Sociale

Bizneset/ Një mbyllje e dytë do të falimentonte ekonominë

Shumë sektorë të ekonomisë nuk e kanë marrë ende “veten” nga karantina e mars-prillit. Nga kriza e COVID-19, humbjet më të larta janë te restorantet, agjencitë e udhëtimit dhe prodhuesit e veshjeve. Nëse situata epidemiologjike përkeqësohet dhe qeveria detyrohet të mbyllë për së dyti vendin, shoqatat e bizneseve, sipërmarrës dhe ekspertë paralajmërojnë falimentimin e ekonomisë. Mungesa e ndihmës financiare pritet të nxisë edhe protesta…

Dorina Azo

Edhe pas 6 muajsh nga përfundimi i karantinës së marsit, situata nuk paraqitet pozitive për disa sektorë të ekonomisë. Nga hapja e ekonomisë në maj dhe deri tani, disa ndërmarrje shqiptare rezultojnë ende me rënie të ardhurash 60%.

Më të prekurit janë sektori i shërbimit, turizmi, industria përpunuese, veçanërisht tekstilet dhe këpucët, të cilët po vuajnë uljen drastike të porosive për shkak të “mbylljes” të vendosur në disa shtete të Europës. Për sektorë të tjerë, siç është tregtia me pakicë dhe shërbimi i transportit të mallrave, pas muajit maj është vënë re rikuperimi më i shpejtë i xhiros.

Shifrat në rritje të numrit të të infektuarve mund të detyrojnë autoritetet e Shqipërisë (nga 11 nëntori deri më 2 dhjetor, aktiviteti i bizneseve u ndal nga ora 22:00 deri në 06:00) të rrisin masat kufizuese, por edhe të marrin vendimin për një mbyllje të dytë të ekonomisë, ashtu siç është vepruar edhe nga fqinjët tanë Greqia (karantina e plotë ka nisur nga 7 nëntori dhe do të zgjasë deri më 30 nëntor) dhe Italia (në këtë shtet baret, pub-et, restorantet pezullohen të dielën dhe festat zyrtare; në ditët e tjera lejohen nga ora 05:00 deri në orën 18:00 pasdite).

Nëse ndodh kjo, ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe të industrive shqiptare parashikojnë rënie drastike të xhiros deri në falimentim masiv të bizneseve. Këto efekte më tepër do të ndihen te punësimi, sidomos për të punësuarit te Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla, të cilat konsiderohen më të brishtat për shkak të xhiros së ulët dhe pamundësisë për të krijuar rezerva financiare.

Përfaqësuesit e shoqatave të biznesit kërkojnë nga qeveria që një mbyllje e dytë e ekonomisë të shoqërohet me masa financiare në mbështetje të tyre, në rast të kundërt, paralajmërojnë nisjen e protestave.

Edhe pa karantinë, konsumi është i tkurrur për shkak të ndalimit të shumë aktiviteteve të shërbimeve, por edhe reflektimit të pasojave që dha në ekonomi dhe të ardhurat e individëve mbyllja e parë. “Monitor” ka intervistuar përfaqësues të sektorëve kryesorë të ekonomisë (bazuar në peshën ndaj prodhimit të brendshëm bruto) lidhur me pasojat që do kishte një tjetër mbyllje, por edhe ecurisë aktuale të tyre.

Pesha e bujqësisë në ekonomi do të ulet 

Në Shqipëri, peshën më të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) e zë bujqësia me 18,4%. Referuar të dhënave zyrtare, pesha e bujqësisë në 4 vitet e fundit është në trend rënës nga 22-23%, në 18%.

Sipas ekspertit të sektorit, Ervin Resuli, bllokimi i dytë do të ndikonte edhe më shumë te struktura e ekonomisë, por edhe te shitjet e produkteve me origjinë shtazore.

“Goditje të fortë do të marrë sektori i blegtorisë, kryesisht i tregtimit të mishit dhe qumështit që u përballën me vështirësi në shitje për 2020. Dukuria u vu re pasi shumë kafshë nuk u shitën në sezonin turistik. Edhe për festat e fundvitit, parashikohet të ketë konsum më të ulët. Qumështi pati rënie në konsum, pasi u vu re që për 2020 u importua shumë pak nga jashtë. Në këtë situatë njerëzit do të fokusohen, te konsumi bazë, pra nuk do të rrisin shpenzimet dhe kjo do të ulë në tërësi konsumin e mishit, ashtu siç ndodhi, nga turizmi i cunguar, mosmbajtja e dasmave, festave, eventeve.

Nuk mund ta llogaris dot në vlera dëmin ekonomik, por do të ketë ndikim të ndjeshëm te PBB. Bujqësia dhe kryesisht sektori i serave, nëse nuk do të ketë probleme me kamionët e transportit, do të funksionojë, pavarësisht situatës, sepse serat prodhojnë kryesisht për eksport. Në gjykimin tim nuk ka logjikë të bllokosh fermerët. Përtej rëndësisë së jetës, janë produktet e tyre që ne konsumojmë në 3 vakte në ditë në tryezat tona. Muaji mars ishte një kaos i vërtetë gjatë karantinës, por pasi qeveria kuptoi që në të gjithë botën, fermerët nuk u ndaluan, aplikoi lëvizjen”.

Resuli rekomandon që, ndryshe nga karantina e muajit mars, nëse do të ndodhë një tjetër izolim, qeveria duhet të rrisë mbështetjen ndaj fermerëve. “Në fakt, Shqipëria nuk dha kontribut apo ndonjë paketë për fermerët, ndryshe nga Italia, Europa, SHBA apo Kosova që dyfishoi mbështetjen nga 51 milionë euro në fillim të 2020, në 100 milionë euro deri në fund të 2020.

Për fermerët shqiptarë u injektuan 9,2 milionë euro nga buxheti 2020, një shifër qesharake krahasuar me rajonin. Deri më sot, çdo statistikë apo sukses është atribut i vetë punës së fermerëve. Pasi INSTAT të publikojë të dhënat për 2020, do të shohim se në tërësi do të ketë ulje, sidomos në tregun e produkteve me origjinë shtazore. Do të ishte mirë që viti 2021 të kishte një buxhet të konsiderueshëm për bujqësinë”.

Tregtia me shumicë dhe pakicë

Pesha e sektorit të tregtisë me shumicë dhe pakicë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është rreth 11%. Tregtia është edhe një nga sektorët me numrin më të madh të të punësuarve, me gjithsej 125 mijë persona, gjysma e të cilëve janë në shitblerje me pakicë. Tregtia ka një numër të lartë vetëpunësimi, ku 34% e atyre që kanë hapur aktivitet ia dalin mbanë vetëm.

Julian Mane, zëvendëspresident i grupit BALFIN, u shpreh për “Monitor” se në tërësi, në muajt e fundit, të gjitha shitjet me pakicë janë rikuperuar dhe janë kthyer në nivele të pëlqyeshme. Zoti Mane vlerëson se rikuperimi i shitjeve nënkupton që blerësve iu është kthyer besimi, por edhe janë bërë më përzgjedhës, duke iu drejtuar brandeve më të besueshme në treg.

“Grupi BALFIN e ka të shtrirë aktivitetin e shitjeve me shumicë dhe pakicë në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe mund të them që në të gjitha këto shtete, është ndier vala e krizës së krijuar nga pandemia e COVID-19. Duke besuar se ju jeni më shumë të interesuar për Shqipërinë, edhe unë po i referohem ecurisë së sektorit në vend.

Qendrat tregtare, TEG dhe QTU, kanë rënie të numrit të vizitorëve me 10-12%, por kjo është e kuptueshme sidomos po ta krahasojmë me vendet e Europës dhe vendet e tjera perëndimore, ku reduktimi ka qenë deri në 40%. Nga ana tjetër, është vënë re që vizitorët janë blerës më të mirë. Thuajse të gjithë që vijnë shpenzojnë më shumë, pra raporti i shpenzimeve për numër vizitorësh është përmirësuar.

SPAR ka një ecuri të kënaqshme dhe rrjeti i shtrirë në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë duket se në muajt e fundit ka ditur t’i përgjigjet sfidës. Jumbo është me rritje po të krahasohet me të njëjtën periudhë nga vjet. Kjo mund të shpjegohet me hapjen e dyqaneve të reja.

Gjithsesi, për sa u përket festave sezonale, shikohet një rënie në krahasim me vjet, sepse vetë festimet nuk janë njësoj për shkak të pandemisë. Neptun në Shqipëri po ecën shumë më mirë nga çfarë pritej dhe gjatë tetorit dhe shtatorit ka qenë më mirë sesa vjet. Kjo ka të bëjë me besueshmërinë që ka krijuar vetë Neptun në treg, duke u rritur në të gjitha drejtimet. Për sektorin e veshjeve do të thosha se nuk ka ndryshuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Panoramës pozitive të përmirësimit të shitjeve me pakicë, pas izolimit të parë do t’i dëmtoheshin treguesit, nëse do të kishte një mbyllje të dytë nga COVID-19. Zv.presidenti i grupit BALFIN parashikon se nëse ndodh kjo, të ardhurat për sektorin e shitjeve me pakicë do të reduktoheshin deri në 70% dhe shteti do të duhej të ndihmonte sipërmarrjet.

“Një mbyllje e dytë, apo kufizime, qoftë edhe të pjesshme për operimin e ambienteve tregtare, nuk do t’i dëshironte askush. Kjo pasi do të kishte efekte negative për punonjësit, bizneset dhe vetë shtetin. Një mbyllje e dytë do të kishte ndikim shumë të madh te punësimi. Do të kishim rritje të papunësisë dhe të shpenzimeve shtetërore për ndihmë financiare për të gjithë ata që do të mbeteshin pa punë. Sipas disa përllogaritjeve paraprake që ne kemi bërë për sektorin e shitjeve me pakicë mund të kemi një rënie të ardhurash deri në 70%.

Kjo do të rrezikonte shumë bizneset e mëdha dhe për pasojë, edhe një sërë biznesesh të mesme dhe të vogla të lidhura me to. Duke shpresuar që kjo gjë të mos ndodhë dhe pandemia të mbahet nën kontroll, nëse do të ndodhë, do të duhej që shteti të ndihmojë patjetër bizneset që të operojnë dhe të mbajnë njerëzit në punë. Kjo mund të realizohej duke injektuar para në ekonomi, përndryshe pasojat do të jenë të papërballueshme për ekonominë shqiptare.”

Te shitjet me pakicë, në këtë periudhë është vënë re tkurrje me 7% të shitjeve për mallrat e luksit. Përfaqësuesi i rrjetit të supermarketeve “Big Market” shpjegon se kjo ka ardhur pasi konsumatori po tregohet i kujdesshëm te shpenzimet dhe është i përqendruar më tepër te produktet bazë ushqimore.

“Rënia e shitjeve ka ndodhur kryesisht për pijet alkoolike, verën, produktet e kozmetikës, kremrat e shtrenjtë. Ecuria e shitjeve të shportës me produktet kryesore të ushqimit në tërësi është shfaqur me rritje. Vihet re si tendencë që blerësit kërkojnë më shumë produktet që kanë ofertë çmimesh. Volumi i blerjeve është i njëjtë, ndërsa kostot për shpenzime janë ulur, pasi më shumë kërkohen produktet me ofertë”.

Nëse do të ketë një kufizim të dytë, pa masa drastike siç ndodhi në muajin mars, kompania nuk parashikon të ketë dyndje të njerëzve në supermarkete për blerje. “Kjo pasi popullata është më e përgatitur dhe më e mirinformuar për pasojat e pandemisë. Paniku shkaktoi dyndje të blerësve në supermarkete në muajin mars. Probleme mund të krijoheshin vetëm nga një bllokim i dytë total, por që mendoj se nuk do të ndodhë”, shpjegon përfaqësuesi i rrjeteve “Big Market” në Shqipëri.

Edhe Alma Bici, drejtore e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun, “Agna Group”, distributori më i madh në vend dhe prodhues i pijeve freskuese e të tjera, shpjegoi më herët për “Monitor” se sjellja e konsumatorit në blerje ka ndryshuar. Ajo pritet të vazhdojë të ndryshojë edhe në muajt e ardhshëm, pasi situata ka detyruar konsumatorët të orientohen më tepër drejt mallrave të shportës dhe produkteve bazë.

Mbyllja e dasmave dhe festave, “zhyt” në krizë edhe industrinë e birrës

Shitjet e industrisë së birrës vendase dhe importit kanë rënë në total 40-50%, për shkak të moslejimit të dasmave dhe festave, sipas drejtorit të shitjeve të “Birra Korça”, Armando Xoxa. Mungesës totale të shitjeve për eventet tek industria e birrës, tashmë i është shtuar edhe rënia e konsumit në lokale dhe restorante, nga kufizimi i orarit të frekuentimit dhe frikës së infektimit.

“Pas orës 20:00, shumë restorante dhe ambiente të brendshme lokalesh nuk funksionojnë. Shitjet në supermarkete dhe dyqane janë rritur, por nuk arrijnë të kompensojnë humbjet që vijnë nga baret, restorantet dhe eventet, pasi shoqëria jonë nuk konsumon shumë birrë apo lëngje në shtëpi, siç konsumojnë familjet gjermane apo ato amerikane.

Konsumi i birrës nga familjarët bëhet më tepër për raste festash në segmentin HoReCa (bare, restorante, kafene). Nuk mund të parashikojmë ecurinë e shitjeve për festat e fundvitit, pasi ende nuk dihet nëse do të lejohen festimet në sheshet qendrore dhe festat në lokale dhe restorante. Nëse nuk do të lejohet dalja në shesh dhe festimet jashtë, shitjet do të pësojnë sërish rënie”.

Situata nuk është e paparashikueshme edhe për përfaqësuesit e kësaj industrie, nëse do të ketë një bllokim të dytë të ekonomisë nga COVID-19. “Kjo mund të çojë deri në falimentim të industrisë të birrës. Nisur nga treguesit aktualë të shitjeve, për t’i mbijetuar mbylljes të dytë, pronarët e kompanive të birrës do të jenë të detyruar të financojnë kapitale nga jashtë për të përballuar kostot fikse dhe pagat e punonjësve”, nënvizon drejtori i shitjeve të “Birrës Korça”.

Ndërtimi optimist nga rindërtimi dhe koncesionet 

Ndërtuesit shfaqen më optimistët për ecurinë e aktivitetit në periudhë pandemie. Shoqata e Ndërtuesve parashikon që puna të mos pezullohet, edhe nëse do të zbatohen masa të reja kufizuese.

Pavarësisht gjendjes epidemiologjike të vendit, sektori i ndërtimit, po merr edhe më shumë hov zhvillimi nga zbatimi i programeve për rindërtimin e shkollave, apartamenteve, akseve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe nga kontratat e koncesioneve në infrastrukturë.

“Shumë kompani ndërtuese dhe nënkontraktorë të tyre janë të aktivizuar në disa punë publike, siç është ndërtimi i Rrugës të Arbrit me koncesion, për aksin Kardhiq-Delvinë (kanë nisur punimet edhe për tunelin), për ndërtimin e Unazës të Tiranës e ndarë në 3 lote, ujësjellësit e bashkive etj. Parashikohet që punimet për këto projekte të përfundojnë vitin tjetër. Pritet të nisin punimet edhe për aksin Korçë-Ersekë, ku sërish do të angazhohen kompanitë shqiptare të ndërtimit.

Për programet e rindërtimit nga bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfunduan procedurat e tenderimit për disa zona dhe të tjera janë në proces, ku pritet angazhimi i kompanive vendase të ndërtimit. Është rritur kërkesa edhe për apartamentet e banimit, sidomos nga shtetasit e huaj, pasi kërkojnë t’i investojnë për dhënie qiraje apo për t’i shitur më vonë. Çmimet e shitjes aktualisht nuk kanë ndryshuar. Pra, edhe në rast se do të ketë një mbyllje të dytë të ekonomisë, puna për sektorin e ndërtimit nuk mendoj se do të pezullohet”, pohon sekretari i Shoqatës të Ndërtuesve, Arben Dervishi.

Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e sektorit të ndërtimit është 9% në strukturën e PBB-së. Në ndërtim punojnë rreth 45 mijë persona. Shoqata e Ndërtimit thotë se sektori aktualisht po vuan mungesën e fuqisë punëtore të specializuar, pasi ndër vite “mjeshtrit e ndërtimit” kanë emigruar jashtë vendit. Rritja e çmimeve bazë dhe pagat e punëtorëve kanë rritur koston e ndërtimit. Në këto kushte, përfaqësuesi i Shoqatës të Ndërtuesve kërkon përditësimin e listës së çmimeve të materialeve bazë, pasi ende operohet me manualin e miratuar nga qeveria në 2016.

Përpunuesit, në krizë nga mbyllja e Europës 

Sektori i tekstileve dhe këpucëve janë punëdhënësit më të mëdhenj të industrisë përpunuese, me rreth 55 mijë persona, ose 52% e totalit prej 106 mijë të punësuar. Në ekonomi, pesha e sektorit është 6%. Pas hapjes së ekonomisë, sektori fason nisi ta rimarrë veten nga dëmet që i shkaktoi mbyllja e kufijve, por me nisjen e kufizimeve në vendet e BE-së, efektet e rënies po ndihen përsëri. Edvin Prençe, kryetar i “Pro-Eksport Albania” (PEA) thotë se aktualisht prodhimi ka rënë 65%.

“Sikurse jeni në dijeni, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve përfshin 700 fabrika dhe sipërmarrje aktive në vend, të mëdha, të mesme dhe të vogla. Ndërsa në vitin 2019, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve siguronte 40% të totalit të 2,1 miliardë euro eksporte të Shqipërisë, ose mbi 800 milionë euro, në periudhën janar-shtator 2020, kjo industri eksportoi vetëm 75 miliardë lekë, nga 90 miliardë lekë që kishte eksportuar në periudhën janar-shtator, ose 122 milionë euro më pak sipas të dhënave të INSTAT.

Në vitin 2019, industria punësonte rreth 70 mijë vetë, që ushqenin mbi 56 mijë familje, duke përbërë sektorin punëdhënës më të madh privat në vend. Sot i është dashur të largojë një numër të madh punonjësish nga puna, për shkak të pandemisë dhe krizës që ka kapur sektorin, duke përbërë humbësin më të madh në punësim në vend, që përllogaritet në rreth 28 mijë vende pune.

Efektet e krizës globale në shitje për veshje dhe këpucë nëpër botë, automatikisht kanë ndikuar në uljen ose në disa fabrika, zerimin e kërkesave për prodhimin e këtyre produkteve. Nga të dhënat që shoqatat simotra na kanë ofruar, kemi rënie të shitjeve në dyqane (Italia 58%, Gjermania 45%, Spanja 43%), që e përkthyer në sasi prodhuese dhe eksportuese tonat arrin në gati 65% të zërit të sektorit”.

Parashikimi në rast të një mbyllje të dytë në Shqipëri do të sillte falimentim të të gjithë sektorit, që konsiderohet punëdhënësi më i madh në vend, sipas kreut të Shoqatës Pro Eksport Albania. “Nuk duam të hapim panik, por shenjat e ‘mbylljes’ që disa shtete europiane kanë vendosur këto ditë, po japin sinjalet e një ulje drastike të porosive dhe një paqartësi për të ardhmen e afërt të sektorit.

Kemi kërkesa për prodhime të materialeve njëpërdorimshme (veshje të mbrojtjes personale anti-COVID-19), por nuk kemi kapacitetet prodhuese për sasi të mëdha, sepse kërkohen investime për diversifikim makinerish që firmat tona (duke ezauruar likuiditetin e tyre këta muaj krize për rroga e taksa) nuk e kanë.

Kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë që të mund t’u përgjigjemi këtyre kërkesave dhe të jemi konkurrues në tregun europian me prodhimet ‘Made in Albania’. John Maynard Keynes, ekonomist i shekullit XX, ka thënë: ‘Të investosh me sukses do të thotë të parashikosh parashikimet e të tjerëve’. Ne si përfaqësues të PEA-s këtë kërkojmë, të jemi lider në Ballkan, përpara se shtete fqinje të bëhen protagonistët kryesorë të sektorit të tekstilit dhe këpucës”.

Përfundojnë kuotat e açuges me BE-në, industria e peshkimit në kolaps

Përfundimi i kuotave të lejuara në shtator për eksportin e açuges pa taksë drejt vendeve të BE-së, po shkakton të njëjtin problem për të pestin vit radhazi për industrinë. Albi Ndoci, administratori i kompanisë “Mare Adriatik sh.p.k”, përpunuesi më i madh i açuges në vend, tha për “Monitor” se sektori i përpunimit të açuges ka kaluar në kolaps dhe prej shtatorit, malli ka mbetur stok, pa u shitur në magazinë.

“Kuotat e lejuara me BE-në kanë përfunduar dhe për të eksportuar mallin, ne duhet të paguajmë 25% të vlerës së produkteve taksë doganore. Por kjo është e pamundur financiarisht dhe për këtë arsye, është bllokuar tërësisht eksporti i kompanive shqiptare. Tregu po mbetet pa u furnizuar, ndërsa ne do të presim muajin janar për të nisur punën”.

Kuota e lejuar e eksporteve drejt vendeve të BE-së, pa taksë, është deri në 1,6 mijë tonë në vit, për produktet e përpunuara ‘Made in Albania’, e miratuar që në vitin 2005. Por kapacitetet përpunuese të industrisë, janë shumë herë më të larta se kuota e përcaktuar. Sipas të dhënave zyrtare, industria eksporton rreth 6 mijë tonë produkt të përpunuar, ku thuajse gjysma e tyre (2,5 mijë tonë) janë produkt i peshkut açuge.

Ndoci, nga “Mare Adriatik” kërkon që qeveria të nisë negocimin e menjëhershëm të marrëveshjes së MSA-së, që kjo situatë të mos përsëritet edhe për 2021. “Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Ekonomisë duhet të ngrihen në këmbë dhe të zgjidhin ngërçin e krijuar, duke negociuar marrëveshjen, në rast të kundërt industria shumë shpejt do të falimentojë. Kjo kërkesë po përsëritet prej 5 vitesh, por deri tani nuk ka gjetur zgjidhje, pasi ka rënë në vesh të shurdhët. Ne penalizohemi me dalje për tre muaj nga tregu i jashtëm”.

Situata e krijuar me COVID-19 në shtetet fqinje, aktualisht nuk ka ndikuar për eksportet e kompanisë, pasi 70% të shitjeve të saj janë për rrjetet e supermarketeve “Metro” në Itali dhe Spanjë, të cilat ende funksionojnë. “Nëse do të ketë kufizime të tjera nuk mendoj se industria do të preket”, parashikon administratori i kompanisë me dy fabrikat, atë të Vaut të Dejës dhe në Tiranë, ku janë 600 të punësuar.

Rikuperimi i vonuar i transportit 

Në tërësi, pesha e transportit, informacionit dhe komunikacioni është 3,2% në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sektori gjeneron vende pune për 38 mijë persona, sipas të dhënave nga INSTAT, nga të cilat rreth 14 mijë janë vetëm në transport, që për 4 muaj ishte tërësisht i paralizuar.

Por edhe pas rifillimit të aktivitetit, transporti publik në Tiranë është me rënie të ardhurash, nga mungesa e pasagjerëve dhe subvencionimit nga shteti. Kostandin Foni, drejtor i transportit publik në Tiranë nga kompania “Shega”, thotë se numri i pasagjerëve është reduktuar 50%.

Arsyet e rënies së numrit të pasagjerëve që përdorin urbanët në kryeqytet, sipas tij, janë frika nga infektimi dhe paniku i krijuar tek ata për shkak të shtimit të rasteve me COVID-19 në Shqipëri. “Shërbimi po funksionon me të njëjtat orare, si në periudhë normale. Në urbane fluksi i pasagjerëve është i lartë në mëngjes, kur shkojnë në punë apo në shkolla dhe në orarin e kthimit. Gjatë ditës, fluksi është tepër i ulët”.

Nëse do të ketë një mbyllje të dytë të ekonomisë, shërbimi i transportit publik pa mbështetje financiare do të falimentonte. “Ne do të vazhdojmë të kërkojmë realizmin e katër kërkesave financiare, si: subvencionimi i të ardhurave të munguara për subjektet transportuese si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë; heqja e akcizës dhe e taksave te karburantet, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë; heqja e TVSH në shitje për vitin 2020 dhe rikthimi në nivelin 6% në vijim, si sektori i hoteleri-turizmit dhe rimbursim për kategoritë që përfitojnë transport publik falas. Deri tani nuk është dhënë asnjë mbështetje, si nga qeverisja qendrore dhe vendore. Pra, jemi ende në pikën zero, ashtu siç ishim kur rinisëm aktivitetin në qershor”, nënvizon përfaqësuesi i kompanisë “Shega”.

Volumi i shërbimit të transportit tokësor dhe detar për mallrat ka shënuar një rikuperim të lehtë, krahasuar me humbjet gjatë karantinës. Por sipas Andi Shijakut, drejtorit kormecial të një prej kompanive më të mëdha të transportit në vend, “Shega”, ende nuk po ndihet përmirësimi te shërbimi import-eksport me anije. Rënia më e lartë është shënuar për shërbimin e transportit tek eksportet, për shkak të mungesës së porosive për kompanitë fason. “Në karantinë, shërbimi i transportit tek import-eksporti i mallrave ra 50%.

Pas hapjes së ekonomisë, veçanërisht në muajin korrik-gusht, situata u përmirësua, por krahasuar me 2019 ishte 20-25% më pak. Në muajin shtator u shënua rënie e volumit të shërbimit të transportit të mallrave, pasi shumë biznese ishin në pritje të ecurisë epidemiologjike të vendit dhe reduktuan porositë. Kjo ndikoi me rënie deri në 30% të aktivitetit tonë. Në muajin tetor, aktiviteti për transportin tokësor dhe detar u përmirësua, por krahasuar me 2019 është 10% më pak për transportin tokësor dhe 20% për atë detar.

Në këtë periudhë pandemie, rënia më e madhe është shënuar te shërbimi për eksportet, për shkak të mungesës së porosive nga jashtë për ndërmarrjet fason. (aktiviteti i kompanisë për transportin tokësor të eksporteve është më tepër i fokusuar tek industria fason). Këtë vit, vihet re edhe një rënie e shërbimit të transportit për import-eksport të mallrave me anije deri në 25% në krahasim me 2019, e ndikuar nga reduktimi i shitjeve të mineraleve, për shkak të rënies të çmimit në bursë. Te transporti detar ndikoi edhe reduktimi i porosive të biznesit për shkak të krizës nga COVID-19, për periudhën maj-qershor në vendet e largëta, si Kina, Azia”.

Izolimi i dytë do të ulte konsumin e popullatës, sipas z. Shijakut dhe biznesi do të detyrohet të reduktojë porositë për transport të mallrave. “Nëse kjo zbatohet, shumë biznese të transportit do të falimentojnë. Çmimet e shërbimet janë ulur ndjeshëm, për shkak të konkurrencës dhe bizneset e sektorit po operojnë me marzhe të ulëta fitimi. Në këto kushte, mbijetesa është shumë e vështirë pa ndihmën financiare të shtetit”./Monitor/

OPINIONE

INTERVISTA