Porti Eilat i Izraelit: Aktivitetet tona u ulën me 85 për qind pas sulmeve të Huthive

Drejtori i përgjithshëm i portit Eilat në jug të Izraelit, Gideon Golber deklaroi se aktiviteti i portit është ulur me 85 për qind që kur Huthit në Jemen filluan sulmet ndaj anijeve të lidhura ose në bashkëpunim me Izraelin në Detin e Kuq. Sipas televizionit shtetëror izraelit, Golber tha se: “Aktiviteti i portit Eilat është ulur me 85 për qind që nga fillimi i sulmeve të Huthive në Detin e Kuq”.

Në lajm nuk janë përfshirë detaje të tjera.

– Huthit synojnë anijet izraelite në Detin e Kuq

Udhëheqësi i Huthive në Jemen, Abdulmelik al-Houthi kërcënoi në fjalimin e tij televiziv më 14 nëntor se ata mund të synojnë anijet izraelite në Detin e Kuq. Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree, në deklaratën e tij me shkrim në platformën X më 19 nëntor, njoftoi se do të synojnë çdo anije me flamur izraelit si reagim ndaj sulmeve të Izraelit në Rripin e bllokuar të Gazës.

Huthit më vonë njoftuan se do të pengojnë të gjitha anijet të kalojnë nëpër Detin e Kuq që shkojnë në portet izraelite. Më pas, Huthit nisën sulm me dronë dhe raketa ndaj dy anijeve izraelite të quajtura “Unity Explorer” dhe “Number Nine” në ngushticën Bab al-Mandeb.

Kompania izraelite e anijeve ZIM në një deklaratë më 29 nëntor tha se anijet e saj nuk do të përdorin Kanalin e Suezit në Egjipt, duke përmendur situatën e sigurisë në Detin Oman dhe Detin e Kuq. Pas veprimeve të fundit të Huthive, shumë kompani detare vendosën të ndalojnë udhëtimet e tyre në Detin e Kuq./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne