Piedestalet bosh të tradhtarëve (II)

Shaqir Vukaj

(Kliko KETU për të lexuar pjesën I)

Kush kujton vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, duhet të mbajë mend se në bulevardin Dëshmorët e Kombit ishin varur 40 portrete të klerikëve të persekutuar, për të cilët Vatikani që në vitin 2002 kishte filluar procesin e kanonizimit, një proces i gjatë dhe tepër i koklavitur, që realizohet nëpërmjet disa procedurave të përcaktuara me saktësi. Por në mes të tyre nuk ishte portreti i Patër Anton Harapit dhe i disa priftërinjve të njohur e me emër, jo vetëm si klerikë, por në radhë të parë për aktivitetin politik, që gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste ishin “ngatërruar” në politikë dhe kishin bashkëpunuar fort me pushtuesit, madje ndonjëri ishte vrarë duke luftuar me armë në dorë, kur dihet botërisht se ligjet e shenjta përjashtojnë pjesëmarrjen e priftërinjve në luftë me armë në dorë…

Pa u zgjatur me shumë emra do të përmend disa prej tyre si Dom Nikoll Gazulli (bashkëpunëtor i pushtuesve italianë e gjermanë, vrarë duke luftuar kundër forcave qeveritare mbas çlirimit të Shqipërisë), At Daniel Gjecaj (arratisur në Jugosllavi), Mark Gjani (bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Marka Gjonit), Imzot Frano Karma (anëtar i Bllokut Indipendent, krijuar në Itali nga Gjon Marka Gjoni), Imzot Bernardin Shllaku (anëtar i Komitetit Qendror të Demokristianes), At Lek Luli ( përfaqësues i Demokristianes pranë organizatës së Legalitetit), që ka luftuar me armë në dorë kundër partizanëve dhe është pushkatuar prej tyre në v.1944 etj.

I përmenda këta priftërinj, pa u ndalur në veprimtarinë e tyre politike në shërbim të pushtuesit vetëm sepse, megjithëse të persekutuar, Vatikani nuk i kishte përfshirë në procedurat për kanonizim. Dhe për këdo që e njeh sadopak veprimtarinë e Vatikanit e mënyrën si punon ai, është e qartë përse ai i ka shmangur këta priftërinj kolaboracionistë. Megjithatë, shkurtimisht do të përmend një rast konkret e tepër kuptimplotë se si ka vepruar e vepron Vatikani edhe sot e kësaj dite ndaj kolaboracionistëve.

Në vitin 1939, mbas pushtimit të Çekosllovakisë, u shpall “Republika e Sllovakisë”, një shtet gjoja i pavarur, por që ishte krejtësisht nën kontrollin dhe urdhrat e Berlinit i cili caktoi në krye të “shtetit sllovak”, priftin katolik Jozef Tiso. Në kuadrin e ndjekjeve, persekutimeve, internimeve e burgosjeve të patriotëve sllovakë, “qeveria sllovake” mori masa drastike edhe kundër hebrenjve. Në zbatim të urdhrave të Berlinit u internuan rreth 80 mijë hebrenj në kampet e përqendrimit në Poloni, Gjermani etj. 70 mijë prej të cilëve u vranë…

Vatikani, duke parë këto krime të llahtarshme që bëheshin në një “shtet të pavarur” që drejtohej nga një parti, që ishte krijuar nga një prift katolik (Glinka) dhe me kryetar shteti po një prift katolik (Jozef Tiso) vendosi të mbajë qëndrim dhe sigurisht të pastrojë edhe veten… Me vendim të posaçëm Vatikani e çregjistroi nga lista e prelatëve të Papatit dhe i hoqi titullin e Monsinjorit, madje sipas disa studiuesve edhe e çkishëroi. Dua të përmend se për krimet e bëra, kryetari Jozef Tiso, u dënua me varje.

Duhet pasur parasysh se kanonizimi gjithnjë e më shumë ka marrë karakter politik, madje edhe kanonizimi i 40 martirëve shqiptarë duhet parë edhe nga ky kënd, dhe pikërisht për këtë arsye Vatikani nuk i përfshiu Patër Anton Harapin e disa priftërinj shqiptarë në procedurat e kanonizimit, sepse ata ishin marrë “më shumë se duhej” me politikë dhe kishin qenë shumë aktivë në shërbim të pushtuesve nazifashistë.

Vatikani ka shumë dritëhije në historinë e tij, por qëndrimi ndaj Patër Anton Harapit e klerikëve kolaboracionistë shqiptarë duhet përshëndetur, ashtu siç duhet përshëndetur e marrë si shembull qëndrimi i Papa Françeskut ndaj fashizmit. Dua të kujtoj se, në mesazhin e tij, drejtuar besimtarëve katolikë, me rastin e festës së pashkëve, në prill 2015 ndërmjet tw tjerave, ai duke folur për tragjeditë e njerëzimit gjatë shekullit të 20-të, ndër të parët radhiti fashizmin… Është tepër kuptimplotë vendimi i ditëve të fundit i Papa Françeskut për të hapur dokumentet e Vatikanit të Luftës Dytë Botërore.

Mirëpo, fatkeqësisht në Shqipëri, në ndryshim me vendet demokratike të Europës, duke mos nxjerrë mësim nga qëndrim i Vatikanit, disa të ashtuquajtur demokratë, historianë, shkrues etj. vazhdojnë t’i thurin lavde kolaboracionistëve. Në këtë kuadër bëjnë përshtypje shkrimet e Dashnor Kaloçit për Gjelosh Lulin dhe Gjargj Vatën botuar në gazetën Tema më 8 dhe 15 shkurt 2019.

Së pari për Gjelosh Lulin. Shkrimi është përmbledhje e një shkrimi të Gjon Fran Ivezaj, botuar në Trepça. net, më 14.9.2005, madje autori ka marrë disa paragrafë pa u ndryshuar asnjë presje. Sido qoftë është problem i autorit dhe atyre që botojnë gjëra të tilla të kopjuara.

Kryesorja, ç’përfaqësonte Gjelosh Luli? Edhe ai si Patër Anton Harapi, që ditën e parë të pushtimit nga Italia fashiste ka qenë bashkëpunëtor i fashizmit dhe me kapitullimin e Italisë fashiste ai ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të pushtuesve të rinj, nazistëve gjermanë, duke arritur postin më të lartë ushtarak për atë kohë, atë tw Komandantit Ushtarak për Qarkun e Shkodrës.

Ai rridhte nga një familje e shquar patriotike e Malësisë së Madhe, nga familja e Ded Gjon Lulit.

Mbasi ka mbaruar Akademinë Ushtarake në Torino (Itali) ka shërbyer si oficer artilier në Shkodër. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, në ndryshim me komandantin e tij, rusin e bardhë Kucuk Ullagai, që, siç kam shkruar më lart, ishte gati të luftonte për mbrojtjen e Shkodrës, Gjelosh Luli jo vetëm që nuk u bashkua me të, e nuk zbrazi qoftë edhe një pushkë për të mbrojtur atdheun, por me thirrjen e parë që pushtuesi u bëri oficerëve të periudhës së ish mbretit Zog, u vu në dispozicion të tij dhe veshi uniformën e re ushtarake, atë të Italisë fashiste, të cilën e mbajti “me nder” deri ditën e kapitullimit të saj… e më vonë po “me nder”, deri në çlirimin e Shqipërisë, mbajti uniformën e pushtuesit gjerman.

Krahas Gjelosh Lulit, Kaloçi ka botuar edhe një shkrim për Gjergj Vatën. Edhe ky ish oficer i periudhës së mbretërisë, që kishte mbaruar studimet në Torino (Itali). Edhe ai si Gjelosh Luli, gjatë pushtimit italian u vu plotësisht në shërbim të pushtuesit dhe arriti deri në detyrën e Z/Komandantit të Rrethit Shkodër. Menjëherë mbas pushtimit gjerman, në shtator të v.1943, u emërua nga nazistët Komandant i Rrethit Shkodër. Për “punë të mirë”, në prag të çlirimit të Shqipërisë, në fund të shtatorit 1944, mbasi Llesh Marashi braktisi detyrën (një histori tjetër kjo e këtij bashkëpunëtori të nazizmit gjerman), Gjergj Vata u emërua Komandant i Xhandarmerisë së Qarkut Shkodër. Për aktivitetin e tij, si bashkëpunëtor i zellshëm i fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, i është bërë atentat nga njësitet guerile të Shkodrës…

Për të dy këta kolaboracionistë ka me dhjetëra dokumente në arkivat tona që vërtetojnë bashkëpunimin dhe aktivitetin e tyre në shërbim të pushtuesve, kështu që në se ndonjëri është i interesuar, mund t’i gjejë pa asnjë vështirësi….

Nuk kam ndërmend të polemizoj me Kaloçin, sepse ai është mësuar të shkruajë havadan, pa fakte e dokumente, duke iu referuar djalit, vajzës, djalit të hallës, të dajës etj. etj. të personazheve për të cilët shkruan… (Vitin e kaluar RTSh shfaqi një dokumentar, e që për turpin e tij e ka përsëritur disa herë, për një deputet të vrarë në kohën e Partisë Punës, titulluar “Shpella e lirisë”, bazuar në një shkrim të Kaloçit, ku ai ishte edhe drejtor, me plot të pavërteta, broçkulla, shtrembërime e gënjeshtra, pa shfrytëzuar e pa iu referuar asnjë dokumenti e fakti, megjithëse në arkivin e Kuvendit Popullor, Komitetit Qendror të Partisë sw Punës e sidomos të Ministrisë sw Brendshme ka dokumente pa fund. Vetëm në këtë të fundit është një dosje sekret prej 170 faqesh).

I gjithë shkrimi për Gjelosh Lulin bazohet në tregimin e vajzës së tij, ndërsa ai për Gjergj Vatën është bazuar në tregimin e nipit të tij. Kushdo i kupton ndjenjat e të afërmve të tyre, kështu që ata duhen mirëkuptuar por… problemi është tek qatipët që shkruajnë për ta, por edhe tek ata që i nxisin dhe siç duket i paguajnë që të heroizojnë kolaboracionistët.

Në shkrimin për Gjelosh Lulin tërheq vëmendjen një emërtim i ri, i përdorur nga Dashnor Kaloçi për të, duke dashur t’ia rrisë edhe më shumë “heroizmat e lavdinë”: Komandant i Përgjithshëm i Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe.

Autori dhe të tjerë bashkëmendimtarë të tij duke dashur të justifikojnë kolaboracionizmin e tyre deri në fund me pushtuesit, përpiqen të kapen mbas gjoja antikomunizmit të tyre, të cilin e shfaqën me qëndrimin e tyre menjëherë mbas çlirimit të vendit, kur ata iu kundërvunë me armë në dorë pushtetit të ri që sapo vendosej. Disa herë është shkruar për qëndresën me armë të malësorëve të kësaj krahine e deri tek “Kryengritja e Malësisë së Madhe” siç e quante Uran Butka para pak vitesh në librin e tij “Kryengritjet e para kundër komuniste”.

Por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Në Malësi të Madhe nuk ka pas kurrë Forca Nacionaliste të Malësisë së Madhe, të organizuara në ato përmasa, ku sipas Kaloçit, Gjelosh Luli paska qenë Komandant i Përgjithshëm, siç nuk ka pas as “Kryengritje të Malësisë së Madhe”. Siç duket autori e ka parë diku të shkruar për të se ka qenë komandant. Po, është e vërtetë se ai ka qenë komandant, por ka qenë në periudhën e pushtimit gjerman, si kolaboracionist, Komandant i Forcave Ushtarake për Qarkun e Shkodrës.

Në Malësi të Madhe, ndryshe prej disa zonave të tjera, nuk ka pasur asnjë rezistencë të armatosur kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare e cila ka hyrw lirisht, dhe që ditët e para ka filluar puna për krijimin organeve të pushtetit të ri.

Është e vërtetë se disa prej bashkëpunëtorëve më të zellshëm të pushtuesve italianë e gjermanë si Llesh Marashi (Komandant i Xhandarmerisë së Qarkut të Shkodrës-Mjafton vetëm një shembull për veprimtarinë e tij. Me firmën e tij janë internuar në kampin e Prishtinës rreth 200 të rinj nga Shkodra, rreth 80 prej të cilëve janë pushkatuar. Dhe shumica dërmuese e tyre nuk kishin asnjë lidhje me komunizmin, por ishin antifashistë që aspironin për një Shqipëri të lirë), Gjelosh Luli, Nikoll Deda (Sipas dokumenteve italiane spiun i SIMIT. Kryetar i Komunës Shkrelit) për të cilin është shkruar para disa kohëve, Kolë Ashiku (i njohur që në rini si spiun i të huajve (për llogari të armiqve të Shqipërisë ka vrarë patriotin Sali Nivica). Mbas daljes nga burgu është vënë në shërbim të jugosllavëve dhe ka jetuar shumë vite në Beograd. Mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, është vënë në shërbim të italianëve si spiun, veprimtari që e ka vazhduar edhe gjatë pushtimit gjerman. Në hetuesi, në v.1946 ka pranuar dhe ka folur konkretisht për veprimtarinë e tij si spiun, madje ka pohuar se “sa iku Zogu, spiunët e tij u bënë spiunë të Italisë, sa kapitulloi Italia fashiste, të nesërmen, ata (spiunët që ai i përmend me emra), kanë ardhë tek unë për t’u regjistruar si spiunë të Gestapos”), Gjek Selca, etj. shumë prej tyre me origjinë nga kjo krahinë, të cilët për t’iu shmangur gjykimit të drejtësisë për fajet që kishin bwrw si bashkëpunëtorë të pushtuesit, ikën dhe u fshehën nwpwr malësi.

Duke përfituar nga emri i familjeve të tyre, pozitat në të kaluarën, zakonet, traditat, miqësitë, urrejtja që ishte ushqyer vite me radhë kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare, ata filluan punën për organizimin e grupeve të armatosura për t’iu kundërvënë pushtit të ri që po vendosej.

Sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmive të pjesëmarrësve, organizatori kryesor ishte Llesh Marashi i cili arriti të mblidhte rreth vetes një grusht malësorësh, madje të bënte dy aksione të armatosura.

Kështu më 23 janar ata sulmuan postën e sapo krijuar të Bajzës ku nga përplasja me armë u vranë dy partizanë. Siç ka pohuar ai në gjyq “Kur kam shkue në Bajzë kam kenë vet i dhjeti…”. Mbas Bajzës, ata sulmuan Koplikun dhe duke përfituar nga fakti se aty nuk ndodheshin forca të Ushtrisë Nacional Çlirimtare e “pushtuan” brenda një kohe tepër të shkurtër dhe siç ka pohuar ai në gjyq “Kur ramë në Koplik kemi ba gjysëm ore pushkë”.

Sapo u nisën drejt Shkodrës, tek ura e Rrjollit (rreth 5 km larg Koplikut) u ndeshën me forcat e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, dhe mbas një përpjekje të armatosur që zgjati pak orë u shpartalluan dhe morën arratinë duke u fshehur maleve e shpellave, deri sa pjesa më e madhe e tyre u dorëzua ose u arrestua, përfshirë dhe organizatorin e tyre, Llesh Marashin. Ndonjë prej tyre, si Gjelosh Luli, vazhdoi të fshihej për një kohë të gjatë, deri sa në vitin 1947 është gjetur i vdekur (siç kanë thënë vendasit që e kanë gjetur, ai ishte ngrirë nga të ftohtit) i dekompozuar deri në atë shkallë, sa ka qenë e vështirë për t’u identifikuar. Ato që shkruan Kaloçi për koka të prera etj. (njëlloj edhe për Gjergj Vatën) zor që mund t’i besojë kush…

Është interesant fakti se nga shumë dëshmi e proces verbale të gjyqeve të zhvilluara, të cilave u referohet Uran Butka në librin e tij “Kryengritjet e Malësisë së Madhe”, nuk përmendet emri i Gjelosh Lulit, si ndër organizatorët apo komandantët e “forcave kryengritëse”.

Vijmë tek emri i madh që Kaloçi i vë Gjelosh Lulit, Komandant i Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe, madje as vet Llesh Marashi nuk e ka quajtur veten të tillë, sepse 20 apo 30 vetë, pra një grushti njerëzish, sa arriti të grumbullonte ai, kurrsesi nuk mund t’i vësh emra të tillë bombastikë si Forcat e Armatosura të Malësisë së Madhe

Sa për sqarim zotit Kaloçi e atyre që shkruajnë të pavërteta si ai, u rekomandoj të shohin arkivat sepse ka dokumente pa fund, fatmirësisht edhe italiane e gjermane të atyre viteve. Sipas dokumenteve italiane, pushtuesit italianë me disa bashkëpunëtorë të tyre, për të penguar Lëvizjen Nacional Çlirimtare organizuan dy Besëlidhje të Malësisë së Madhe (më 15 shkurt dhe më 30 maj 1943). Mjafton të përmend faktin se në shtabin e kësaj besëlidhje ishte atashuar dhe drejtonte majori i Ushtrisë Italiane, Xhelozi. Por edhe këto besëlidhje nuk e patën jetën të gjatë dhe ato nuk kryen asnjë funksion, dhe Llesh Marashi në gjyq, deklaronte se “Qëllimi ishte të vazhdonim rrugën që na kishte caktuar Besëlidhja e Malësisë së Madhe, për tu bashkue e luftue kundër Nacional Çlirimtares, për të formue çeta kur ta lypte nevoja” …sepse në të vërtetë këtyre besëlidhjeve nuk i kishte mbetur as emri.

Dua të vë në dukje një fakt tjetër interesant, gjithnjë sipas dokumenteve të asaj kohe. Në maj të v.1944, nën tutelën e në bashkëpunim me nazistët gjermanë, në Shkodër ishte krijuar “Besëlidhja Shkodrane”. Si iniciator i kësaj besëlidhje ka qenë patër Anton Harapi, i cili në fillim të vitit 1944 ka shkuar në Shkodër dhe i ka kërkuar parisë së Shkodrës krijimin e kësaj besëlidhje dhe mbas shumë diskutimesh, ecejakesh, në muajin maj është arritur marrëveshja për krijimin e saj. Madje në një mbledhje të organizuar me rastin e krijimit, me të ftuar nga Shkodra, Tirana dhe disa përfaqësues të qeverisë kuislinge, fjalën e rastit e ka mbajtur pikërisht Patër Anton Harapi. Mirëpo, as ajo nuk gjeti mbështetje e përkrahje as Shkodër e as në Malësinë e Madhe, ku organizatorët mbështesnin shpresa të mëdha, madje Llesh Marashi, në cilësinë e Qark Komandantit, në një letër ankohej dhe kritikonte me emra disa prej njerëzve me emër, që nuk po aktivizoheshin në ndihmë të kësaj besëlidhje…

Ndërmjet shumë dokumenteve për patër Anton Harapin, më ka tërhequr vëmendjen një letër e datës 24 tetor 1944, që Dioniz Makaj OFM, i dërgonte nga Nikaj, Provincialit Mati Prendushi, ku ndërmjet tjerave i shkruante:

“Unë i kam dërgue një letër P. Anton Harapit, që të na nisin municione për të luftue partizanët. Në qoftë se gjeni ndonjë mundësi, ju lutem përpiquni për këtë”.

Pak ditë para çlirimit të Shkodrës, u krijua një organizëm tjetër, e ashtuquajtura “Lidhja Shkodrane”, një organizatë gjoja ushtarake, me komandant shërbëtorin e bashkëpunëtorin e të gjithë pushtuesve, Mark Gjon Markaj, me qëllim “që të mos lejonte Ushtrinë Nacional Çlirimtare të hynte në Shkodër”, por që edhe kjo u shpërnda pa u krijuar mirë… dhe shumë prej kolaboracionistëve e tradhtarëve që ishin grumbulluar në Shkodër, pa zbrazur asnjë pushkë ikën me bisht ndër shalë, shumica bashkë me pushtuesit gjermanë, të tjerët si mundën…

Ky ka qenë realiteti i atyre ditëve në Shkodër e Malësi të Madhe.

Me të drejtë lind pyetja kujt i intereson sot në Shqipëri rehabilitimi e heroizimi i kolaboracionistëve, kur në Europën demokratike ky problem konsiderohet i tejkaluar dhe ata kanë marrë dënimin e merituar. Për këta vende e popujt e tyre, kolaboracionistët janë turp kombëtar që nuk i përmend më askush, sepse, sipas tyre, harresa është mënyra më e mirë për dënimin e tyre mbas vdekjes, sepse dënimin e vërtetë, atë fizik e kanë marrë menjëherë mbas lufte.

Mbas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, një nga problemet më të mprehta që doli para fitimtarëve, ishte si duhej vepruar me kolaboracionistët, mbi ç’baza dhe si do të dënoheshin…

Menjëherë mbas përfundimit të luftës, madje ende pa përfunduar, në të gjitha vendet e Europës, qëndrimi e masat kundër kolaboracionistëve kanë qenë tepër të ashpra.

Po t’i referohemi fakteve e shifrave të atyre viteve, për dënimet e tyre, sot duken të pa besueshme. Në Francë janë zhvilluar 170 mijë procese gjyqësore, ku janë dënuar 120 mijë vetë, nga të cilët 6763 vetë më vdekje, pa përfshirë në këtë shifër 4500 vetë të dënuar me vdekje me procese shkurtuara gjyqësore. Sipas të dhënave të disa studiuesve, në Francë janë ekzekutuar për kolaboracionizëm, me vendime të rregullta gjyqësore, gjyqe të shpejtuara ose pa gjyq 20-30 mijë vetë…

Statistikat flasin për qëndrime edhe më radikale në Belgjikë, Norvegji, Holandë, Danimarkë, Luksemburg, Çekosllovaki etj. Kështu në Holandë menjëherë mbas lufte u arrestuan 200 mijë vetë, nga të cilët 100 mijë janë dënuar (200 vetë më vdekje, 5000 vetë nga burgim i përjetshëm deri në 5 vjet, 6000 vetë deri në 5 vjet etj.) në Norvegji (me popullsi 3.3 milionë banorë) u nxorën para gjyqeve 46 mijë kolaboracionistë, nga të cilët 37150 prej tyre u dënuan me afate të ndryshme burgimi, ndërsa 60 prej tyre u pushkatuan. Ish Kryeministri Kuisling u pushkatua para turmave që kërkonin me ngulm ta shihnin me sytë e tyre vdekjen e tij. Në Danimarkë u arrestuan 20 mijë vetë për kolaboracionizëm, nga të cilët u dënuan 15742 vetë (78 vetë u dënuan me vdekje, 62 vetë me burgim të përjetshëm, 3641 deri në katër vite burg etj.). Në Austri 23 mijë vetë u nxorën para gjykatave, nga të cilët 13600 vetë morën dënime të ndryshme, nga të cilët 43 vetë me vdekje, madje edhe në Luksemburgun e vogël u dënuan 10 mijë vetë nga të cilët 12 prej tyre me vdekje.

