Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka folur për zhvillimet politike në Shqipëri, duke u ndalur te qeveria dhe opozita.
Sipas tij mungesa e një presioni nga opozita ka bërë që qeveria të jetë në një situatë “letargjie”, ndërsa u shpreh se ky është një handikap serioz për qeverisjen.
I pyetur se cila prej qeverive Rama ishte më e suksesshmja për të, ai u shpreh se “plakja është problem” në raste të tilla dhe se “duhet të ri shpiket vetja”.
Sipas tij kjo mund të bëhet duke u përpjekur vazhdimisht në drejtim të reformave dhe jo duke bërë marketingun e gjendjes aktuale.
Sa i përket opozitës Lleshaj tha se “shkërmoqja” e saj nisi në vitin 2019, ndërsa shtoi se vendi ka nevojë që të krijohen alternativa të reja pa rrënjë të thella në histori.
“Mungesa e opozitës është një handikap kryesor për qeverinë dhe vendin. Mungesa e një presioni nga opozita sjellin një situatë letargjie për qeverinë. Mungesa e opozitarizmit të mirë artikuluar e ka shkaktuar këtë situatë.
Nuk e bëj dot një dallim mes qeverive Rama, pasi fillimi është gjithmonë i lidhur edhe me një ndjenjë entuziazmi. Plakja është problem dhe shpikur e rishpikur vetja. Ajo bëhet nga përpjekja permanente për reformat dhe jo për të bërë marketingun e gjendjes aktuale. Mungesa e këtij nervi ndihet.
Nëse duam të kuptojmë opozitën sot duhet të shohim vitin 2019, pasi atëherë filloi shkërmoqja. Aty opozita u përfshi në një dhunë të paprecedentë ndaj institucioneve. U bë një protestë ku nuk funksionoi ajo që synonin. Të nesërmen dolën nga parlamenti dhe më pas tentuan të futen më dhunë aty. Shkatërrimi i tyre është një gjë pozitive për mendimin tim. Është shkatërruar një mentalitet dhune dhe revolucioni. Është shkërmoqur edhe si opsion për marrjen e pushtetit. Kjo retorikë mbaroi në vitin 2019.
Një opsion politik si dhuna rezultoi i pamundur dhe i padobishëm. Nuk mund të luhet më me institucionet, apo faktorin ndërkombëtar. Vendi ka nevojë të krijojë alternativa të reja pa rrënjë të thella në histori”, tha ai./BW