Nga mbledhja e Kryesisë së PD-së, Sali Berisha sulmoi ambasadorin e BE-së në Tiranë, duke e quajtur avokat të Ramës në Bruksel. Kryesia ngriti një grup pune për rishikimin e statutit. Në pikëpyetje neni ‘Basha’, i cili parashikon se kryetari duhet të largohet nga detyra nëse humb zgjedhjet parlamentare, nen i vendosur nga vetë Berisha, por që nuk e ka respektuar.
TIRANË– Partia Demokratike do t’i nënshtrohet një procesi të brendshëm zgjedhor, i cili do të kulmojë me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 6 qershor. Kryesia përcaktoi afatet e procesit, ku deri më datë 30 prill duhet të jetë përmbyllur zgjedhja e kryetarëve në rreth 50 degë të PD— së në të gjithë vendin. Që prej rikthimit të Sali Berishës në krye të partisë, ky është procesi i parë zgjedhor që kryedemokrati zhvillon nën logon e PD-së, pasi 4 vite më parë procesi u zhvillua nën siglën e Komisionit të Rithemelimit dhe nën përplasjen Basha-Berisha. Në rreth 15 degë janë zgjedhur drejtuesit e rinj, pas vakancave që ishin krijuar për shkak të dorëheqjeve, por edhe procesit të primareve.
“Të finalizojmë sipas përcaktimeve që u lexuan këtu zgjedhjet në degë, ta mbyllim këtë proces, ta finalizojmë me Kuvendin në fillim të qershorit dhe rikthehemi krahas kryengritjes paqësore, rikthehemi tek përgatitjet për zgjedhjet vendore, për të cilat duhet të angazhohemi me gjithë forcën”, tha Berisha në mbledhjen e Kryesisë.
Vendimmarrjet e Kryesisë do të duhet të vulosen nga Këshilli Kombëtar i PD-së, për t’i hapur më pas rrugë edhe procesit më të rëndësishëm për demokratët, zgjedhjen e drejtuesit të partisë, garë që do të zhvillohet më 23 maj, pasi Sali Berishës i mbaron mandati i kryetarit. Pritet të shihet se kush do të jenë emrat që do të garojnë përballë Berishës dhe nëse Ervin Salianji, i cili ka dalë kundër kupolës drejtuese të PD-së, do të përfshihet në këtë garë.
Një nga pikat më të rëndësishme që vendosi Kryesia, është ngritja e një grupi pune për ndryshime statutore, çështje që mund të hapë një debat të ri brenda selisë blu. Grupi i punës me 10 anëtarë, që udhëhiqet nga Gazment Bardhi, do të hartojë ndryshimet në statut dhe pritet të shihet nëse do të preket neni Basha, i vendosur nga vetë Berisha gjatë përplasjes me Lulzim Bashën, i cili parashikon se kryetari i partisë duhet të largohet nga detyra nëse humb zgjedhjet parlamentare. Një nen i trumbetuar nga vetë Berisha, por që është zbatuar nga ai humbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Berisha e përdori mbledhjen e Kryesisë për të sulmuar shefin e delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e quajtur avokat të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, i cili nga ana tjetër sipas tij, mjegullon qëndrimin e PD-së, pro integrimit.
“Ky zotëri, përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit, e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Gënjeshtra e dytë është, se axhenda jonë është MAGA. Por, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE”, tha Berisha.
Ky qëndrim i kreut të PD-së, por edhe ngritja e grupit të punës për rishikimin e statutit u kritikuan menjëherë nga Ervin Salianji, i cili e akuzoi Berishën se po bën të njëjtën gjë si kundërshtari i tij politik, Edi Rama.
“Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtën kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve! Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut”, shkroi Salianji.
Salianji i cili mungon në mbledhjet e Kryesisë që pas deklaratave të kupolës drejtuese të PD-së se është i vetëpërjashtuar, hodhi akuza për rishikimin e statutit dhe pritet të shihet nëse do ketë ndryshime që prekin ata që dalin me lëvizje paralele, si foltoret e tij me demokratët./shqiptarja

















