Politikani islamofob suedezo-danez Rasmus Paludan ka përdhosur sërish Kuranin e Shenjtë, duke djegur një kopje të librit më të shenjtë të Islamit në kryeqytetin danez, Kopenhagë. Paludan, 43-vjeçar, themelues dhe lider i partisë nacionaliste daneze kundër emigracionit Stram Kurs, ka shkaktuar edhe një herë polemika të ashpra duke kryer këtë akt blasfemik përpara ambasadës turke në Danimarkë. Një video e publikuar në një platformë rrjetesh sociale tregon momentin kur Paludan përdhos Kuranin e Shenjtë — një akt thellësisht fyese për myslimanët në mbarë botën.
Të premten, policia daneze njoftoi se Paludan, bazuar në një “vlerësim konkret”, është ndaluar të zhvillojë protesta në Kopenhagë për 24 orët e ardhshme. Përdhosja e fundit nga Paludan ndodhi pas vrasjes së emigrantit irakian Salwan Momika në banesën e tij në qytetin Södertälje të Suedisë, më 30 janar. Momika ishte gjithashtu i njohur për veprime të përsëritura blasfemie ndaj Kuranit të Shenjtë në Suedi, duke zemëruar myslimanët dhe jomyslimanët në mbarë botën.
Ky 38-vjeçar organizoi disa akte të djegies dhe përdhosjes së librit të shenjtë të Islamit në Suedi gjatë vitit 2023. Pamjet e djegies së Kuranit u shpërndanë gjerësisht në mediat ndërkombëtare, duke nxitur zemërim dhe kritika në vendet myslimane dhe duke çuar në trazira e pasiguri në shumë vende. Ministria e Jashtme e Irakut i kërkoi Suedisë, në vitin 2023, të ekstradonte Momikën në mënyrë që të gjykohej sipas ligjeve të Irakut. Ministria theksoi se akti i urryeshëm i Momikës, që përbën fyerje të shenjtërive fetare, ka lënduar thellë ndjenjat e myslimanëve në mbarë botën.
Edhe Paludan është i njohur për provokimin e ndjenjave fetare të myslimanëve përmes djegies së kopjeve të Kuranit të Shenjtë në Suedi dhe Danimarkë. Më 22 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Qytetit të Kopenhagës e dënoi këtë politikan të ekstremit të djathtë, pasi e shpalli fajtor për racizëm, bazuar në një deklaratë të bërë gjatë një proteste në vitin 2019.
Më herët gjatë të njëjtit muaj, Paludan u dënua me katër muaj burg në Suedi për shpifje dhe fyerje ndaj myslimanëve. Ai gjithashtu është dënuar më parë në Danimarkë për racizëm dhe shpifje, ndër të tjera. Djegiet e Kuranit në Suedi dhe Danimarkë, të kryera gjatë verës së vitit 2023 nën pretekstin e lirisë së shprehjes, kanë shkaktuar protesta të zemëruara në shumë vende arabe dhe myslimane – përfshirë Iranin, Pakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe Kuvajtin./Gazetaimpakt/presstv