Plas sherri PS-LIBRA për bletët, ja replikat!

Deputeti i LIBRA-s Ben Blushi ditën e djeshme deklaroi se, Rama do të mbahet mend për zhdukjen e bletëve për shkak të kultivimit të kanabisit.

“Edi Rama do mbahet mend per shumë dëme që i ka bërë këtij vendi por një prej tyre është zhdukja e bletëve. Nga mbiprodhimi dhe kultivimi masiv i kanabisit mësohet se afro 40 për qind e koshereve të vendit nuk i kanë rezistuar dot dehjes nga kullotat e hashashit dhe janë shfarosur. Nga 360 mijë koshere bletësh që kishim vjet këte vit kemi 140 mijë më pak. Dëmi i llogaritur për bletërritësit shkon deri ne 60 milion euro. A duhen më shumë arsye për ta hequr një Kryeministër që vret bletët?”, shprehej Blushi dje.

Ndaj këtyre deklaratave të Blushit ka reaguar Sekretarja e Rinisë në Partinë Socialiste Elisa Spiropali, e cila e cilësonte Blushin si një ‘grenxë që urren çdo bletë e çdo nektar’.

“O Blush, duket qartë që je një grenxë që s’ke haber nga bletët. Bletët mor Blush nuk kanë neuroreceptore (cnr) që t’i zërë pija apo tymi i barit, por ti Blush je bërë si Shvejku që thoshte ç’më duhet mua çfarë them unë. Kur them unë që ti Blush lexon vetëm librat e tu, njerëzia kujtojnë se e kam me talentin tënd letrar, për të cilin në fakt nuk kam ndonjë respekt. Sepse ti o Blush je një asshkrimtar aspolitikan, as nektar as bletë, po një dembel qe llafollogjis për të pickuar dynjanë si një grenxë që urren çdo bletë e çdo nektar. Mezi po pres të të shoh o Blush kur të shohësh se nuk të ha njeri as për libër as për libra në 18 qershor”, shkruante Spiropali.

Por ndaj deklaratave të Spiropalit, ka ardhur reagimi dhe akuzat e ashpra nga koordinatorja e LIBRA-s Matilda Terpollari që i ka kërkuar llogari se çfarë lidhje ka me doganierët e arrestuar.

“Ish-doganierja, në vend të na përgjigjet ç’lidhje ka me doganierët e arrestuar, bën biologen. Mos vallë do jetë ministrja e ardhshme e Bujqësisë pas fjalimeve për Skënderbeun? Të paktën shoqen Lenka, e bënë ministre se vilte me të dyja duart. Rilindja bën atë që vjedh me dy duar”, shprehet Terpollari./ dritare.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne