“Prezumimi i pafajësisë dhe Rama”, Fredi Beleri jep deklaratë për shtyp nga burgu: Në prag të seancës së 4 dhjetorit, kryeministri ndryshon taktikë dhe…

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, ka reaguar mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se kreu i qeverisë udhëzon gjyqtarët dhe deklaron se ka qenë në kushtet e flagrancës!

Në një reagim në rrjetet sociale, Beleri shkruan, ndërsa pritet seanca gjyqësore e 4 dhjetorit, kryeministri sipas tij, urdhëron gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre.

Reagimi i plotë:

Kryeministri shqiptar Edi Rama, për të disatën herë në shtatë muajt e fundit, me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë shqiptare. Në mënyrë të pavërtetë, deklaron se jam arrestuar në flagrancë për shitblerje votash. Gjykata ende nuk ka vendosur për rrethanat reale të arrestimit tim, ndërsa unë vetë kam paraqitur ankesë në gjykatë lidhur me arrestin në flagrancë, ankesë e cila ende nuk është shqyrtuar nga gjykata kompetente. Nga ana tjetër, z. Rama udhëzon gjyqtarët dhe deklaron se ka qenë në kushtet e flagrancës!
Pyes veten nëse e ka parë ose jo videon e arrestimit tim, e kapur rastësisht nga kamera e një restoranti në shëtitoren e Himarës? A e pa që unë po bisedoja me avokatin dhe kushëririn tim?

Ndërhyrja e z. Rama është shkelje e prezumimit të pafajësisë, siç qartësisht përcaktohet në nenin 6 par.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Le ta kuptojë që derisa të provohet nëse jam ose jo fajtor, prezumohem i pafajshëm.

Këtë herë, Edi Rama nuk nguron të ndërhyjë edhe në çështjen e betimit tim, çështje e cila pritet të shqyrtohet. Deklaron fjalë për fjalë, duke iu referuar personit tim: “Ai nuk mund të betohet, pasi ligji ynë është shumë i qartë për kushtet në të cilat kryhet betimi”.

Deri më tani na trumbetonte se është drejtësia ajo që do të vendosë dhe se ai vetë nuk dëshiron të ndikojë në vendimin e gjykatës. Duke qenë se tani e sheh që seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës sime për kryerjen e betimit do të zhvillohet më 4 dhjetor 2023, po ndryshon taktikë. Ai i urdhëron gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre. Në këtë mënyrë, imponon gjykatën që të më ndalojë të betohem. Le të tregojë vetëpërmbajtje, siç i takon për postin që mban. Në fund të fundit është kryeministër! Le të sillet si i tillë!

ALFRED DHIONISIOS BELERI

KRYETAR I ZGJEDHUR I BASHKISË HIMARË/BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne