A mund të vendoset Bashkësia Islame e Kosovës në bankën e të akuzuarve?
1.
Rrëfimi biblik tregon se si Sanhedrinët (një lloj gjyqësie religjioze hebreje) ia sollën Jezu Krishtin Pont Pilatit për gjykim. Argumenti i tyre ishte se kishte thyer ligjet religjioze hebraike, por Pont Pilati nuk ishte i bindur se kjo mjaftonte për ta dënuar atë me ligjet romake. Sanhedrinët (e më vonë edhe masa e mbledhur e hebrenjve) kërkuan që Jezu Krishti të dënohet me vdekje, Pont Pilati pranoi kërkesën popullore dhe i lau duart për të treguar se të tijat nuk po e vrisnin Jezuin. Prej asaj kohe ka mbetur shprehja larje duarsh prej një çështjeje, kauze a problemi.
Natyrisht, duke përjashtuar në këtë analogji çfarëdo paralele mes figurave të Krasniqit e Krishtit, megjithatë mund të thuhet se shteti i Kosovës po e vendos veten në pozitën e Pilatit. I ballafaquar me një problem evident, radikalizimin e madh të një pjese të popullatës, për aq sa të shkojë e të bëhet pjesë e njësiteve të ISIS-it dhe Al-Nusras, ka gjetur formën e larjes së duarve prej problemit. Prokuroria ia dha për analizë ligjëratat e dr. Shefqet Krasniqit për ekspertizë Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ajo ktheu mbrapa përgjigjen me të cilën dr. Krasniqi akuzohet se ka përdorur gjuhë të vrazhdë dhe ka bërë interpretime kuranore jashtë kontekstit kohor dhe traditës islame në Kosovë. Prokuroria po ashtu jep deklaratat e tre familjarëve të kosovarëve që shkuan në Siri si dëshmi përfundimtare se radikalizimi i tyre (përfshirë edhe sulmi vetëvrasës i njërit prej tyre, Blerim Heta, që la 31 viktima të vdekura) është bërë duke dëgjuar predikimet e dr. Krasniqit.
2.
Por, nëse gjuha e imam Krasniqit ka qenë e vrazhdët dhe interpretimi i tij ka qenë jotradicional, aq është kjo përgjegjësia e tij personale?
Në fakt, jo. Shefqet Krasniqi nuk është dalluar shumë me gjuhën e urrejtjes dhe porositë apokaliptike prej imamëve të Prizrenit apo Pejës, për shembull. Dhe, hytbetë (predikimet) në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, për shembull, nuk janë dalluar sepse instruksionet që i kanë marrë imamët nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë qenë të këtilla. Me shpërthimin e dhunës në Siri dhe me persekutimin e popullit nga ana e pushtetit të Asadit, më 2012, Bashkësia Islame nuk kërkoi që të jepen shpjegime më për toke për konfliktin atje por lëshoi qarkoren me hytben (ligjëratën) që duhej të mbanin të gjitha xhamitë e vendit. Ligjërata kishte të bënte mbi rëndësinë e Shamit (Sirisë); t’u shpjegohej besimtarëve myslimanë të Kosovës, atyre që shkojnë të premteve në xhami, se çfarë është rëndësia e Shamit, përkatësisht Sirisë, aty ku po zhvillohen luftime. Hytbeja e Bashkësisë Islame të Kosovës, në gjashtë pika, duhej të jepte një interpretim kuranor të rëndësisë së Sirisë, një interpretim i cili thotë se Siria është toka e përzgjedhur e Allahut, aty gjendet shtylla e besimit islam dhe meleqet (engjëjt) e Allahut i kanë shtrirë krahët e tyre mbi këtë tokë.
Me interpretimin kriptik të Bashkësisë Islame të Kosovës, myslimani i devotshëm kosovar do duhej të kuptonte në xhaminë e tij se ekziston një shenjë e barazimit mes Sirisë dhe Allahut, pastaj edhe se ekziston një shenjë e barazisë mes luftës që po zhvillohet atje me mbrojtjen e myslimanizmit (sepse, siç citon hytbeja “Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ‘Synoni – Mësyjani Shamit sepse ajo është Toka e përzgjedhur nga Allahu, aty i vendos robërit – besimtarët e Tij më të mirë”.)
Pra, dr. Krasniqi mund të ketë përdorur gjuhë të vrazhdët, të ketë përdorur fjalor salafist, duke shprehur hapur urrejtjen për shiitët e alevitët – por në thelb ka zbatuar udhëzimet e Bashkësisë Islame kur ka shpjeguar se lufta që po bëhet në Siri ka një karakter të shenjtë, Kuranor, madje apokaliptik. Ai që do të lexonte pak më shumë, nxitur nga fjalët e BIK-ut (e jo vetëm të dr. Krasniqit) do të nxirrte përfundim se në Siri po zhvillohet lufta e fundit e njerëzimit, i fundit të dynjasë.
3.
Pra, dr. Krasniqi nuk ka bërë gjë, në ligjëratat e tij, që të mos ishte në vija të trasha pjesë e udhëzimit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Nëse është ashtu, atëherë përgjegjësinë për shtytje në terrorizëm, sipas nenit 141 të Kodit Penal e paska Bashkësia Islame e Kosovës? Sjella e saj pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste paska shkaktuar që të rinjtë e Kosovës të niseshin për në ISIS dhe Al-Nusra?
Do të ishte absurde të akuzohet BIK-u për këtë, siç është absurde të akuzohet dr. Shefqet Krasniqi. Në të dyja rastet, Prokuroria do të futej thellë në territorin e deliktit verbal, i cili është jo vetëm futje në autoritarizëm e diktaturë por ka efekt të radikalizimit, madje edhe të skajshëm të atyre që i përndjek.
Atëherë përse akuza? Për t’i larë duart e për të thënë se u ndërmorën hapa të rëndësishëm, edhe penal, kundër nxitësve të terrorizmit.
4.
Por, ndonëse dr. Krasniqi dhe BIK-u lehtë mund të absolvohen nga akuza juridike për nxitje terrorizmi, nuk mund të absolvohen nga përgjegjësia shoqërore, gjegjësisht ajo religjioze. E ajo nuk është e lehtë, sepse dr. Krasniqi dhe BIK-u ekzistojnë në funksionet e tyre për të krijuar thellësi shpirtërore dhe dituri fetare në një kontekst të një Kosove demokratike, evropiane, tolerante e pluraliste. Dr.Krasniqi dhe BIK-u i sotëm nuk kanë pasur sukses në avancimin e një islami i cili është kosovar dhe shqiptar, e duke qenë kosovar dhe shqiptar, një islam evropian, tolerant, pluralist – pjesë e një aspirate demokratike.
Po të kishin pasur sukses, porosia e tyre për Sirinë do të ishte tjetër fare: do të ishte një e solidaritetit me tërë popullin sirian, pluralizmin e brendshëm fetar të tij, aspiratën për një shtet të lirë e demokratik. Një porosi e këtillë, dalluese prej shtrimit të krahëve të meleqeve në tokën e Shamit, do të ishte udhëzuese për të gjithë ata të rinj e të reja që të kuptonin se kjo nuk është lufta e Fundit të Dynjasë.
Por, ndoshta kjo do të ishte një kërkesë e madhe. BIK-u i sotëm është pjesë e një projekti më të madh të kapjes së shtetit, të simbolizuar me pushtetin e Hashim Thaçit. Në atë projekt, duhej zaptuar policinë, gjyqësinë, Agjencinë e privatizimit, atë të Inteligjencës, historinë, Universitetin – pra edhe Bashkësinë Islame. Suksesi i zaptuesve shihet gjithandej: prej Universitetit, privatizimit, gjyqësisë e deri te Bashkësia Islame.
Andaj, kur e akuzojnë dr. Shefqet Krasniqin për terrorizëm, bëjnë mirë t’i tregojnë duart e porsalara./ koha