Pesë këshilltarë të IRGC-së u vranë në agresionin izraelit në Siri

Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit njoftoi se pesë nga këshilltarët e tij ushtarakë janë vrarë në një sulm izraelit në kryeqytetin sirian. IRGC tha në një deklaratë të shtunën se këshilltarët ishin martirizuar së bashku me një numër forcash siriane në sulmin në Damask. Sulmi kishte në shënjestër një ndërtesë banimi trekatëshe në lagjen Mezza të qytetit, e cila strehon disa misione diplomatike.

“Edhe një herë, regjimi barbar dhe kriminel sionist nisi një agresion në qytetin e Damaskut, kryeqytetin e Sirisë, dhe një numër forcash siriane dhe katër këshilltarë ushtarakë të Republikës Islamike të Iranit ranë dëshmorë gjatë sulmit ajror të regjimit uzurpator sionist”, thuhet në deklaratë. IRGC fillimisht kishte njoftuar se katër nga këshilltarët e saj ushtarakë u vranë në sulmet izraelite, por më vonë tha në një deklaratë se një tjetër këshilltar ushtarak u martirizua si pasojë e plagëve të rënda.

Izraeli shpesh sulmon pozicionet ushtarake brenda Sirisë, veçanërisht ato të luftëtarëve të rezistencës, të cilët kanë luajtur një rol kyç në ndihmën e ushtrisë siriane në luftën e saj kundër terroristëve të mbështetur nga jashtë.

Regjimi i Tel Avivit gjatë muajve të fundit ka kryer sulme ajrore në vende të ndryshme në Siri dhe Liban, ndërsa entiteti i paligjshëm sionist përpiqet të zgjerojë agresionin e tij kundër palestinezëve në Rripin e Gazës në fronte të tjera në të gjithë rajonin. Muajin e kaluar, një sulm ajror izraelit në një lagje të Damaskut vrau gjeneralin iranian Sejed Razi Mousavi, një këshilltar i vjetër i IRGC-së në Siri./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne