Policia jep detajet: Kush janë katër personat e arrestuar për vrasjen e Behar Sofisë

Policia e Shtetit ka dhënë njoftimin zyrtar për arrestimin e katër personave të dyshuar për ekzekutimin e biznesmenit Behar Sofia, e ndodhur rreth dy javë më parë pranë zonës së Piramidës në Tiranë.

Policia njofton se ka arrestuar shtetasit: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë, si dhe shtetasin Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Në deklaratan zyrtare të Policisë tuhet se shtetasi Ernejt Shyti, i cili dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së krimit është larguar në drejtim të Malit të Zi.

Në fazën operacionale nga grupi hetimor janë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike, karta sim etj, që sipas Policisë mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë ngjarje.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet me sukses OPERACIONI POLICOR “PIRAMIDA”. Zbardhet vrasja e 66-vjeçarit, e ndodhur më 25 shkurt 2021. Arrestohet një grup vrasësish me pagesë, të cilët kanë planifikuar dhe në bashkëpunim kanë kryer vrasjen e shtetasit Behar Sofia. Vihen në pranga 4 shtetas të përfshirë në këtë vrasje kriminale.

Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Instituti i Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është finalizuar me sukses OPERACIONI POLICOR “PIRAMIDA”.

Si rezultat është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor me prova shkencore i ngjarjes së ndodhur në datë 25.02.2021, rreth orës 08:45, në bulevardin “Bajram Curri”, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Behar Sofia.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve të shpejta hetimore procedurale si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:

· Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

· Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë.

· Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë.

· Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë organizuar vrasjen e shtetasit Behar Sofia duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij.

Shtetasi Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon publikisht Policinë e Malit të Zi, për ndihmën e mënjehershme të ofruar për lokalizimin dhe kapjen e ekzekutorit Ernejt Shyti. Pas takimit operacional të organizuar në vendin e kalimit Hani i Hotit, të dy policitë kanë shkëmbyer informacion në kohë reale duke u finalizuar me kapjen dhe deportimin e tij.

Në fazën operacionale nga grupi hetimor janë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike, karta sim etj.
Analiza e këtyre provave hap prespektivë për identifikimin edhe të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë krim.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon me intensitet puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësjaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 e Komisariatin Dixital, çdo rast të paligjshmërisë duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne