Presidenti izraelit: Shumica dërrmuese mbështet shkëmbimin e pengjeve me Hamasin

Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka deklaruar se shumica dërrmuese e izraelitëve mbështesin shkëmbimin e pengjeve me Hamasin. Në një video të postuar në rrjetet sociale, presidenti izraelit tha se “angazhimi ynë për të sjellë pengjet në shtëpi është i palëkundur”.

“I gjithë kombi dëshiron kthimin e tyre, me një shumicë dërrmuese që mbështet shkëmbimin e pengjeve. Është detyrë e shtetit të sigurojë kthimin e tyre, që është një pjesë thelbësore e konsensusit tonë kombëtar”, tha Herzog. Duke cituar burime nga Mossad, transmetuesi izraelit ‘Channel 13’ tha se zyrtarët izraelitë janë optimistë për arritjen e një marrëveshje për të kthyer pengjet izraelite nga Gaza.

Burimet thanë se Izraeli momentin aktual e konsideron si “të përshtatshëm” për arritjen e një marrëveshje me Hamasin, me autoritetet e sigurisë që këshillojnë liderët politik që ta shfrytëzojnë atë.

Për muaj të tërë, përpjekjet e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për një shkëmbim pengjesh dhe armëpushimi janë penguar nga refuzimi i thirrjes së Hamasit nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të ndërprerë armiqësitë.

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

Të paktën 38.150 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 87.800 të tjerë janë plagosur. Nëntë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne