Bota

Presidenti i Brazilit, Bolsonaro kritikon “demagogët” e COVID-19

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka kritikuar pëhapjen e frikën nga koronavirusi.

“Është më e lehtë të bësh demagogji para një popullate të frikësuar, sesa të flasësh të vërtetën”, tha Bolsonaro në njërin nga postimet e tij në rrjetet sociale.

Ai tha se të folurit e së vërtetës mund t’i kushtojë shtrenjtë, por theksoi se kjo nuk është problem sepse brazilianët do të përballeshin me një “të keqe më të madhe se vetë virusi”, duke aluduar në papunësinë dhe vështirësitë e tjera ekonomike nëse gjërat nuk lëvizin.

“Kjo kushton popullaritet. Unë nuk shqetësohem për këtë! Shfrytëzimi i frikës së njerëzve për të bërë politikë në një kohë si kjo është punë e COVARD-ëve”, tha ai, duke u përpjekur të lidhë fjalët frikacak (coward) dhe COVID-19.

“Demagogjia përshpejton kaosin”, tha Bolsonaro, duke folur me një ton të ngjashëm me presidentin amerikan Donald Trump, i cili dëshiron të rikthehen bizneset që në Pashkë, duke mos iu dorëzuar frikës nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit amerikan “John Hopkins”, Brazili me një popullsi prej 210 milionë, aktualisht ka më shumë se 2.554 raste të konfirmuara të COVID-19 dhe 59 vdekje.

Shteti i Amerikës së Jugut të premten shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe qyteti më i madh në vend, Sao Paolo, nga e martja hyri në një mbyllje për dy javë.

Veprimet e Bolsonaros në luftën kundër sëmundjes janë kritikuar shumë, kur ai pretendoi se sëmundja është thjesht “një fantazi” dhe “një grip i vogël”. Ai ka akuzuar mediat dhe kundërshtarët politikë për nxitje të “histerisë” duke raportuar për numrin e vdekjeve në Itali. Ai ndoqi një numër demonstratash rrugore pro-qeveritare dhe inkurajoi udhëheqësit fetarë që refuzuan thirrjen për të mbyllur kishat si përgjigje ndaj pandemisë.

Edhe Trump mbrëmë vonë kritikoi ata që duan të ndalojnë jetën në SHBA derisa të mbarojë frika e virusit.

“Mediat LameStream (e gjymtuara) janë forca mbizotëruese në përpjekjen për të më detyruar të mbaj vendin tonë të mbyllur sa më gjatë që të jetë e mundur me shpresën se kjo do të jetë e dëmshme për suksesin tim në zgjedhje. Njerëzit e vërtetë duan të kthehen përsëri në punë sa më shpejtë që është e mundur”, tha Trump.

Lloji i ri i koronavirusit, i cili për herë të parë shpërtheu dhjetorin e kaluar në qytetin kinez Wuhan është përhapur në më shumë se 170 vende dhe territore.

Organizata Botërore e Shëndetetësisë shpërthimin e koronavirusit e ka shpallur pandemi.

Më shumë se 472 mijë njerëz janë infektuar nga lloji i ri i koronavirusit në botë ndërsa 21.300 kanë vdekur si rezultat i infeksionit. Më shumë se 114.800 janë shëruar, njofton Universiteti amerikan “Johns Hopkins”.

Megjithë, numrin në rritje të njerëzve të infektuar, shumica e të prekurve nga virusi tregojnë simptoma të lehta dhe shërohen./AA

OPINIONE

INTERVISTA