4 këshilltarë të Gardës Revolucionare të Iranit vriten në një sulm izraelit në Damask

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike iraniane (IRGC) njoftoi sot se katër këshilltarë të saj janë vrarë në një sulm izraelit në kryeqytetin sirian, Damask. Në një deklaratë, IRGC-ja tha se “përveç vrasjes së katër këshilltarëve ushtarakë që shërbenin në Siri, pati edhe vdekje midis forcave siriane” në sulmin izraelit.

Në deklaratë nuk jepet asnjë informacion shtesë për numrin e të vdekurve në forcat siriane. Agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi gjithashtu se katër anëtarë iranianë të IRGC-së u vranë në një sulm izraelit në një lagje në kryeqytetin sirian. “Dy këshilltarë të lartë ushtarakë të IRGC-së në Siri dhe dy anëtarë të tjerë të IRGC-së u martirizuan në sulmin ajror të regjimit sionist izraelit në kryeqytetin sirian, Damask”, raportoi agjencia.

Ndërkohë, agjencia siriane e lajmeve SANA konfirmoi sulmin pa dhënë detaje në lidhje me viktimat. Izraeli kreu të shtunën një sulm që kishte në shënjestër një ndërtesë banimi në lagjen Al-Mazah, në perëndim të Damaskut, raportoi agjencia.

Një organizatë joqeveritare, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha në një deklaratë se një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në lagjen Al-Mazah, në perëndim të kryeqytetit Damask, pranë Xhamisë Al-Muhammadi, si rezultat i një rakete izraelite që shënjestroi një ndërtesë katërkatëshe.

Sipas raportimeve fillestare, sulmi rezultoi me vdekjen e pesë personave, thuhet në deklaratë. Sulmi rezultoi gjithashtu në shkatërrimin e plotë të ndërtesës, tha grupi. Që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011, Izraeli ka kryer herë pas here sulme në Siri ndaj pozicioneve ushtarake që u përkasin grupeve të mbështetura nga Irani dhe ushtrisë siriane./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne