Rajoni

Petricek: Republika Çeke nuk e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Tomas Petriçek, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë flet për refuzimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut nga Këshilli Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, për ndikimin rus në rajon e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Petricek, një valë skepticizmi mbizotëron në Ballkanin Perëndimor, pas vendimit të Këshillit Evropian për të shtyrë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Cili është pozicioni i Republikës Çeke sa i përket zgjerimit të BE-së?

Tomas Petricek: Vendi im e ka mbështetur procesin e zgjerimit si një nga politikat kryesore të Bashkimit Evropian. I kemi mbështetur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në synimet e tyre për t’u bërë anëtare të BE-së. Unë personalisht e konsideroj vendimin e Këshillit Evropian në tetor si dështim. Për ne është e rëndësishme tani t’i sigurojmë partnerët tanë në Ballkan se ne do të duam të punojmë me ta. Procesi është ende i besueshëm. Ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të brendshme. Por, për ne është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes, angazhimet e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përparim gjatë viteve të kaluara dhe ne duhet t’i inkurajojmë që të vazhdojnë dhe ta bëjnë rolin e Bashkimit Evropian në rajon të besueshëm.

Radio Evropa e Lirë: E quajtët dështim (shtyrjen e datës nga BE-ja). Cilat mund të jenë pasojat?

Tomas Petricek: Jemi në kontakt me të dyja vendet. Besojmë se përparimi do të vazhdojë. Të dyja vendet duhet të vazhdojnë me reformat. Në të njëjtën kohë vazhdojnë aktivitetet, takimet me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për t’iu shpjeguar se procesi dhe politika e zgjerimit është ajo që do të sjellë stabilitet dhe siguri në rajon, i cili tashmë është i rrethuar me vende të BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni idenë për një “partneritet të posaçëm” midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në vend të anëtarësimit të tyre të plotë?

Tomas Petricek: Për Republikën Çeke, duhet të ketë perspektivë të besueshme të anëtarësimit. Ne besojmë se procesi i integrimit bazohet në merita, porse duhet të ketë përkushtim të fuqishëm në anën tonë, që këto vende, sapo t’i përmbushin të gjitha kushtet për anëtarësim, të lejohen brenda (BE-së).

Radio Evropa e Lirë: Shumë i kanë bërë thirrje BE-së që të përshpejtojë procesin e zgjerimit për të mbrojtur Ballkanin nga ndikimi negativ i Rusisë. Si e shihni përfshirjen e Rusisë në rajon?

Tomas Petricek: Për ne është e rëndësishme që BE-ja të mbetet partner i besueshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi partnerë që kemi ambicie jo vetëm për të siguruar stabilitet në rajon, por edhe mirëqenie ekonomike dhe sociale për njerëzit që jetojnë në rajon. Gjatë vizitës sime në Maqedoninë e Veriut kemi diskutuar shqetësimet për ndikimin e mundshëm të aktorëve që nuk mbështesin demokracinë, liritë dhe sundimin e ligjit në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni valën në rritje të ndjenjës pro-ruse në vendet si Serbia, apo edhe në pjesë të Bosnjës, si Republika Srpska?

Tomas Petricek: Kemi biseduar me partnerët tanë në të gjitha vendet, për t’i siguruar, për t’iu garantuar se procesi i zgjerimit nuk është këtu për neve, por është kryesisht për shkak të ndryshimeve pozitive për njerëzit që jetojnë në këto vende. Ne do të duhet të komunikojmë në mënyrë më aktive edhe me publikun në rajon, (t’i tregojmë) se reformat që i kërkojmë do të krijojnë ambient më të mirë biznesi, do t’i forcojnë institucionet demokratike dhe do të përmirësojnë jetën e njerëzve.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, si i shihini marrëdhëniet e vendit tuaj me Rusinë?

Tomas Petricek: Përpiqemi (të kemi) marrëdhënie korrekte me Rusinë. Ne jemi (vend) anëtar i BE-së dhe ne e respektojmë qasjen e përbashkët, sidomos pas aneksimit të Krimesë (nga Rusia) dhe konfliktit në lindje të Ukrainës. Ne zbatojmë regjimin e sanksioneve dhe nuk e kemi ndryshuar qëndrimin, sepse nuk ka pasur ndonjë ndryshim pozitiv nga pala ruse.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Petricek, presidenti çek, Millosh Zeman, ka premtuar se do të kërkojë nga Republika Çeke tërheqjen e njohjes së Kosovës. A po e shqyrtoni këtë ju dhe kolegët tuaj në qeveri?

Tomas Petricek: Jo. Qeveria çeke nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Ne e kemi njohur Kosovën në vitin 2008 si shtet të pavarur dhe përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie korrekte dhe pozitive me Kosovën. Ne i mbështesim të gjitha vendet në rajon për t’u bërë anëtare të BE-së, sepse është në interes të stabilitetit dhe sigurisë evropiane, por po ashtu është edhe mënyrë për zgjidhjen e shumë problemeve lokale, shumë tensioneve rajonale. Në të njëjtën kohë e mbështesim edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të tejkaluar të kaluarën dhe për të shikuar se si mund të jetojnë së bashku në Evropën e bashkuar.

Radio Evropa e Lirë: Përveç mospajtimeve midis Qeverisë dhe presidentit çek për çështjen e Kosovës, mospajtime ka edhe brenda vetë Qeverisë. Ju nuk jeni pajtuar me ministrin e Brendshëm, Jan Hamacek, për të mbështetur ose jo përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpol-it. Çfarë i nxit këto ndarje?

Tomas Petricek: Ne i mbështesim ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare. E kemi diskutuar me ministrin e Brendshëm dhe i kemi paraqitur argumentet në favor, sidomos kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar. Ne besojmë se Interpol-i luan një rol të rëndësishëm. Ka qenë Kosova që në fund e ka tërhequr aplikimin për t’u bërë anëtare, por ne do të donim të punonim me autoritetet e Kosovës për të përmirësuar situatën, kur bëhet fjalë për krimin, luftimin e rrjeteve të organizuara të kriminelëve, sepse kjo është edhe në interes të sigurisë në rajonin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Do ta shikoni lojën e futbollit midis Kosovës dhe Çekisë, javën e ardhshme?

Tomas Petricek: Do të përpiqem. Duhet të pranoj që nuk e kam parë lojën e fundit dhe shpresoj se do të dalim më mirë kësaj here.

Radio Evropa e Lirë: T’i kthehemi dialogut. Edhe ju e përmendët atë. Kosova dhe Serbia pritet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara kanë dy të dërguar për këtë proces. Bashkimi Evropian pritet ta emërojë të tijin. Këto janë përpjekje të mëdha diplomatike. Si e shihni këtë proces? A mund të bëjnë paqe Kosova dhe Serbia?

Tomas Petricek: Besoj. Shpresoj të shohim përparim në dialog në muajt e ardhshëm. Sa i përket Bashkimit Evropian, ne presim tani emërimin e përfaqësuesve të rinj, të përbërjes së re të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë. Josep Borrell, i cili e ka kaluar me sukses seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian, tashmë ka deklaruar se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është në listën e prioriteteve të tij. Mund të them se Republika Çeke e mbështet rolin e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces. Kemi diskutuar me partnerët në të dyja palët, ne presim nga ta që t’i shmangen çfarëdo hapi që mund të rrezikojë dialogun, siç janë masat kufizuese (v.j.taksa) që kanë ndërmarrë autoritetet e Kosovës, apo mungesa e vullnetit për komunikim me palën tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Borrell vjen nga Spanja, një nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. A mund të ndryshojë kjo diçka?

Tomas Petricek: Josep Borrell do të përfaqësojë Bashkimin Evropian dhe jo Spanjën dhe ka qenë i shumë i hapur dhe i zëshëm kur ka thënë se kjo është prioritet i tij. Por, besoj se rol kanë edhe vendet anëtare. Kemi vende anëtare që e njohin Kosovën, kemi disa vende anëtare që nuk e kanë njohur, por kjo nuk na pengon të zhvillojmë marrëdhënie të mira edhe me Prishtinën, edhe Beogradin./balkanweb

OPINIONE