Presidenti palestinez, Abbas: Populli ynë ka të drejtë të mbrohet

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas tha se populli palestinez ka të drejtë të mbrohet përballë sulmeve të Izraelit.

Sipas lajmit të WAFA agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve, Abbas ka mbledhur në Ramallah zyrtarët e nivelit të lartë civilë dhe të sigurisë për të diskutuar zhvillimet lidhur me operacionin “Tufani i Aksa-së” që Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit filluan nga Rripi i Gazës nën bllokadë kundër Izraelit.

Abbas vuri në dukje se është e domosdoshme që populli palestinez të mbrohet. “Populli ynë ka të drejtë të mbrohet kundër terrorit të kolonëve dhe forcave izraelite”, tha ai.

Presidenti i Palestinës udhëzoi që “Të sigurohen të gjithë elementët e nevojshëm që bijtë e popullit palestinez të mbijetojnë me këmbëngulje dhe rezistencë kundër krimeve të kryera nga bandat e kolonëve dhe pushtuesve izraelitë”.

Abbas sot do të kryesojë një mbledhje që do të mbahet me stafin udhëheqës në administratën e Palestinës.

Konflikti mes Hamas dhe Izraelit

Hamasi njoftoi se mëngjesin e sotëm ka nisur kundër Izraelit operacionin gjithëpërfshirës të emërtuar “Tufani i Aksa-së”. Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa edhe grupet e armatosura hynë në vendbanimet në rajon.

Pas operacionit “Tufani i Aksa-së” edhe ushtria izraelite njoftoi se ka filluar sulm me dhjetëra avionë luftarakë ndaj Rripit të Gazës. Shërbimi izraelit i ndihmës së urgjencës, “Ylli i Kuq i Davidit” njoftoi se 22 izraelitë kanë humbur jetën në sulmet e kryera nga Rripi i Gazës.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, thuhet se 4 palestinezë kanë humbur jetën ndërsa 5 të tjerë janë plagosur në luftimet mes ushtrisë izraelite dhe grupeve palestineze./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne