Pretendentët për të qenë hetues në BKH/ Testi i esesë “ngel” në klasë 49 konkurrentë, ja sa do të vazhdojnë garën

Lista e pretendentëve për të qenë hetues në BKH është tkurrur edhe më shumë, duke lënë në garë vetëm 39 kandidatë, ndonëse bëhet fjalë për 60 vende.

Intervista ka skualifikuar 16 konkurrentë, nga 55 që ishin kualifikuar nga faza e mëparshme. Rezultatet e testit të esesë kanë qenë negative për 49 konkurrentë, të cilët janë skualifikuar. Në garë ishin 104 kandidatë, vetëm 55 u kualifikuan për të kryer intervistën, e cila e ngushtoi numrin e fituesve në 39. Personat që fituan tashmë do të kryejnë vetingun, fillimisht duke dorëzuar deklaratën e pasurisë e në fund testi i poligrafit. Në njoftimin zyrtar, BKH-ja tha se Komisioni i Përzgjedhjes, më datë 19.11.2020, mbylli fazën e intervistës dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.

“Për të parë listën me kandidatët e kualifikuar, shikoni listën e kandidatëve që gjendet në “LINK 1”, bashkëlidhur. Kandidatët e kualifikuar janë të renditur sipas numrit rendor nga 1 deri 39. Kandidatët e kualifikuar, do të plotësojnë deklaratën e pasurisë dhe interesave private të kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë, që gjendet në “LINK 2”, bashkëlidhur. Deklaratat e pasurisë, e plotësuar, do të dërgohen të skanuara, me e-mail, në adresën bkh.aplikim@spak.al, jo më vonë se data, 02.12.2020. Kandidatët e kualifikuar, do t’i nënshtrohen Testit të Poligrafit.

Vendi, data dhe ora e zhvillimit të Testit të Poligrafit dhe udhëzime të hollësishme do të njoftohen në datën 02 dhjetor 2020, në website-in e BKH-së, (BKH.al)”, njoftoi Byroja Kombëtare e Hetimit. Faza e Intervistës u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri. Komisioni i Përzgjedhjes gjatë në procesit të rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe pasi mori disa ankesa prej kandidatëve, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve, të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike. Prej këtij rishikimi të dytë të procesverbaleve rezultoi se, si pasojë e një gabimi njerëzor, një kandidat i vlerësuar me pikë të mjaftueshme kualifikuese është vendosur gabimisht në listën e të skualifikuarve në programin “Excel” gjatë përpunimit të të dhënave prej Sekretarisë Teknike./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne