojat e tij, ashtu siç shkaktoi shqetësimin e saj në të njëjtën kohë edhe vendimi i Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore, sepse vendime të tilla do të përkeqësojnë tensionet në një rajon tashmë të paqëndrueshëm. Prandaj, presidenti francez i bëri thirrje Iranit të vetëpërmbahet.

Znj. Theresa May, kryeministre e Britanisë, është e vetmja nga liderët evropianë që mbështet marrëzitë e presidentit Trump dhe kërcënimet e tij. Zëdhënësi i saj ka konfirmuar dje se ajo kishte rënë dakord me kryeministrin izraelit Beniamin Netanjahu në një bisedë telefonike mes tyre për “nevojën e perceptimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të kërcënimit që i vjen rajonit të Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme nga ana e Iranit dhe se ai duhet të vazhdojë punën për t’u përballur me aktivitetet e Iranit që cenojnë stabilitetin e rajonit”.

***

Lavdi Zotit!!! Regjimit sionist iu dhimbska stabiliteti i rajonit të Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme?! Britania e mbështetka këtë kujdes, i bëka thirrje komunitetit ndërkombëtar për të penguar Iranin, “burimin e kërcënimit” dhe ky qëndrim gjetka mbështetjen e kryeministres britanike?! Regjimi sionist, i cili ka zhvilluar më shumë se tetë luftëra kundër arabëve, të paktën në gjashtëdhjetë vitet e fundit qenka bërë përkrahës i stabilitetit të Gjirit Persik dhe të rajonit?! Ndërsa Irani qenkësh burimi i vetëm i kërcënimit?!

Senatori Corker paska thënë të vërtetën kur ka thënë se Trump po i çon Shtetet e Bashkuara drejt rrugës së një lufte të tretë botërore. Ah sikur ta plotësonte thënien e tij duke shtuar: “…me nxitjen e Beniamin Netanjahut”, i cili e shtyn drejt kësaj humnere dhe me një shpejtësi rekord.

Ne që jetojmë në Perëndim prej 40 vjetësh nuk besojmë se senatori Corker – duke marrë parasysh edhe postin e tij – flet përçart, ashtu siç nuk besojmë se znj. May pajtohet me Netanjahun për kërcënimin iranian ndaj stabilitetit të Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme në mungesë të një plani rreth të cilit është rënë dakord për të ngacmuar Iranin dhe për ta tërhequr atë në luftë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shqetësimin francez, por ajo që ata e dinë është se lufta e ardhshme, nëse ndizet, nuk do të jetë si paraardhëset e saj.

Fillimi mund të jetë tërheqja nga marrëveshja bërthamore. Hapi i dytë, rivendosja e sanksioneve mbi Iranin. I treti, elementi shpërthyes, vendosja e Gardës Revolucionare në listën e terrorit.

Politikat idiote të Trumpit dhe nxitja izraelite në rritje për përfshirjen e Amerikës në një luftë të re në rajon, ndoshta do të jenë titujt më të bujshëm në fazën e ardhshme… Ditët do ta tregojnë.

*Analizë e publikuar më datë 9.10.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ pt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne