Bota Rajoni

Prestigjozja “Time”: Ramush Haradinaj në pesë politikanët më të kërkuar në botë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është mes pesë politikanëve të arratisur më të kërkuar në botë. Kjo sipas revistës prestigjioze “Time”, e cila e rendit Haradinajn përkrah Carles Puigdemonit të Katalonjës, Fethullah Gulenit të Turqisë, Julian Assange-it të Wikileaks dhe Mikheil Saakashvilit të Gjeorgjisë.

“Nuk është gjithmonë gjë e mirë të jesh i kërkuar. Në kohërat e dramave gjeopolitike, ju sjellim një vështrim të shkurtër mbi pesë më të kërkuarit që kanë tërhequr vëmendjen e botës dhe historitë e tyre që flasin shumë për gjendjen në të cilën ndodhet bota në vitin 2018”, thuhet në shkrim.

Në përshkrimin e saj për Haradinajn, “Time” e nis historinë që në luftën e Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës bëri emër në fund të viteve ’90, gjatë konfliktit në Kosovë. Si komandant i UÇK-së, ai u akuzua për tortura mbi serbët, por për shkak të mungesës së provave, ai u lirua nga të gjitha akuzat për krime lufte nga OKB-ja në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Por kjo nuk i mjaftoi Serbisë, e cila refuzon ta njohë Kosovën si komb i pavarur dhe kërkon që Haradinaj të ekstradohet dhe të përballet me gjykatat e saj.

Por Haradinaj nuk përballet me sfida ligjore vetëm në Serbi. Me urdhër të aleatëve perëndimorë dhe me mbështetjen me fonde nga BE-ja, parlamenti i Kosovës në vitin 2015 miratoi ngritjen e një gjykate speciale për krime lufte me bazë në Holandë, por që vepron nën juridiksionin e Kosovës, një masë e konsideruar gjerësisht instrumentale në përpjekje për të gjeopolitikën ballkanike. Vetëm tani që paditë pritet të nisin, Haradinaj dhe anëtarët e tjerë të elitës politike të Kosovës po kërkojnë mënyra për t’i devijuar hetimet.

SHBA-të dhe BE-ja, të cilët udhëhoqën fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Slobodan Millosheviçit, janë po aq të ndjeshëm ndaj perceptimit të normave dhe vlerave perëndimore. Ndoshta Haradinaj dhe aleatët e tij thonë se Kosova është shumë e vogël që fuqitë e rëndësishme gjeopolitike të kujdesen për të, por realitet është fakti se  për të ruajtur paqen, Kosovës i duhet ky kujdes”, thuhet në shkrimin e “Time”.