Mazhoranca socialiste e ka gjetur zgjidhjen: për punët më të pista që nuk do të lërë gjurmë, përdor levat e saj. Këtë herë barra e rëndë i ka takuar presidentit klloun, Bajram Begaj, i cili është përfshirë në një puç kushtetues të gatuar në prapadhomat e partisë në pushtet. Bajrami është bërë pjesë e një loje që do t’i ndërpresë në mes mandatin njërës prej anëtarëve të gjykatës kushtetuese.
Kur kjo e fundit është emëruar dekreti i saj ka qenë i plotë. Këtë e konfirmon edhe një dokument që mban firmën e heroit amerikan të drejtësië, Ardian Dvorani, si ish-kryetar i Këshillit të Emerimeve në Drejtësi edhe firmën e ish-presidentit Meta. Sonila Bejtja ka zëvendësuar Besnik Muçin, që e dogji vettingu dhe për të Dvorani dhe Meta kanë qenë dakord se kishte mandat të plotë. I tillë ka qenë edhe për pasardhësen e tij. Por kohet e fundit ka pasur interpretime të ndryshme, të pabazuar sipas shumë konstitucionalistëve, se mandati i Bejtes dhe ai i zëvendësuesit të Elsa Toskës nuk do duhej të ishin të plota. Për të parin këtë çështje e ka zgjidhur organi i saj i emërtesës, Elisa Spiropali, e cila nuk i ka përfillur ato dhe ka hapur vakancën deri për vitin 2028 (për atë që do zëvendësojë Toskën). Por kur vjen puna për partinë, ushtar Bajromi me sa duket është edhe më i devotshëm sesa Mamica. Me anë të një letre që mban datën e sotme, i nxitur nga aludime të pabaza dhe periferike, ai i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë nëse i mbaron këtë vit apo në 2028 mandati i gjyqtares Bejtja. Ashtu ka vepruar edhe Kryetarja e Kuvendit Spiropali. Së dyti, sepse ka dy dekrete të mëparshme presidenciale, që i njohin edhe ish gjyqtarit Besnik Muçi, edhe pasardhëses së tij Bejtja, mandat të plotë.
Po pse gjenerali bën veprime prej lakeu që do nuk do kishte guxim t’i ndërmerrte as Spiropali? Versioni më i thjeshtë do të qe ai i një kapterri të paditur, që e tërheqin prej hunde këshilltarët. Por më i mundshmi është ai i përdorimit nga rilindja e cila për të zhdukur gjyqtarët që s’i ka militantë, përdor levat e saj.
Duke kërkuar interpretim për kohëzgjatjen e mandatit të Sonila Bejtjes, ndërkohë që s’ishte e nevojshme ta hidhte këtë hap, Presidenti i Republikës është rreshtuar de facto me ata që duan ta heqin qafe atë. Dhe cilët janë ata? Për këtë mjafton të shohësh vendimet e kësaj gjyqtareje që shpesh i kanë shkuar ndesh qëllimeve të qeverisë socialiste, si për rastin e Olta Xhaçkës, si për atë të portit të Durrësit, si për procesin e Belerit e shumë të tjera të ngjashme, ku ajo ka mbrojtur arsyetimin e pakicës: Gjyqtarët kushtetues dredhojnë për marrëveshjen Rama-Alabar, vetëm Sonila Bejtja del kundër.
Pra, duke hyrë në këtë lojë presidenti merr hapur krahun e mazhorancës, duke u treguar më katolik sesa papa i saj. Ai mban mbi shpinë edhe atë që s’e bën dot as kryetarja e kuvendit duke përdhosur trashëgiminë e institucionit që përfaqëson. Ai po shërben si ushtar i një klike, e cila e ka tashmë në kontroll të plotë Gjykatën Kushtetuese, por që me sa duket tani nuk duron më as gjyqtarë që janë në gjendje të arsyetojnë vendime pakice. /Lapsi