Shqiperia

Polici i parë në Vetting, shef i sektorit të ankesave në SHÇBA nuk justifikon 1.4 milionë lekë

Shefi i sektorit të ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu, ishte zyrtari i parë që u përball me vetingun në radhët e policisë. Komisioni i jashtëm i vlerësimit konstatoi probleme në kriterin e pasurisë, pasi Shehu nuk justifikon një shumë prej 1.4 milion lekësh.

Për këtë konstatim të komisionit, zyrtari i SHÇBA tha se nga viti 1996-2003 ka punuar pa siguracione, në një bingo ku ka pasur detyrën shef salle, banakier por edhe kamarier.

Gjatë kësaj kohë ai pretendon se ka pasur të ardhura të larta për shkak edhe të bakshisheve, të cilat i ka të pa dokumentuara. Po ashtu Shehu pretendoi se nuk ishte në dijeni që gjatë kësaj periudhe ka qenë pa siguracione.

Sipas hetimit, Oltion Shehu rezulton se ka në pronësi një shtëpi dykatëshe në njësinë nr.8, ndërtimin e të cilës nuk e justifikon para komisionit. Për këtë konstatim Shehu u shpreh se banesa është ndërtuar nga të ardhurat ndër vite.

Avokati i oficerit kërkoi një rivlerësim të shpenzimeve, ndërsa komisioni i jashtëm i vlerësimit vendosi kontraktimin e një eksperti kontabël, për këtë çështje. Në përfundim seancës dëgjimore, kreu i sindikatës së policisë tha se vetingu duhet të merret me thelbin e punës së drejtuesve të policisë, përmes vlerësimit të aftësive profesionale dhe identifikimin e favoreve politike.

Sadedin Fishta: Sa drejtues policie, duke filluar nga drejtori i përgjithshëm këto kanë marrë nën hetim për shkaqe që janë me qindra vendime gjyqësore.

Komisioni caktoi datën 8 nëntor, për shpalljen e vendimit ndaj Oltion Shehut. Në “sitën” e vetingut do të kalojnë më shumë se 11 mijë efektivë, ku komisioni do të verifikojë pastërtinë e figurës, aftësitë profesionale dhe të ardhurat e secilit./ Ora-news

OPINIONE