Opinion

Po fillon golemizimi i Jugut

Debati i stërzgjatur mes shtetit dhe pronarëve, prishjeve dhe ndërtimeve, minoritarëve dhe qeverisë, Tiranës dhe Athinës pritet të marë fund këtë të hënë, kur KKT të miratojë pa ndonjë surprizë, Planin Urbanistik të Himarës. Në këtë bashki që, sipas reformës së re territoriale, shtrihet nga Llogaraja deri në Lukovë, do të sanksionohet ndërtimi i resorteve masive që do të ndërpresin njëherë e përgjithmonë lidhjen e kodrave të larta dhe të gjelbëruara, atë të fshatrave tipikë shekullorë, me vijën bregdetare të Jonit. Në pjesën më të bukur të rivierës shqiptare do të fillojë të mbizotërojë betoni, që rrezikon ta shndërrojë në një tmerr turistik, të ngjashëm me atë të republikave të bananeve.

Mes pushuesve të zakonshëm dhe ujit të kaltër do të ngrihet vija imagjinare e vilave me gardhe, kamera dhe roje private që në shumë vende do t’u privojë turistëve aksesin drej e në det.

Për ta përfytyruar më qartë, me këtë projekt të qeverisë Rama, po fillon procesi i golemizimit të Jonit. Mjafton të bësh sot një xhiro nga shkëmbi i Kavajës e deri në afërsi të Karpenit për të kuptuar se si do të jetë nesër fytyra e bregdetit nga Dhërmiu e deri në Borsh.

Natyrisht qëllimi i këtij shkrimi nuk është të hyjë në një debat, ekonomik apo estetik, se cilat nga modelet e zhvillimit të turizmit është më i përshtatshëm. Këtë mund ta bëjnë specialistët dhe njerëzit e fushës.

Por, synimi është të kuptohet se përse po e hedh qeveria Rama një hap të tillë? Pse ka vendosur ajo t’i hapë me arrogancë dritën jeshile, shkatërrimit të rivierës shqiptare?

Zbardhja e kësaj nuk është e vështirë. Mjafton të tërhiqesh pak në kohë, atëherë kur kryeministri i sotëm ishte një ministër rishtar kulture, që mëtonte të bënte përpara në politikë, duke përvetësuar idetë më të mira të rrethit të tij intelektual.

Atëherë, Edi Rama, mbronte me pathos dhe luftonte për një tjetër model. Ai i kish vënë gjoksin projektit që atëbotë njihej si i Bankës Botërore. Ai konsistonte në zhvendosjen e qendrës së rëndesës së turizmit në Jug, nga bregdeti tek fshatrat e vjetër të Dhërmiut, Vunoit dhe magjisë së papërsëritshme të Qeparoit. Plani parashikonte një vijë bregdetare të virgjër, natyrale dhe të aksesueshme për të gjithë dhe e vinte theksin në rimëkëmbjen e shtëpive tradicionale vendase dhe shndërrimin e tyre në bizhu të vërteta turistike.

Vetëm kështu Shqipëria mund të krijonte një identitet të sajin, krejt të ndryshëm nga ato të vendeve mesdhetare që nga Turqia deri në Tunizi, që rrëmbejnë miliona pushues masivë. Vetëm kështu ajo zonë mund të konservonte një fytyrë humane, që nuk do t’i shërbente vetëm një kaste të limituar.

Por, fatkeqësisht, Rama kryeministër, me të drejtë firme, shpërndarje privilegjesh dhe flirtimi me klientët e tij, është krejt i ndryshëm nga ish ministri rishtar i kulturës, që ende preokupohej për bindjet dhe qëndrimet e rrethit të tij intelektual.

Pavarësisht se ka miratuar një fond për rregullimin e disa fasadave dhe çative (vlera e të cilave do të bjerë ndjeshëm nga monstruozitetet e betonit që do të mbijnë poshtë në breg) shefi i sotëm i qeverisë ka ndryshuar totalisht qëndrim.

Ai i është nënshtruar së njëjtës metamorfozë si ajo që pësoi kur u ngrit në krye të bashkisë së Tiranës. Pikërisht në vendet për të cilat kishte këmbëngulur që të ruheshin si trashëgimi kulturore, ai filloi të japë leje për pallate shumëkatshe.

Morali i fabulës është i thjeshtë: Kur s’kishte gjë në dorë, kur firmat dhe beneficet e ndarjes së llokmave i merrnin ish shefat e tij Nano dhe Meta, Rama bënte politikanin parimor dhe mbronte të tjera vlera.

Por, sapo pushteti i dha mundësi të përfitonte dhe të rrëmbente klientët e paraardhësve, ai i braktisi ato.

Ai u josh dhe u mund nga pushteti i parasë duke u bërë shembulli më i mirë i teorisë së vet se “njeriun e përçudnon sistemi”.

Pasojë e këtij përçudnimi, i paftësisë për të mos u tunduar nga forca dhe pushteti i parasë, është dhe ajo që pritet në ndodhë me bregdetin e Jugut. Pikërisht për këtë aty po fillon të hedhë shatat Golemi numër dy.

/Lapsi.al

OPINIONE