Preken nga projekti për ndërtimin e linjës RMV-Elbasan-Fier, banorët në protestë: Dëmshpërblimi është qesharak

Fermerë të lagjes Drizë në Fier janë ngritur në protestë mëngjesin e sotëm duke kërkuar dëmshpërblim për sipërfaqen me ullinj që preket nga projekti për ndërtimin e linjës 400 Kv të linjës Maqedoni e Veriut – Elbasan- Fier, të financuar nga banka gjermane për zhvillim KFW.

Ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 400 mijë metër katror ku preken 21 fermerë 8 prej të cilëve tokat e tyre i kanë të kultivuara me ullinj 20- vjeçarë. Sipas banorëve, dëmshpërblimi për rrënjë ulliri është qesharak ndërsa ka dhe matje të gabuara të sipërfaqeve të tyre.

Këto toka janë ndarë me ligjin 7501 dhe pjesa më e madhe e banorëve zotërojnë aktin e marrjes në pronësi, por jo certifikatën e pronësisë, gjë që ka sjellë dhe pamundësinë e dëmshpërblimit.

Ndërkohë drejtori i projekteve të jashtme në OST, Dorjan Sejamini ka pohuar se bashkohet me shqetësimin e banorëve, teksa ka theksuar se janë takuar dhe sqaruar disa herë me banorët dhe ka premtuar ndihmesë edhe në etapat e aplikimit për plotësimin e dokumentacionit të saktë.

Sejamini pohoi gjithashtu se ky është një projekt strategjik që dyfishon kapacitetet energjetike dhe vonesat në zbatimin e tij sjellin kosto të shtuar./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne