Presidenti Erdogan: Të gatshëm për të ndihmuar popullin vëlla të Shqipërisë pas tërmetit

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i përcollën keqardhjen e tyre kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, menjëherë mbas tërmetit të të shtunës, të datës 21 Shtator, që preku Shqipërinë.
Ata kanë shprehur gadishmërinë për dhënien e ndihmave humanitare dhe mjeksore në rast nevoje, popullit mik dhe vëlla shqiptar të Turqisë.

***

-Takim midis Presidentit Erdogan dhe Kryeministrit Rama

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Erdoğan, i cili vazhdon takimet e tij zyrtare në Nju-Jork, ku ndodhet për mbledhjen e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ka zhvilluar një takim me kryeministrin shqiptar, Rama.

Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura për median në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OBK-së.

***

-CDU/CSU voton për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në

“Bundestagu gjerman i hap dritën jeshile Qeverisë Federale që të mbështesë vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, ai shpreson që një vendim i mëvonshëm për anëtarësimin në BE jo vetëm që do të rregullonte përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, por edhe do të merrte në konsideratë aftësinë përthithëse të BE-së”, thuhet në rezolutën e CDU/CSU-së.

“Bundestagu gjerman u bën thirrje forcave demokratike në Shqipëri të bëjnë përpjekje të menjëhershme për kapërcimin sa më të shpejtë të krizëspërmes dialogut politik, përndryshe rruga e negociatave të anëtarësimit do të bëhet edhe më e vështirë”,- thuhet në rezolutë.

Dokumenti ka 9 pika të kërkesave ndaj Shqipërisë.

Para se të fillojë konferenca e dytë e anëtarësimit, para se të hapen dy kapitujt e parë të negociatave, deputetët kërkojnë nga qeveria federale që të ketë konstatuar përmbushjen e këtyre kushteve nga ana e Shqipërisë:

– zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore,
– fillimi i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët në procesin e Vetting-ut janë akuzuar për sjellje të dënueshme penalisht,
– fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri serioze dhe të shpejtë të proceseve,
– ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj, 
– suksese në luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e proceseve të para gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë. Këtu hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,
– përparime të prekshme në reformën administrative, duke përfshirë verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke mbajtur parasysh edhe kritikat për parregullsi,
– një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nëse vendoset mbajta e zgjedhjeve të reja lokale, ato duhet të bëhen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi lajm të mirë votimin pro të deputetëve të CDU/CSU për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa theksoi se “Shqipëria e meriton hapjen e negociatave”.

Kreu i qeverisë falënderon kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë.

***

-Anija shqiptare shpëton 111 migrantë në Detin Egje

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka bërë të ditur se një anije shqiptare ka shpëtuar 111 migrantë në Detin Egje.

Ajo tha se migrantët kanë tentuar të kalojnë në Greqi, me ç’rast më pas u janë dorëzuar autoriteteve turke.

Ministrja Xhaçka në «Facebook» shkroi se migrantët sirianë, irakianë dhe palestinezë u “shpëtuan në tre operacione të ndryshme brenda disa orësh në ujërat midis Turqisë dhe Greqisë”.

Sipas saj, migrantët u gjetën të premten e kaluar nga anija «Oriku», pjesë e «Frontex», forca e kontrollit kufitar të Bashkimit Evropian, në dy gomone dhe një skaf.

***

-Në Shqipëri, censi i popullsisë do të realizohet në vitin 2020 

Shqipëria ka planifikuar të realizojë regjistrimin e ardhshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2020.
Në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme është organizuar konferenca prezantuese e “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020”, nën kujdesin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) dhe në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Drejtoresha e përgjithshme e komanduar e INSTAT-it, Elsa Dhuli, në hapje të aktivitetit tha se censi 2020 do të realizohet sipas standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara(OKB) dhe Bashkimi Evropian(BE).
“INSTAT ka angazhuar të gjitha resurset e tij dhe po i kushton vëmendjen maksimale këtij procesi statistikor. Censi është bazë për ndërtimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm statistikor dhe politikëbërës. Ky cens, në përputhje të plotë me të gjitha standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që të jetë i suksesshëm të arrijë objektivat e tij duhet të ketë angazhimin e gjithë aktorëve në vend”,theksoi Dhuli.
Erjon Luçi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, theksoi gjatë fjalës në aktivitet se kontributi i Qeverisë së Shqipërisë për censin është i rëndësishëm.
Censi do jetë i rëndësishëm për politikëbërjen, por do ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën sesi ne bëjmë politikat buxhetore, sektoriale apo edhe territoriale. Mund të jetë ndër burimet e informacionit më kyçe për kërkimet apo politikëbërjen në të paktën 5-10 vitet e ardhshme”, tha Luçi.
Në konferencë mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi se ky cens do të ketë rëndësi për informacionet e besueshme.
“Sot jemi këtu për të diskutuar sfidën e radhës të INSTAT, censin e popullsisë dhe banesave të vitit 2020. Ky cens do të ketë rëndësi shumë të madhe për të dhënë në fakt një informacion të besueshëm, për të hartuar dhe vlerësuar politikat të cilat bazohen tek shifrat si dhe planifikimin e shërbimeve publike“, tha Soreca.
Censi i fundit i popullsisë dhe banesave në Shqipëri është realizuar në vitin 2011.

***

-Memorandum mirëkuptimi midis Fondacionit «Maarif» të Turqisë dhe Muzeut Historik Kombëtar i Shqipërisë 

Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë dhe universiteti i fondacionit «Maarif» të Turqisë, Universiteti i «New York-Tirana» kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projekteve të përbashkëta.

Memorandumi është nënshkruar nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, dhe rektori i Universitetit të «New York-Tirana», Prof. Dr. Ismail Kocayusufoğlu. Me projektet e përbashkëta dy institucionet synojnë të realizojnë botime, konferenca shkencore, ekspozita dhe aktivitete të tjera.

“Koçi dhe Kocayusufoğlu theksuan se me projektet që do të realizojmë synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar-Tiranë dhe të Universitetit të «New Yorkut-Tiranë», ku nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të japin një panoramë të përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar”, thuhet në një njoftim nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.

Më tej theksohet se projektet “do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve”.

Përmendim se Fondacioni Turk «Maarif» administron disa institucione arsimore në Shqipëri, përfshirë edhe Universitetin «New York-Tirana».

***

-«ALSAR» rihap kurset e gjuhës turke për sezonin e ri 2019-2020

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019 – 2020, Fondacioni «ALSAR» ka rihapur kurset e mësimdhënies së gjuhëve të huaja turqisht dhe anglisht, në përmbushje të programit dhe misionit të tij arsimor në kuadër të ofrimit të asistencës shumëplanëshe ndaj fëmijëve jetimë.

Në funksion të këtij programi janë ngritur 4 kurse me një pjesëmarrje të përgjithshme të 120 fëmijëve.

Kurset drejtohen nga profesorë të aftë dhe të specializuar që të punojnë me këtë grupmoshë dhe metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audio-vizivë, për t’i bërë këto kurse sa më atraktive dhe të plotësuara me elemente që lehtësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më efikase nga kjo grupmoshë.

Këto kurse ofrohen falas, dhe fëmijët nëpërmjet këtyre kurseve marrin një formim shtesë në lëndët përkatëse që do t’iu shërbejnë atyre në jetë, dhe do të jenë gjithashtu dhe elementë formues ndihmës, nëse do të duan të vazhdojnë studimet e tyre jashtë Shqipërisë, në programet e studimit të ciklit të mesëm apo të lartë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne