Kushtetuesja pritet të vendosë gjatë kësaj jave lidhur me këtë çështje sensitive, ndërsa Kryeministri deklaroi se një ministër largohet nga detyra kur jep dorëheqjen, shkarkohet Kreu i Qeverisë ose dënohet me vendim të formës së prerë…
Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij ‘Flasim’ ka zgjedhur të sqarojë qëndrimin e Venecias dhe Gjykatës Europiane të Strasburgut lidhur me kërkesat e prokurorisë për pezullimin e anëtarëve të Qeverisë.
Rama iu referua rastit të Belinda Ballukut, e cila me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, është pezulluar nga funksionet qeveritare, si ministre e Infrastrukturës dhe zv.Kryeministre.
Rama tha se si nga Venecia ashtu edhe nga Gjykata e Strasburgut, një vendim i tillë është i paimagjinueshëm, ndërsa e konsideroi një precedent të paimagjinueshëm.
Duke i qëndruar tezës së ky vendim është një ndërhyrje e një pushteti ndaj një pushteti tjetër, Rama tha se nëse Shqipëria do të hynte në Europë me një vendim të tillë të dhënë nga GJKKO, kjo do të ishte ulëritëse.
Ndërsa e cilësoi këtë vendim si një absurditet të rrezikshëm, Edi Rama tha se shpreson që Gjykata Kushtetuese t’I japë drejtim kësaj çështjeje.
Qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pas vendimit të GJKKO-së që vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, lidhur me hetimet për tunelin e Llogarasë, ndërsa zv.Kryeministrja tashmë e pezulluar, është marrë e pandehur.
Kushtetuesja pritet të vendosë gjatë kësaj jave lidhur me këtë çështje sensitive, ndërsa Kryeministri deklaroi se një ministër largohet nga detyra kur jep dorëheqjen, shkarkohet Kreu i Qeverisë ose dënohet me vendim të formës së prerë.
Edi Rama e konsideroi vendimin e pezullimit një presion politik, ndërsa tha se një prokuror dhe një gjykatës u bënë bashkë kokë më kokë dhe morën një vendim të paprecedentë, të cilin e cilësoi si shfaqje ulëritëse papjekurie demokratike dhe institucionale.
Në apelin e tij, Kryeministri ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që tia kursejë Shqipërisë këtë shfaqje kur gjyqësori pezullon nga detyra anëtarët e Qeverisë.
“Një debat i hatashëm ka mbushur boshllëkun e klubeve mediatike dhe pasqyrave sociale pasi një prokuror dhe një gjykatës kokë më kokë pezulluan një anëtar të kabinetit qeveritar.
Nuk dua të hyj në debat për një absurditet kaq të rrezikshëm sa ky dhe pres me durim që Gjykata Kushtetuese t’i japë drejtim çështjes së kësaj rruge të pashkelur askund në Evropë dhe në Botë.
Ndaj, po ndaj me ju sot atë se çfarë thonë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane e Strasburgut. Qëndrimi i Venecias është i prerë: gjykatat nuk mund të pezullojnë anëtarë të Qeverisë, sepse duke bërë këtë cënojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë që një ministër është figurë publike, nëse gjykata e pezullon, praktikisht ndërhyn në punën e Qeverisë, merr kompetencat e Kryeministrit dhe Presidentit. Duke e bërë këtë, gjykatat krijojnë mundësinë e instrumentalizimit të drejtësisë. Komisioni i Venecias e ka thënë: masat e pezullimit vlejnë për nëpunësit jo për anëtarët e qeverisë.
Së fundmi pezullimi gjyqësor i ministrit është de facto presion për shkarkimin e tij. Kur pezullohet një ministër, pezullohet e gjithë vendimarrja për një apo më shumë sektor që Kryeministri mund të mbulojë.
Gjykata e Strasburgut nuk është ndeshur kurrë me këtë absurd dhe nuk ka dhënë asnjëherë asnjë vendim specifik kur të përmendet fjala pezullim i ministrit nga gjykata. Në asnjë shtet evropian nuk ka ndodhur që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen bashkë në errësirë dhe të pezullojnë një ministër. Kjo që kanë bërë në Shqipëri, është një tentativë e padëgjuar, një ide e pazhvilluar më parë dhe një rrugë e paimagjinuar askund tjetër se mund të shkelet nga gjyqësori”, tha Rama./pamfleti


