Përmenda dënimet e kolaboracionistëve në vendet demokratike perëndimore, sepse askush nuk mund të abuzojë (siç ndodhë tek ne) e të justifikojë kolaboracionizmin me pushtuesit, gjoja për të penguar vendosjen e sistemit komunist… Në ato vende as nuk diskutohej vendosja e sistemit komunist, kështu që nuk mund të kishte asnjë lloj justifikimi bashkëpunimi me pushtuesit gjermanë.

Por nuk do lë pa përmendur edhe një vend si Çekosllovakia, ku komunistët erdhën në pushtet në vitin 1948, mbasi ishin zhvilluar pothuajse krejtësisht gjyqet kundër kolaboracionistëve. Arrestimet dhe gjyqet që zhvilloheshin, mbështeteshin në dekretet e Presidentit Benesh, të nxjerra gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1945. Dhe konkretisht mbi bazën e “Dekretit të ndëshkimit të madh”, janë dënuar rreth 100 mijë vetë, nga të cilët 713 vetë me vdekje, 741të tjerë me burgim të përjetshëm etj. Por dua të shtoj se, megjithëse gjatë këtyre 30 vjetëve, janë ndërruar shumë qeveri e parlamente, të djathtë, të majtë apo koalicioni, askush nuk i ka shfuqizuar, dhe sot e kësaj dite atje janë në fuqi shumica e dekreteve të Beneshit, ndërmjet të cilëve edhe ai për sekuestrimin e pasurive të kolaboracionistëve.

Në Europën demokratike, problemet që lidhen me kolaboracionizmin i janë lënë historisë, duke e konsideruar një problem të mbyllur, por jo të “harruar”, sepse ata mbesin tradhtarë dhe askush nuk merret me rehabilitimin e tyre, madje as nuk i përmend askush. Në kuadrin 100 vjetorit të përfundimit të Luftës Parë Botëror, presidenti i Francës, Makron, përmendi heroin e kësaj lufte, por tradhtar i Francës gjatë Luftës Dytë Botërore, Petenin dhe shokët e tij desh e linçuan, sepse Franca nuk ia fal kurrë atij tradhtinë dhe bashkëpunimin me gjermanët (mbas lufte u dënua me vdekje, por Presidenti De Gol ia fali jetën dhe ai vdiq në burg).

Historia, kushdo që do e shkruajë, kurrë nuk mund t’i nxjerrë kolaboracionistë të larë. Asnjë justifikim nuk mund të gjendet se ata bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashist “për interesa të Atdheut”, apo “për të luftuar komunizmin”. Përralla të tilla dëgjon e lexon vetëm në Shqipëri nga disa shkrues, të ashtuquajtur historianë, apo disa politikanë, të cilët, me shkrimet për ta apo dekorimet e titujt që u japin, vetëm sa u shtojnë baltën që kanë hedhur mbi vete e kurrsesi nuk mund t’ua shlyejnë emrin tradhtar i Atdheut.

Në përfundim dua të kujtoj një thënie të para pak ditëve të historianit amerikan Fisher, i cili, në një intervistë për gazetën Panorama, në përgjigje të pyetjes për Mit’had Frashrin, ndërmjet tjerave tha: “Kushdo që bashkëpunon me pushtuesin është vetësakrifikuar dhe emri tradhtar, nga ana e njerëzve, është haraç që ata duhet ta mbajnë”.

Ndërsa një mik imi, historian me emër, shtoi se disa prej atyre që u dalin zot kolaboracionistëve, si puna e Patër Anton Harapit, që shkruajnë apo i dekorojnë, sikur të kishin jetuar në periudhën e Luftës Dytë Botërore, do të kishin qenë të gatshëm për t’u vënë në shërbim të pushtuesve…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne