Alban Culi godet ezmeren Evi Kokalari

Publicisti Alban Çuli ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Evi Kokalarit, duke e akuzuar për përhapje paniku dhe përçmim ndaj besimit islam. Në një shkrim plot ironi, Çuli thotë se Kokalari “ka arritur të shpikë pas Melonit”, duke e quajtur këtë “një arritje të rrallë në fushën e parashikimeve retroaktive”.

Ai ironizon fort teorinë e saj për “xhihadin në sheshin Skënderbej”, duke e përshkruar si “një përzierje mes liturgjisë dhe ‘Breaking News’”, ndërsa thekson se lutja e Bajramit nuk është kërcënim për shtetin laik, por një traditë e popullit që e njeh historinë dhe Skënderbeun më mirë se “ata që flasin për civilizim perëndimor pa e lexuar kurrë një libër”.

Çuli e mbyll me një kritikë të fortë ndaj retorikës islamofobe, duke thënë se “kombi nuk ngrihet duke luftuar Zotin e vet”, dhe se kush përpiqet të çlirojë shqiptarët nga ‘errësira islame’, përfundon në errësirën e injorancës.


Reagimi i plotë i
Alban Çulit:

Në fakt, është për t’u përgëzuar: më në fund, një shpikës shqiptar ka arritur të shpikë pas Melonit. Kjo është arritje e rrallë në fushën e “parashikimeve retroaktive”, një degë e re e mendimit publik ku ideja lind pas lajmit, por me pretendimin se doli më parë.

Pastaj, kjo teoria e “xhihadit në sheshin Skënderbej” është vërtet skenari më origjinal që mund të prodhojë një mendje që e përzien liturgjinë me “Breaking News”.
Po të dëgjosh këta, duket sikur lutja e Bajramit në shesh është operacion sekret për rrëzimin e shtetit laik dhe vendosjen e kalifatit në Tiranë. Në realitet, është po ai popull që e njeh Skënderbeun më shumë se këta “civilizuesit” që s’e kanë hapur asnjë libër përveç ndonjë manifesti francez të shek. XIX.

Tani, për pjesën e “rikthimit në civilizimin perëndimor”, nuk dihet mirë cili version i Perëndimit kërkohet, ai që shpalli lirinë e fesë, apo ai që digjte njerëz për mendime të ndryshme?
Se po të jetë ky i dyti, atëherë po, ndoshta do ta arrijmë, me këtë frymë.

Në fund, është pothuaj ironike që ata që flasin për “errësirën e Islamit” e bëjnë me tone histerike, të verbra ndaj historisë, filozofisë dhe qytetarisë që islami e solli këtu kur Europa ende debatonte nëse femra kishte shpirt apo jo.
Dhe si për ironi të fundit, çdo herë që këta “shpëtimtarë” flasin për “dritën e Perëndimit”, ndriçimi i tyre zgjat sa bateria e një telefoni të TEMU.

Prandaj, nëse “shpëtimi” i Shqipërisë do të vijë nga ndalimi i shamive dhe nga paranoja ndaj lutjeve, atëherë s’po flasim për rilindje perëndimore, por për inkuzicion me broadband.
Kombi nuk ngrihet duke luftuar Zotin e vet, as duke rikthyer errësirën me emrin “dritë”.
Sepse historia ka një humor të zi: sa herë që dikush është përpjekur të çlirojë shqiptarët nga “errësira islame”, ka përfunduar duke u zhytur vetë në errësirën e injorancës.
Dhe kjo, po, është ajo errësirë që s’e ndriçon dot as Meloni, as kopjuesit e saj me komplekse “civilizuese”./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq