PIKËPAMJET E MBRETËRVE TË FUQIVE TË MËDHA PËR SHTETIN SHQIPTAR (1912-1913)

Nga Xhafer Sadiku
Kombi që rrezikohej nga lufta e shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane ishin shqiptarët pasi mbi fatet e tij do të ruhej ekuilibri i Fuqive të Mëdha. Interesat e shqiptarëve u bënë objekt diskutimesh edhe mes sovranëve të Fuqive të Mëdha.
Më 8 nëntor 1912 ambasadori i Austro-Hungarisë në Londër pati një takim me mbretin e Anglisë. Për përmbajtjen e bisedës, ai i raportonte ministrit Berchtold: “Unë ia përmenda dendur se po të mos përfillen aspiratat e drejta të shqiptarëve do të bjerë në ujë dëshira e arsyeshme e Madhërisë së tij dhe e sër Eduard Grey për t’a zgjidhur një herë e mirë problemin e Ballkanit. Po t’u jepen shteteve të tjera toka shqiptare, për shumë vjet me radhë, nuk do të pushojnë kryengritjet e brendshme.
Madhëria e tij nxori një hartë gjeografike dhe ambasadori i shpjegoi pozitën gjeografike dhe përbërjen etnografike të Shqipërisë. Mbreti nuk gjeti argumenta për të kundërshtuar, por tha se dëshirat serbe do të përkraheshin deri në një farë pike prej Rusisë.”
Më 21 dhjetor 1912, ambasadori e takoi përsëri mbretin dhe gjatë bisedës kokë më kokë mbreti i përsëriti ambasadorit që Shkodrën t’ia linin Malit të Zi. Ambasadori e kundërshtoi, duke argumentuar se kjo ishte në kundërshtim me të gjitha traditat angleze. Ai theksoi se popullsia e Shkodrës dhe qarkut të saj ishte thjesht shqiptare dhe nuk donte kurrësesi të bashkohej me Malin e Zi.
Në mbrëmjen e 24 janarit 1913, mbreti i Anglisë priti përsëri ambasadorin e Austro-Hungarisë dhe bisedoi gjatë për relacionet e Anglisë me Rusinë, në lidhje me kufijtë e Shqipërisë. Mbreti vuri në dukje se Anglia e përkrahte pikëpamjen që Serbia të kishte një port në brigjet shqiptare të Adriatikut. Në çështjen e Shkodrës e në caktimin e kufirit të Shqipërisë qeveria e tij përkrahte aspiratat ruse. Mbreti foli gjatë për shqetësimin e opinionit publik në Rusi, e sidomos për atë të qarqeve të larta në Petrograd, të cilët kritikonin ashpër madje edhe vetë Car Nikollën. Ambasadori Mensdorf i shpjegoi mbretit se dëshira e Vjenës në caktimin e kufirit të Shqipërisë ishte të krijohej një Shqipëri “që të ishte e zonja të rronte” dhe se “çdo njeri i paanshëm, që e gjykonte çështjen objektivisht, do ta pëlqente doemos pikëpamjen e Vjenës”. Ai vuri në dukje se nuk ishte punë e mençur që çdo aspiratë e Serbisë dhe e Malit të Zi, qoftë dhe fare absurde, të merrej prej Rusisë sikur të ishte një çështje ruse, vetëm se e thoshte një nga ato dy shtete. Këto argumente ai ia tha edhe Eduard Grey-t.
Pas mbledhjes së 25 janarit 1913 të Konferencës së Ambasadorëve, ambasadori gjerman bisedoi me Eduard Grey-n për idenë që, së bashku me ambasadorin e Austro-Hungarisë, të formulonin një farë propozimi të mesëm. Ai mendonte se duhej të pajtohej pikëpamja italo-austriake me atë të Rusisë në çështjen e kufijve të Shqipërisë, sepse kishin arritur në një pikë ku “u kishte hasur sharra në gozhdë”.
Për t’u dakordësuar me Rusinë, Vjena dërgoi në Pererburg princin Hohenlohe i cili u takua me Carin Nikolla II dhe i dorëzoi një letër dhe një mesazh të Perandorit të Austro-Hungarisë. Perandori i shpjegonte Carit se qeveria austro-hungareze nuk kishte ndërmend të ndiqte politikë agresive kundër Serbisë. Hohenlohe bisedoi me Carin edhe për kufijtë e Shqipërisë. Cari kishte pikëpamjen se “nuk e vlente barra qeranë që, për ca kilometra katrore të Shqipërisë më pak apo më shumë”, të armiqësoheshin midis tyre.
Në përgjigjen për Perandorin e Austro-Hungarisë, për çështjen e Shqipërisë, ai, midis të tjerave i shkruante se Rusia, duke çmuar gjerësisht interesat e Austro-Hungarisë, e dha pëlqimin e vet për krijimin e një Shqipërie më vehte. Ajo vet i këshilloi ngadhnjimtarët ballkanikë “për të hequr dorë nga një pjesë legjitime e fitimeve të tyre”. Ky koncesion e bënte të shpresonte që edhe Austro-Hungaria do t’i përfillë interesat jetike të popujve ballkanikë. Ndryshe, nuk ishte e mundur të sigurohej qetësia e përhershme në gadishullin ballkanik. “Fryma ime pajtuese”, – theksonte Cari, – “nuk është çmuar sa duhet, sepse në gjirin e Konferencës së mbledhur në Londër ambasadori im nuk është përkrahur siç shpresohej prej kolegut të vet austro-hungarez, për të zgjidhur miqësisht çështjet e caktimit të kufirit”. Cari vinte në dukje se opinioni publik rus, i tronditur për sakrificat që po u imponoheshin bashkëfetarëve ballkanikë, u impresonua shumë nga mobilizimet e mëdha të Austro-Hungarisë. Sipas tij, ato nuk dukeshin të përligjura, sidomos pasi Rusia shfaqi dëshirën e vet për të zgjidhur problemet e ndërlikuara në mënyrë paqësore. Qendrim të prerë për çështjen e Shkodrës kishte edhe Roma.
Më 28 janar, Mbreti i Italisë i dërgoi një telegraf Mbretit Nikolla ku theksonte se Mali i Zi duhet të hiqte dorë doemos nga aspirata e tij mbi qytetin e Shkodrës. Në 9 shkurt, Berchtold pati një bisedë me Dukën Giuseppe të Avarnës, ambasador i Italisë në Vjenë, ku i përmendi masat e reja që po merrnin serbët e malazeztë për pushtimin e Shkodrës. Ai theksoi se ishte e nevojshme që Vjena dhe Roma, t’u hiqnin vërejtje Serbisë e Malit të Zi që të mos i hynin më kot një lufte, pasi nuk mund të bënte as efektin më të vogël mbi vendimet e Konferencës së Ambasadorëve. Duka i Avarnës e gjeti me vend një masë të tillë, sidomos nga pikëpamja që të evitohej derdhja e gjakut më kot./Gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne