Policia u jep 5 ditë kohë autorëve të vrasjes së ish-policit Santiago Malko, më në fund dalin emrat

Vrasja e ish-policit Santiago Malko prej kohësh po përpiqet të kamuflohet nga autoritetet policore. Kjo u vërtetua ditën e sotme pas reagimit të vonuar, ku përmes një deklarate ata dhanë emrat e autorëve të vrasjes së ish-policit, të cilat ishin publikuar prej 5 ditësh.

Duket se kjo vonesë nga ana e Policisë ka qenë e qëllimshme, kjo për t’iu dhënë kohë autorëve të vrasjes që të largohen nga vendi.

Në deklaratën e Policisë së Tiranës nxjerrja e emrave të autorëve justifikohej me faktin se tani u arrit të sekuestroheshin provat materiale, automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre.

Bashkëpunimi i Policisë me në krye Drejtorin, Ardi Veliun me autorët e krimeve tani nuk është një rastësi që ndodh për herë të parë, rasti tjetër më ‘i freskët’ ishte ai i fshehjes së emrit të biznesmenit Gentian Malindi, të përfshirë në transportimin e 137 kg. kokainë të kapur ditën e djeshme në portin e Durrësit.

Më tej gjeni dhe linkun e lajmit të publikuar 5 ditë më parë për autorët e vrasjes së ish-policit Malko dhe deklaratën e Policisë:

Deklarata e Policisë (Data 28.09.2019)

Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit S. M., Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku u vra me armë zjarri shtetasi S. M.

Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019 , Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve Leonard Duka, Orion Loga, Dritan Agai, Erlis Duka, Ilir Selmani, Aleksander Maxhaku, Xhoni Nica, (të shtatë banues në Tiranë) dhe Fatmir Hyseni, (M.,) banues në Vlorë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar punën hetimore dhe procedurale të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”

Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. Teta, banues në Tiranë .

Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .

Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.

Gjithashtu kjo ngjarje i ka kaluar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për ndjekje të mëtejshme.

Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne